Gjilan

Miratohet puna e kryetarit të Gjilanit

 

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), të premten, në mbledhjen e radhës, të cilën e ka udhëhequr Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar raportin e punës të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri për periudhën janar-shtator 2016, ku ai nënvizon të arriturat, sukseset dhe sfidat e qeverisjes së tij. “Në vitin e tretë të qeverisjes sonë të mirëfilltë dhe efektive, Gjilani është kthyer në një qytet meritor për qytetaret e vet. Mirëpo, sukseset tona të deritanishme nuk kanë qenë pa sfida dhe pa barriera. Besoj se suksesi ynë më i madh i përbashkët ka qenë tejkalimi i këtyre sfidave në favor të qytetarëve tanë”, ka thënë Haziri.

Më tutje, Haziri i ka përmendur sukseset e kësaj periudhe sipas sektorëve të qeverisjes.

Në aspektin e ofrimit të shërbimeve administrative për qytetarët, Komuna e Gjilanit vazhdon të jetë kampion i efikasitetit në Kosovë dhe shembull në rajon, përmes funksionalizimit të projektit Gjilani Smart City.‖

Në sektorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale kemi vazhduar me investime kapitale. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, së shpejti fillojmë ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në vlerë rreth 1.5 milion euro, derisa në bashkëpunim me UNICEF-in dhe organizata tjera ndërkombëtare, kemi vazhduar me ofrimin e vizitave mjekësore në shtëpi, për familjet që nuk e kanë të lehtë qasjen në shërbime.

Edhe në aspektin humanitar, kemi përfunduar 38 shtëpi për nevojtarë dhe kemi subvencionuar një numër të konsiderueshëm të nevojtarëve për barëra e përkujdesje mjekësore si dhe kemi vazhduar me përkrahje për shoqatat e ndryshme humanitare që ofrojnë përkujdesje për qytetaret me nevoja të veçanta.

Suksese kemi shënuar edhe në fushën e arsimit fillor dhe të mesëm. Para pak kohe, kemi përuruar Kampusin e Shkollave të Mesme, që është shembull për gjithë Kosovën.

Përveç infrastrukturës arsimore e shëndetësore, Gjilani ka bërë investime të vrullshme edhe në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime dhe planifikim urban. Janë proceduar planet urbane për Lagjet Zabeli 1, Qendra 4 dhe Fidanishtja 2. Ndërkohë, që janë shtruar ose janë në shtrim e sipër shumica e rrugëve nëpër pjesët rurale. Thuajse janë asfaltuar shumica e rrugëve në fshat. Në qytet kemi riparuar e shtresuar shumicën e rrugëve dhe trotuareve, ndërkohë që po vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve me katër krosi në hyrje të Gjilanit, nga lindja dhe sapo kemi përfunduar asfaltimin e rrugës Gjilan-Pogragjë, në vlerë 300,000 euro.

Falë punës serioze të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, si dhe Drejtorisë së Planifikimit, Urbanizmit dhe Mjedisit, përveç investimeve kapitale të cekura më lart, janë bërë përgatitjet e duhura dhe janë në proces të finalizimit edhe kontratat për sanimin e ndriçimit publik të qytetit, sinjalizimin vertikal e horizontal si dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Edhe për bujqit dhe fermerët, Gjilani ka dhënë dhe po jep maksimumin e përkrahjes – qoftë përmes subvencioneve vetanake, qoftë përmes bashkëpunimeve të shumta me organizata ndërkombëtare dhe me qeverinë e Kosovës – duke iu dhuruar pajisje e makineri bujqësore.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, ky nëntëmujor shënon një ngritje të konsiderueshme në regjistrimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të punës në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Deri më tani janë regjistruar më se 400 biznese të reja dhe janë ofruar mbi 660 vende pune.

Në aspekt, përmes bashkëpunimit me KfË (Bankes Gjermane), Ministrisë së Financave, Komuna e Gjilanit ka përfituar edhe mbi 1 milion euro nga projekti i efiçiences së energjisë. Përveç këtij projekti, Komuna jonë ka përfituar edhe nga programi BE-EURED për zhvillimin e agrobiznesit, si dhe nga projekti BE-se për bashkëpunim ndërkufitari. Tani jemi në fazën përfundimtare të procedimit të Programit Soft-Loan me Qeverinë Austriake për ndërtimin e shtratit të Lumit Mirusha dhe Stanishorka.

