Libri

POEZIA ËSHTË QËLLIMI YNË ANTROPOLOGJIK

Halil MATOSHI
POEZIA ËSHTË QËLLIMI YNË ANTROPOLOGJIK
(Ose poezia e Beqir Musliut si Zeigen heideggerian)
Monumentalen në poezinë “Vdekja e poetit” ( “Bukuria e zezë”,, Rilindja,
1980. Fq. 33.) autori Beqir Musliu e ka krijue pas vdekjes së poetit (akëcilit poet), si tip psiko-social, në një mërzi të thellë, e cila sipas Giacomo Leopardit që e citon Giorgio Agamben (“Çelnaja”), është “dëshira për lumtuni, e lanun, në njëfarë mënyre, në gjendje të kullueme” sepse poeti është aty, tue-bamja [tuebamësia] e tij është fërkèm (gjurmë), kujtesë (jo thjesht si akt dhe aktim i shfaqur, por ashtu qysh i kujtohet), … me e kuptue atë verë të lules dhe Vdekjen e Poetit), si drita e vetimës, pra ngjarje, si personazh konceptual, monument; dhe kjo është një lumturi së cilës i është eliminuar llumi, pra me e kujtue jo vdekjen por veren e lules është lumturi e kulluar…
Poezia e Beqir Musliut është shfaqje – ngjarje siç ishte edhe vet autori i saj (Zeigen) e cila shënjon veprën e mbyllur, përfundimtare dhe të nemitur (e pagojë!?) sepse është sakrale…!?
Të mbash vesh dhe të dëgjosh me orë të tëra të gjithë zërat në natyrë, të vëzhgosh me ditë të tëra sendet e pagoja, rrjedhën e prronit, piklat e shiut, të vështrosh yjet yjet dhe të dëgjosh shkëputjet e tyre nga qielli, të përpiqesh t’u japësh gjuhë gjërave (objekteve) e fenomeneve që për nga natyra janë të nemituna, ja kjo është ajo punë që e ka bërë një jetë njeriu Musliu.
Gjërat e nemitura janë të mundshme (Deleuze&Guattari) dhe bëhen të nimete (‘të njëmendëta’; që e përfshijnë zeigen-in heideggerian, që dmth jo me tregue por me e thanë qenësoren) e kjo ndodh vetëm gjatë zbulesës beqiriane, në art.
Sipas Deleuzes&Guattarit pasoja e natyrshme e këtij përshkrimi asht se arti jo vetëm që nuk asht shprehje e njerëzores, por madje s’ka të bajë fare me njerëzoren, asht gjaja ma e huej ndaj njerëzores. Alain Badiouja tue folë në seminar për librin e Deleuzes&Guattarit spikat se krijimi nga njeriu i jonjerëzores çmosnjerëzores] nëpërmjet artit përban shenjën e qartë të epërsisë së artit, në raport me krijimtaritë tjera (Alain Badiou).
Këta dy autorë mbrojnë qëndrimin se arti ruen, madje në botë arti asht e vetmja gja që ruhet. (Deleuze&Guattari, po aty, fq. 203;) “Ai ruan dhe ruhet në vetvete (quid juris), edhe pse nuk jeton ma gjatë se suportet dhe materialet e veta (quid facti), gur, telajo, ngjyrë kimike etj.)
Sipas tyne, ajo çka ruhet, sendi ose vepra e artit, asht një bllok ndijimesh, domethanë një kompozim perceptesh dhe afektesh.
Gianni Vattimo tue iu referue Heideggerit “ajo që mbetet e krijojnë poetët” sipas Holderlinit, thotë, “ajo që mbetet e krijojnë poetët: jo gjithaq si ajo që stërzgjatet në kohë (“ruhet”), jo ajo që ruen dhe ruhet sipas Deleuzes&Guattarit, por mbetet, si “ajo që mbetet”: gjurmë, kujtesë, monument.
Vattimo kur flet për krijimin (ardhjen, në kuptimin e ardhjes së bukës) e fjalës poetike mendon se me operacionin poetik mëtohet të mbërrihet ajo gjyserrësina, Lichtung, nocion heideggerian që lidh zdritjen me terratisjen, në të cilën e vërteta shfaqet jo ma në formë të qartësisë metafizike, e cila me veprimin eroziv që koha ushtron mbi veprën, atë e shndërron në monument (Vattimo.)
Për Norman O. Brown-in, krijimi i monumenteve madhështore si piramidat dhe rrokaqiejt tregojnë se sa asht edhe veprimtaria “ekonomike” po ashtu ikje nga vdekja. Monumentalen në poezinë “Nana i bani rangët e shpisë e ra me fjetë” e kam krijue pas vdekjes së nanës si tip psiko-social, në një mërzi të thellë, e cila sipas Giacomo Leopardit që e citon Giorgio Agamben, asht “dëshira për lumtuni, e lanun, në njëfarë mënyre, në gjendje të kullueme” sepse nana asht aty, tu-bamja çtuebamësia] e saj asht fërkem (gjurmë), kujtesë (jo thjesht si akt dhe aktim i shfaqun, por ashtu qysh më kujtohet, e shpejtë si drugëz, si drita e vetimës, pra ngjarje, si personazh konceptual, monument; dhe kjo asht një lumtuni së cilës i asht eliminue llumi, lumtuni e kullueme.
