Gjilan

Lutfi Haziri: E përjkujtojmë me krenari veprën e madhe heroike të Agim Rashitit

Në vigjilje të 28-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit Agim Rashiti, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, ka bërë sot homazhe tek busti i tij, në vendin e rënies në oborrin e spitalit të përgjithshëm, ku të pranishëm ishin edhe familjarët e heroit dhe personeli shëndetësor, të cilët ishin pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1989.

 

“Në vigjilje të përvjetorit të madh të rënies heroike, të Agim Rashiti, ne e përkujtojmë me krenari veprën e madhe të tij, që është pasuar edhe me rënien heroike të Reshat Ymerit dhe shumë burrave e grave të Gjilanit në lëvizjet të mëdha të fundviteve të 80-ta, të cilët janë kryengritur për të luftuar padrejtësinë e kohës”, ka thënë kreu i Gjilanit Lutfi Haziri.

 

Ai tha se ky vit i madh i Idriz Seferit lidhet me emrin e çdo atdhetari dhe çdo familje të këtyre atdhetarëve.

 

“Ne po hyjmë në fazën e përkujtimit të masakrave të Gjilanit, siç është Llashtica, Zhegra, Llovca dhe vendabimet tjera, ku qytetarët e pafajshëm e kanë paguar në mënyrën më të ashpër dhe me sakrificën më të madhe sublime lirinë e Kosovës. Ky vit i madh i Idriz Seferit lidhet me emrin e çdo atdhetari dhe çdo familje të këtyre atdhetarëve dhe njerëzve të mëdhenj, të cilët për lirinë e vendit nuk kursyen as jetën”, tha Haziri

 

Në emër të familjes ka folur asambleisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Nevzat Rushiti, i ka falënderuar kryetarin Haziri dhe të gjithë pjesëmarrësit, të cilët e nderuan jetën dhe veprën e dëshmorit.

 

“I falënderoj të gjithë për respektin që po e tregojnë për veprën heroike të Agim Rashitit, për atë lëvizje të madhe të fundviteve 80-ta, e cila e vuri bazamentin e lirisë së sotme”, është shprehur Rushiti.​

You Might Also Like