Sportet me dorë

KH Drita: Evropë na prit!

Klubi i Hendbollit Drita nga Gjilani ende nuk e ka thënë fjalën e fundit. Sivjet ky ekip mëton arenën ndërkombëtare. Pozita e katërt në tabelë e KH Drita këtë vjeshtë nuk është suksesi i vetëm, ngase kryesia e këtij klubi paralajmëron shumë befasi të tjera.

Luan Sllamniku, kryetar i KH Drita, veç ka bërë goditjet e para. Erhan Shahini, i pajisur së fundi edhe me një diplomë më shumë të trajnerit është rikthyer në klubin ku kishte qenë para një muaji e goditja e dytë është edhe një trajner tjetër, Nazim Myrtaj, trajner  dhe pedagog i njohur kosovar, i cili është kthyer në ekipin që dikur kishte luajtur dhe kishte qenë trajner.

“Besoj se me këta dy trajnerë dhe fondin e lojtarëve që kemi do të jemi arrë e fortë për secilin ekip në pranverë, gjë të cilën edhe e dëshmuam në vjeshtë”, thotë kryetari i klubit Luan Sllamniku, i cili ka paralajmëruar ardhjen edhe të tre hendbollistëve cilësorë në KH Drita.

“Kemi ambicie për të dalë në arenën ndërkombëtare, andaj do të angazhojmë tre lojtarë të njohur kosovarë dhe me ta dhe fondin që kemi do të jemi ekip konkurrues”, thotë Luan Slamniku, kryetar i klubit, falë punës së palodhshme të të cilit ekipi i Dritës për një kohë të gjatë mbeti gjallë e tash së fundi po mëton suksese dhe namin që ky ekip e kishte dikur.

Hendbolli po i kthehet Gjilanit si dikur, kurse ky sport ka mjaft adhurues, andaj në Gjilan paralajmërohet një pranverë e nxehtë e hendbollit.

You Might Also Like