Libri

JEHONA DASHURIE MBI ÇEPUR

Fatmir MINGULI

JEHONA DASHURIE MBI ÇEPUR

( Një analizë mbi dy vëllimet poetike “Hyjnorja ime je ti” të poetit Sabit Rrustemi, botim Faik Konica, Prishtinë, 2019 )

Dashuria është si era, nuk mund ta shohësh, por e ndjen.

Nicholas Sparks

Portat e zemrave u hapën

edhe kur vonon një trokitje.

Sabit Rustemi

Sabit Rrustemi, ky poet i palodhur e plot energji kësaj radhe iu lut malit të Çepurit. Pse vallë! A ishte i pakënaqur me rrethinat e Zhegrës, apo me imazhet që Gjilani- qytet emeton nё ajrin e lirë të Kosovës? Por lepuri fshihet diku, nё një vend tjetër. Por përsëri pyes: Pёrse kёto korespondenca me Malin e Çepurit, kёto biseda të dëgjueshme nga të tjerët por dhe të padëgjuesheme nga kërkush!?

Eshtë libri me dy vëllime “Hyjnorja ime je ti”, libri më i fundit i poetit të Kosovës, Sabit Rrustemi. Aty nё faqet e këtij libri shpërthen jo vetëm era dashurore e poetit por e gjithë legjenda shqiptare, të gjithë zemrat e të dashuruarve…dhe jehonat e tyre që shkojnë e përplasen mbi malin e Çepurit. Aty përplasen por edhe mali i fton nё gjirin e vet, duke i ofruar lulet, gjethet, erërat e ngrohta të shpirtit të një mali, ujin dhe hijen dhe mbasi i mban për një farë kohe i rikthen atje nё vendlindjen e tyre duke u pëshpëritur ” Ejani prap!”

Duke lexuar poezitë aq të thjeshta me pak vargje, por aq komplekse nё mendim, do të gjejmë disa “vendimmarrje” mbi kuptimin e dashurisë. Mësojmë se dashuria e vërtetë nuk është as fizike, as romantike. Dashuria e vërtetë është pranimi i gjithçkaje i asaj që ёshtë, ka qenë dhe që do të jetë e nuk do të jetë.

Mu për këtë poeti Sabit Rrustemi i ka dhёnё strehën e zemrës dashurisë dhe të vluarës nё çdo stinë të vitit. E të mos harrojmë se nё shtatë librat e dy vëllimeve autori fut shtatë libra me një ide paralele me shtatë ditët e javës. Duket sikur dashuria e viteve 2009-2015, kohё kur janё shkruar poezitё e dy librave, kaloi konceptin e kohës dhe u struk nё këto shtatë ditë të bekuara të zotit. Por, kemi të bëjmë dhe me një ditar dashurie, kemi të bëjmë me atë dashuri kur poemat për të puthin çdo stinë të vitit, sepse çdo një nga shtatë librat përfshin të katër stinët.

Ky ditar dashurie lëviz dhe “jep llogari” te baba Cepuri:

“Fluturoi e ra Hijes sё Madhe të Cepurit.”

Aty poeti rilind dhe nё këtë rilindje ndërton Republikën e Zemrës plot me strehë dashurie.

Kaq e vërtetë ёshtë kjo saqë vetëm poezia e vrullshme e Sabitit e argumenton. Ai i këndon dashurisë nё të gjithë cepat e saj, ai me poezinë e tij të lartë përpunon kujtime të shumta, eksperienca, mendime, ndjenja të shumëfishta por dhe shpërthime të papritura e që të habisin për moshën e poetit. Ai nuk ka faj, ai është poet i pafre, i çartur, ai nuk ka rregulla kalorsiake dhe as burokratike. Ai shpreh poezinë e e zemrës, ai shpreh trokitjet e saj dhe ai hap tё gjitha portat.

