LAJME

Kujtimet e 100-vjeçarit Shaban (Mahmut) Rama për mbrojtjen e kufirit gjatë Luftës së Dytë Botërore

 

Shkruan: Nebi Morina, profesor i historisë

 

Ishte viti 1943, Lufta e Dytë Botërore ishte në vlugun e saj. Edhe trojet shqiptare ishin në luftë. Këtë vit kapitulloi Italia, e cila kishte pushtuar pjesën më të madhe të trojeve shqiptare. Me kapitullimin e saj në këto troje erdhën gjermanët, që kishin qenë aleat të italianëve.

Këto zhvillime i kujton edhe plaku 100-vjeçar Shaban (Mahmut) Rama, që ishte pjesëmarrës në Luftën për Mbrojtjen e kufirit në pjesën lindore të Kosovës. Në qershor të vitit 1944 kapitulloi edhe Bullgaria, kurse shovinistët serbë pretendonin që fillimisht të pushtonin këto territore e më pas të mësynin tërë Kosovën. Shovinistë serbë, malazezë e bullgarë, të bashkuar filluan përgatitjet për të pushtuar tokat shqiptare të  Kosovës. Gjermanët, duke parë rrezikun e kërcënimit të kufirit me Serbinë, formojnë komuna, ku caktojnë kryetarët të cilët do të organizojnë mbrojtjen e kufirit me Serbinë.

Kështu, në komunën e Hajnocit caktojnë kryetar Bajram Ahmet Kurtajn, në Novobërdë Feriz Llashticën, në Partesh Ramiz Cërnicën. Pasi që italianët i zhveshën uniformat, shqiptarët u mobilizuan me pushkë të shkurtra dhe përreth kufirit ngritën fortifikata (karaulla) dhe kështu i ruanin fshatarët.

Atëbotë, Shaban Rama ishte 25-vjeçar. Atij i kujtohet se si shqiptarët përpos pushkës kishin edhe mitroljozë, që ai i quan mashinka, minahedhës si dhe topa, një në Zhujë, në Kranidell dhe një top në Gmicë. Ai thotë se kapiten ishte emëruar Shefqet Bylykbashi , që siguronte ushqimin për ushtarë dhe për çdo ditë  në kufi vinin 1400 bukë për vullnetarë pa uniformë. Zëvendës i kapiten Shefqetit ishte Bajram Rama, i cili kishte 400 vullnetarë nga fshatra dhe vise të tjera. Me këta mbante rendin si ndihmë e ushtarëve vullnetarëve dhe ushtarëve në fortifikatë.

Axha Shaban kujton se karaullat ku ishin të vendosura njëra prej tjetrës, sipas vendit-strategjisë me largësi nga 50 metra e 100 metra sipas pozitës.  Nga këto karaula dhe këta ushtarë e vullnetarë vëzhgohej  zona-territori prej Prapashticës, Hajkubilla, Tugjevci, Zajqeci, Zhuja e Gmica. Edhe në Zajqec  ishte një Ramadan që atij nuk i kujtohet mbiemri, kurse në pjesën tjetër të Kikës e Kranidell ishte Sylë Zarbinca me 400 vullnetarë.

Sipas axhës Shaban, prej Prapashticës e deri në Bujanoc ishin bërë istikame që kur të fillon lufta, armiku mos t’i shoh mbrojtësit e kufirit, e kur të afrohen ata, shqiptarët t’i sulmojnë e të jen të sigurt për të shkatërruar armikun.

Sipas axhës Shaban, natën e 26 korrikut edhe ai vetë ishte si vullnetarë me ushtarë në Kapi. Ai po ruante me dy shtarë kur kah ora 04:00, pa zbardhur mëngjesi filluan krismat në Kikë. Të gjithë u zgjuan, filluan të vinë vullnetarë, i zunë pozicionet dhe pritnin se kur do të sulmohej edhe vendi ku ishin ata.

“Një grup shokësh shkuan në Kikë për ndihmë. Luftë e ashpër zhvillohej në luftën e Kikës dhe atje shkoi djali i axhës, i cili ra në luftë e ky është Fetah Ramë Behluli (Kosumi). Në krahun tjetër të Kikës ishte Sylë Zarbinca me 400 vullnetarë dhe ushtarë. Serbo-Malazezët dhe Bullgarët në zonën e Kikës nuk patën sukses për të depërtuar në Kosovë”, kujton 100-vjeçari, Shaban Rama.

Sipas tij, armiku serbo-malazez dhe Bullgar shpresonte që nëpër Grykën e Ushit në Breznicë të hyjë në Kosovë. Forcat vullnetare që kishin bërë përgatitjet se armiku do të sulmojë në këtë grykë e pritën të armiku të organizuar. Aty u bë një luftë e ashpër. Në të dy anët kishte të vrarë e të plagosur, por armiku nuk pati sukses për të depërtuar. Axha Shaban thekson se ai nuk kishte marrë pjesë në këtë luftë.

