Teatër

Një jetë kushtuar teatrit

 Jashar Shahiqi, doajen i Tetarit të Gjilanit deri më tashti është paraqitur në mbi 100 role, për të arritur kulmin e karrierës me shfaqjen “Darka e Fundit” të Teki Dervishit, me regji të Agim Selimit, e cila ishte shpallur shfaqje e dekadës në mbarë trojet shqiptare e ku aktori gjilanas pati rolin kryesor.

Atë e ka tradhtuar shëndeti, pikërisht në kohën kur kishte mbërritur kulmin e karrierës dhe po jepte rolet e tija më të mira ne tempullin e Talias, por edhe tashti, Jashar Shahiqi ka shpirt artisti. Karriera e tij njeh mbi 100 role në teatër, në seriale televizive, skeçe humoristike e prezantime të shumta artistike.

Edhe tashti, Jashar Shahiqi nuk është ndarë tërësisht nga teatri, ai vazhdon që bagazhin e madh artistik t’a shkrijë për t’u ndihmuar gjeneratave të reja, qoftë në regjisurë, apo edhe duke i këshilluar artistët e rinj.

Muharrem Shahiqi, doajen i aktrimit në Kosovë dhe Sabedin Shhiqi, që të dy djem të xhaxhait, kishin qenë inspirim për Jashar Shahiqin që edhe ai të dashurohet më skenën dhe qysh si tetëmbëdhjetëvjeçar, në vitin 1972 ishte paraqitur në shfaqjen e tij të parë të autorit Sylejman Pitarka, “Ditari i peshkatarit” me regji të Nuhi Matoshit, ku ishte paraqitur në rolin e Vehibit.

Kjo ia ngjalli edhe më shumë dëshirën për t’u bërë aktor, andaj vazhdoi shkollimin e mëtejmë, për t’u kthyer sërish në Teatrin e Gjilanit, ku bëri emër si artist i njohur. Një kohë udhëheqës kulturor në “Integj” e më pas edhe drejtor në Teatrin e Gjilanit, Jashar Shahiqi më shumë se karrigen e drejtorit e deshi aktrimin dhe sërish i është kthyer skenës, për të mbërritur kulmin prej artisti në shfaqjen “Darka e Fundit” të Teki Dervishit, me regji të Agim Selimit, e cila ishte shpallur shfaqje e dekadës në mbarë trojet shqiptare e ku aktori gjilanas pati rolin kryesor.

Shfaqja e tij e fundit ku ai ishte paraqitur në skenë mbeti “Kënga e aktorit”, më 2010, këngë e cila nuk u ndal në gjysmë, ngase megjithëse artisti pati probleme shëndetësore, edhe tashti, Jashar Shahiqi, vazhdon të jetë i rregullt në shfaqjet që jepen në Teatrin e Gjilanit e bile në shfaqjen e fundit “Mbledhje në Parlament” ishte edhe asistent regjie, shfaqje kjo shumë e pëlqyer, që përjetoi dhjeta repriza dhe që edhe tashti është në repertor, me gjithë problemet që lindën në Tetarin e Gjilanit në këtë fillimverë.

“Më vjen keq e më dhemb shpirti kur e shoh se me çfarë probleme po përballen aktorët. Ato problemi nuk i përkasin aktorit, i e cili duhet të jetë me tërë qenien e tij të jetë i përkushtuar me rolin që e luan”, thotë Jashar Shahiqi, që më shumë se gjithçka i dhemb se tashti po shkon sezona e nuk po reprizohen shfaqjet nga shkaku se aktorët e Teatrit të Gjilanit po përballen probleme të natyrës financiare. E Jashar Shahiqi, thekson se dikur ishte krejt ndryshe, bile as në kohën e okupimit nuk janë përballë me problemet me të cilët sot ballafaqohet artisti e punonjësi teatrot.

“Në teatrot tona e sidomos në Teatrin e Gjilanit ka cilësi, ka një gjeneratë të shkëlqyeshme të artistëve, por këtë njerëz vetëm duhet të përkrahen”, thotë Jashar Shahiqi, doajen i aktrimit, që edhe tashti nuk i ndahet kulturës, duke e ndarë përvojën e tij me të tjerët, por edhe me anëtarë të tjerë të familjes, të mbushur me artistë e traditën me dekada po e vazhdon i biri i tij Albani, gjithashtu aktor i Tetarit të Gjilanit.

You Might Also Like