Ai i këndon dashurisë sё një luleje që ndodhet nё dhomën e tij dhe tek sheh atë mendja i fluturon pёrsёri nё lulet e Çepurit. Pastaj ai kërkon të mbështetet nё hijen e flokut të sё dashurës, duke tejkaluar çdo lloj imagjinate e këtë e kërkon kur tek ai ka depërtuar dilema, mëdyshja. Mjafton të lexosh poezitë e librit të gjashtё të titulluar “Stinëve që erdhën pa ty” e të kuptosh oshilacionet e rrahjeve të zemrës sё poetit. Janë këto dilema që e çojnë poetin drejt balladave të vjetra ku lozin ёndrrat, hija dhe fytyra e padukshme e pak më vonë e çojnё drejt legjendave. Por ai di të dalë nga këto gracka, i merr atyre çka ёshtё e mirё dhe libri shkon drejt konkretes e ёndrra ёshtё më afër realitetit. Njё rёndёsi tё madhe merr e fshehura universale jo thjeshtë si ndjenja e dashurisë por pothuajse nё të gjitha fenomenet e jetës. Ai duke kërkuar të fshehtën nё Çepur, shkruan:

Sytë ikin kah maja e Çepurit

këmbët s’presin.

Dhe si për ironi tё fatit ai Çepuri …

Mbi Çepur shi bie

me aromë vjeshte

dhe ëndrra të reja.

Nё këtë libër vjen dhe trupëzohet dhimbja dashurore. Nisur nga historitё e zhvillimit tё poezisё dashurore, qё nё shekullin e XII –tё, poetёt, kryesisht ata provencialё filluan t’i kёndonin femrёs duke thёnё se tё dashuruarit vuanin e ishin plot ndrojtje e turp por imazhi femёror ishte pikturuar tashmё nё zemrёn e poetit. Pra trubadurёt provencialё, kёta pasues tё denjё tё bardёve keltё, shikonin thellё nё shoqёritё oborrtare tё kohёs, ku mesa dukej po krijohej njё publik femёror pikёrisht nё ato rajone ku burrat seriozё nuk e kishin pёr zakon leximin e poezive.

Prandaj poeti i drejtohet malit, duke i kёrkuar dorёzani pёr ato qё ai vuan, i drejtohet malit dhe jo “shoqёrisё oborrtare” tё ditёve tona.

Mali për poetin është simbol i jetës, një protektor i tij. Jo më kot studjuesi Timo Mёrkuri nё esenё e tij kushtuar poezisё sё Sabit Rrustemit nё kёtё libёr shkruan: “Ndihmuar nga erërat e malit u ngrit një oktavë më lart tonaliteti i psherëtimave ( tё vashave- F.M.) duke u shtrirë dhe zgjatur nё melodi dhe duke spostuar pak nga pak bëmat dhe trimëritë e luftëtarëve.” Por le tё kthehemi tё poezitё e bardit gjilanas Sabit Rrustemi. Kush e lejon atё tё trokasё nё portat e sё kaluarёs? Mos vallё botimi i “ Stina e meseleve” me atё shqipe tё hershme, apo i “Grafiteve nёn lёkurё’ dhe i “ Muraleve tё shpirtit” ku shpёrtheu poezia qytetare mё bukur se kurrё?

Eh, ndoshta, por ai ashtu i çartur shpёrthen, e nuk ёshtё e fundit herё qё ai shpёrthen, se gajzeri i shpirtit tё tij ka oshilacionet e tij. Sot ne kemi dy oshilacione tё tilla atё qё quhet “Hyjnorja ime je ti” dhe jehona e figurёs sё saj shpirtёrore nё malin e Çepurit.

Kёshtu mali i Çepurit kthehet nё shenjt, ёshtё njё personazh, njё trim i legjendave dhe miteve shqiptare qё dialogon jovetёm me poetin por edhe me tё vluarёn e zemrёs…Por, ndoshta mos vallё Sabiti ёshtё vetё mali? Mundet, edhe poetёt janё profetё!