Armiku serbo-malazez e bullgar tentoi të shfrytëzoj rastin që në Kosovë të depërtojë edhe nëpërmjet Grykës së Konçulit. Axha Shaban rrëfen se në shtator filloi muaji i Ramazanit dhe atëherë erdhi lajmi se serbët e kishin marrë Bujanocin dhe Tërrnocin. Shqiptarëve atje u shkuan në ndihmë kapiten Shefqeti me 130 vullnetarë, në luftë në Bujanoc. Axha Shaban thotë se edhe ai vet kishte qenë vullnetarë. Kur kishin arritur te mali i Tërrnocit në anën e sipërme të fshatit ishte vendosur një top. Një komandant që kishte qenë komunist kishte thënë se topi ishte prishur dhe nuk kishte fuqi për te gjuajtur gjylen në Lopardicë deri në Bujanoc. Kur i dëgjoi kapiteni Shefqet, i largoi ushtarët që ishin pranë topit i vendosi ushtarët e vet dhe kapiteni Shefqet dha urdhër që të gjuajnë me top. Gjylja e topit ra në cakun që e caktuan. Me këtë kapiteni Shefqet e  vërtetoi se komandanti kishte qenë në bashkëpunim me serbët.

“Në Tërrnoc qëndruam 6 ditë e pastaj u vendosëm në fshatin Turi , u vendosëm shumica e ushtarëve në një shtëpi dykatëshe, i vendosëm pozicionet dhe i ndërtuam istikamet. Pas disa ditësh në ora 04:00, pa zbardhur mëngjesi, rojtarët bërtitën të dalim në pozicione. Shpejt dolëm nga ndërtesa dhe prisnim se çfarë do të ndodhë. Pas disa minutash ra granata e topit në shtëpinë që e lëshuam dhe filloi ndezja e shtëpisë e ne ushtarët secili e dinim cakun e tubimit,  te Lisi i Madh në fund të fshatit Turi dhe aty u tubuam. Ishte shtator, muaji Ramazan. Misri ishte pa u korrë, nuk më kujtohet sa ditë kemi qëndruar në fshatin Turi, por forcat Gjermane erdhën nga Shkupi në Preshevë me armë të rënda, topa, minahedhës dhe i sulmuan forcat serbo-malazeze e bullgare, të cilët u larguan nga Bujanoci dhe shqiptarët e morën Bujanocin, e ne u kthyem në vendin tonë. Filluam të vëzhgojmë se mos armiku na vëzhgon në befasi”, vazhdon rrëfimin e tij, Shaban Rama, i cili ndonëse i shtyrë në moshë, kujton këtë ngjarje sikur të kishin ndodhur dje.

Atij i kujtohen edhe të vrarët e të plagosurit në këtë luftë. Sipas axhës Shaban në Turi janë plagosur dy ushtarë dhe në Tërrnoc një. Në Tërrnoc u vra një ushtarë por nuk i kujtohet emri, e të plagosur ishin tre tërrnocas.  Nga Lluqani ishte një i vrarë, dy të vrarë nga Topanica. Thonin kmeti i katundit i ka lënë katër jetimë njëri  i fejuar i ri dhe i Shipashnicës i vrarë porsa ishte martuar, i ri. Të tretë u vranë afër Bujanocit, duke kaluar rrugën, me një mitraloz i cili kishte vu cakun, kur të kalojë rrugën i kishte sulmuar dhe i vrau të tretë.

Pas luftës së Gjilanit, doli ligji për të shkuar në brigadë. Plaku Shaban Rama tregon se si erdhën në Gjilan, tek shkolla “Vuk Karaxhiq” i kontrollonin në fyt arzën dhe ata  që ishin të dobët nuk i pranonin në brigadë. Unë u rreshtova në Ferizaj, nga Prizreni vazhduam për Shqipëri e prej aty në Tivar e më pas na dërguan në Dubrovnik. Në mars filluam luftën, nëpër bregdeti shkuam deri në Trogir e aty kur arritëm mësuam se ishte bërë kapitullimi i Gjermanisë.

 

(Këtë rrëfim e tregoi Shaban Mehmet Rama  në vitin 2016 me kërkesën e profesorit të historisë Nebi Morina).

 

Shaban (Mahmut) Rama është i lindur në fshatin Tyxhec të Komunës së Kamenicës. Këtë rrëfim ai ia tregoi profesorit Nebi Morina në vitin 2016. Ndonëse ka mbushur një shekull jetë, Axha Shaban ende e ka të kthjelltë kujtesën për ngjarjet e viteve të largëta gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shaban (Mahmut) Rama jeton pranë pasardhësve të tij.

Ky rrëfim i tij u botua në gazetën online kryelajmi.com, në ndërrimin e motmoteve, më 01 janar 2020, kur protagonisti i këtij rrëfimi ka hyrë në shekullin e dytë të jetës.

 

/www.kryelajmi.com/

You Might Also Like