Gjatë këtij nëntëmujori, ne kemi arritur të rrisim edhe inkasimin e tatimit në pronë, që ka shënuar rritje prej 26 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë te vitit paraprak. Mirëpo, kjo rritje e efikasitet të punës, është përcjellë edhe me faljen e borxheve të vjetra.

Në prokurim publik, kemi realizuar 72 aktivitete, pjesa dërmuese në investime kapitale. Në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës, kemi vënë mbi 1.7 milion euro në rrugët e qytetit dhe rreth 2 milion euro në asfaltimin e rrugëve nëpër fshatra.

Gjilani ka shënuar suksese edhe në sferën e kulturës, rinisë dhe sportit. Ne kemi qenë nikoqir të Panairit të Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olipmik të Kosovës dhe kemi vazhduar me subvencionim të klubeve dhe aktiviteteve sportive si dhe kemi realizuar me sukses edhe manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, duke e kthyer Gjilanin në një kryeqendër të kulturës dhe artit kombëtar. Po ashtu, për rininë kemi promovuar objektin e Qendrës Rinore.

Për shkak të pozitës gjeografike dhe lidhjeve natyrale e familjare me shqiptarët ne Luginën e Preshevës, në Gjilan funksionon Zyra për Preshevë, Bujanoc Medvegjë. Kjo zyrë po vazhdon të kryej misionin e vet dhe të ofrojë shërbimet e veta për qytetarët e Luginës që jetojnë në Komunën tone, duke ju ndihmuar edhe në pajisjen me dokumente personale.

Ne vazhdojmë të jemi lider edhe në aspektin e bashkëpunimit me organizata dhe investitorë të huaj, duke qenë partner dhe nikoqir i shumë projekteve investuese dhe granteve përkrahëse nga USAID, BE, KfË, UNDP, si dhe ambasadat e qeveritë e vendeve mike, si Austria, SHBA, Gjermania, Turqia, Zvicra, etj.

Falë solidaritetit dhe përkrahjes edhe të mërgimtarëve tanë, Gjilani po vazhdon të tërheq edhe investitorë, që po vijnë për të parë mundësitë e investimeve dhe kushtet e të bërit biznes në komunën tonë, ka thënë Haziri

KPF ka miratuar edhe raportin financiar janar-shtator 2016, kërkesën për rishqyrtimin e dy vendimeve, sipas sugjerimeve të MAPL – vendimi  për qasjen e hartimit të Planit Rregullues të Hollësishëm “Qendra 1” dhe vendimin për hartimin e  Planit Zhvillimor Komunal, pastaj propozim-vendimi për miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm “Fidanishte 2”, raportin mbi dezinsektimin hapësinor dhe  dezinfektimin e shkollave fillore, të mesme, çerdheve dhe institucioneve arsimore dhe të gjitha këto i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.

Sa u përket planeve rregulluese, Valon Shefkiu, drejtor për Urbanizëm, ka sqaruar se vërejtja e vetëm nga MAPL-ja është te emërimi “revidim i planit”, ndërsa sipas ligjit duhet të jetë “hartim i panit”.

Bujar Nevzati (PDK) ka përsëritur kërkesat e tij për të marrë përgjigje në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal për disa punësime në shërbimin civil, për pezullimin e një numri të zyrtarëve komunalë nën akuzë dhe të tjera, Nevzad Isufi (VV) ka kërkuar kontrolle   më të madhe të cilësisë së punimeve në rrugën me katër krosi, ndërkaq Ismet Hajdini (AKR) e ka ngritur çështjen e mungesës së një hapësire të re për varrezat e qytetit.

Arben Maliqi (LDK) ka thënë se duhet të vazhdohet nisma për tërheqjen e shkollës së Agrobiznesit në kompleksin e shkollave të mesme, meqë lokacioni jashtë qytetit, ku ndodhet tani kjo shkollë, nuk po i tërheq nxënësit dhe si pasojë e kësaj, numri i tyre ka rënë dukshëm viteve të fundit, duke rrezikuar edhe mbylljen e këtij drejtimi.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal ka thënë se në të gjitha këto pyetje do të jap përgjigje kryetari i Komunës, në seancën e radhës.

You Might Also Like