Çepuri mbet pa fjetur

Cila portё pёrveç times

Mbeti pa u çelur.

Nё librin dy vёllimёsh “Hyjnorja ime je ti” gjejmё fenomenin e pritjes, kёtё çast njerёzor kaq delikat sidomos kur bёhet fjalё pёr dashurinё. Pritja, kjo ndjenjё e llahtarshme por aq e ёmbёl! Bardi Sabit Rrustemi del majё Çepurit dhe pret agsholet, duke menduar se ajo majё ёshtё fron perёndie e herё herё i falet pёrulёsisht. Fat poetёsh!

Ai, poeti, nga dashuria e pakufi, kur i kёndon lules sё dhomёs na jep etyde poetikё qё inspirojnё piktorёt, kur i kёndon trёndafilit mendja i shkon te koka e sё dashurёs qё pёr tё ёshtё bota e tёrё:

Fle rrёzё Çepurit

Erёn prej mali thith

Tёrё natёn e lume,

Nёpёr faqe lulesh e gjethesh

Strukem e nuk bёj zё

Se tremben trumcakёt.

Sabit Rrustemi shkruan pa ndrojtje, prandaj e quajta poet i pa fre, prandaj dua qё tё tregoj se si ai bёn poezinё me vargje tё shkurtra, e nganjёherё kur ai fut vargun e gjatё, thjeshtё do tё thotё se ёshtё modest. Eshtё ai poet qё i le muret e qytetit dhe eksploron dashurinё nё çdo cep tё natyrёs deri sa mbrrin te obelisku Çepur. Eshtё ky poet qё themelon “ Shkollёn poetike tё Gjilanit”.

Jeta e poetit Sabit Rrustemi ёshtё si njё jehonё, njё jehonё qё i flet tё dashurёs, e qё kёtё dashuri ia pёrcjell malit tё Çepurit pёr redaktim. Ai ёshtё bard, ai ёshtё i pavarur dhe i palidhur. E pёr kёtё ai nuk di tё autoçensurojё poezitё e tij. Shikoni me kujdes poezitё e para tё Sabit Rustemit, shikoni stilin e tij, ato vargje delikate, tё shkurtra por qё janё plot me lёng jete.

Vargjet e tij nё dukje tё thjeshta kanё sharmin e poezisё kozmike ku modernja, abstraktja kthehet nё botёn konkrete tё dy tё dashururve:

Veten time e pёrpiva me vete e mora

Sakaq njё perde tё kaltёr sysh mё lёshove

Deri sa u fsheha nё njё yllёsi tё re

Brenda qerpikёve tё mi!

Dashuria e poetit ёshtё muzikё e lirisё, njё dashuri e paprojektuar ashtu siç nuk projektohet kozmosi, shpesh nuk na shfaqet pёr ta shikuar direkt, shpesh nuk e zbulojmё dot, por…arrijmё tё kapim vetёm disa fragmente tё vogla e mundohemi t’i perceptojmё me anё tё njё gjesti, me anё tё njё shikimi tё befasishёm… e ti kupton se me tё vёrtetё dashuria e ka njё projekt tё madh…

Sabit Rrustemi duke shkruar kёto dy libra i jep jetёs kuptim tё shumfishtё duke e bёrё dashurinё si shprehje tё njeriut tё mirё gjё qё e vёrteton atё Nёnё Tereza e cila thotё: “Nёse i gjykon njerёzit, nuk ka mё kohё pёr tё dashur.”

Libri “Hyjnorja ime je ti” kёtё do tё shprehё, nga dashuritё lindin dhe idetё e mёdha, lindin dhe veprat e mёdha. Ky libёr ёshtё njё vepёr e tillё dhe jemi tё bindur se nuk e ka shkruar dora e Sabit Rrustemit, e ka shkruar shpirti i tё fundmit tё bardёve.

Durrёs 10 maj 2020

 

You Might Also Like