Alain Badiou për konceptin e Deleuzes&Guattarit mbi artin shkruen se këta dy autorë artin e cilësojnë si krijimtari monumentesh. “Çdo vepër arti asht një monument”, thonë ata. Sipas Badiou-së një pozicion i tillë sjell më veti një varg të tanë metaforik, i cili shërben për me e shprehë idenë se arti ka të bajë me visoret dhe me personazhet (dmth percepte dhe afekte.) Por sipas tij, metafora e vërtetë dhe ma e përgjithshme ka me qenë ajo e monumentit.
“Bukuria e zezë” e Beqir Musliut: Vetëdije e re estetike
I lindur në Gjilan, Musliu është një udhëtar që një jetë njeriu kthehet prapa për të qajtur fatkobin e qenies dhe kolektivitetit të tij, që na shfaqet si imazh i Majes së Zezë, që vuajtjen e ka të përsosur, madje si emblemë e mësymjeve jo vetëm të idealit estetik por përsosmërisë antropologjike (përsosjes së njeriut në-botë), që ka me i plakë shekujt, i bukur dhe i plotë.
Poezia nuk është art….por qëllimi ynë antropologjik!” – shkruante Josif Brodski. “Poezia nuk është art, madje nuk është as degëzim i artit. Ajo është diçka më tepër. Nëse fjala është ajo që na dallon nga speciet e tjera, atëherë poezia – ose veprimi gjuhësor më i arrirë – është qëllim antropologjik. Kushdo që e konsideron poezinë vetëm në qerthullin e e kënaqësisë së zakonshme të të lexuarit, kryen një krim antropologjik, dhe pikë së pari kundër vetes së vet”(Josif Brodskij. “Conversazioni”. A cura di Cynthia L. Haven. Adelphi. 2015.)
Madhështia e kësaj poezie, është Maja e Zezë, si ideal estetik dhe dhe si monument fizik – kontrapunkti ose masa (etaloni) tjetër i të maturit të së bukurës, duke arritur deri në fund të së bukures së asaj Maje: Ambëlsia e mbijetesës së një kohe tragjike dhe dalja në breg – në lirinë e një toke stërgjyshërish…
Ka ndonëse kritikë që Musliun – krijuesin e figurës së bukurisë së zezë – të cilën për nga funksioni poetik e krahasojnë me “Lulet e së keqes – (ligësisë)” të Charles Baudelaire.
Ndër ta është Sabri Hamiti, për të cilin, imagjinimet e Musliut shkojnë në thellësinë e kohës së kujtesës dhe në paskajësitë e hapësirës, sepse ai e strukturon të shkuaren në sfondin emotiv të së sotmes.
Tek poezia e Musliut, lexuesi zbulon të bukuren siperane, të kulluar nga teprimet, ndajshtesat e epitetet, në fund të një shpirti të trazuar (që kohës si kategori filozofike ia ndajshton dimensionin estetik) që kapërcen koridorin kohor dhe me të bëmat nga e shkuara na jep emocione të forta sot e këtu, që në rarfshin estetik – siç lamentonte vet poeti – në preludiumin e librit “Bukuria e zezë, se çdo bukuri e ka edhe të zezën e vet – pra kobin, që në fund ia ha kryet krijuesit të saj!
Krijuesi i cili një jetë njeriurropatet të ngjitet në përmbi Gllamë!
Aty është topika që e mba në këmbë strukturën poetike të Musliut.
Pastërtia dhe e bukura e këtyre vargjeve, shpalos para lexuesit tërë
tragjikën dhe klithmen e njerëzve gjatë qeniesimit të tyre nëpër mileniume, sa që të duket se ti sapo dëgjon klithmat e shqiptarit të munduar e të poshtëruar – të zënë peng në darët e kohë-hapësirës – vetëm pse ka mësyrë atë Majë artistike dhe antropologjike!?
Vëllimi poetik “Orfeiana” i këndon jetës së shkruar keqas, për qenien kolektive të autorit, për ne, për mua dhe ty, për secilen qenie të shkelur e të munduar përgajtë Golgothës së udhëtimit drejt Majës – drejt seciles Majë dhe kudo në rruzullim – sepse klithma e poetit, po aq sa verbi i tij, shtë klithmë universalë, si një “Shoah” e hebrejve, apo ni vajmedet i shqiptarëve!
Maja e Zezë e shquan jo vetëm të bardhën, por të purpurtën që është rroba më e bukur e poezisë së Musliut, ku ai e dëshiron prehjen pas vdekjes, sikur që, pati thënë ikona e filmit meksikanoamerikani Anthony Quinn, fitues i dy Oscarëve, piktor dhe shkrimtar, para se të vdiste më 2001, se dëshironte që trupi i tij të ngjitej në Pico de Orizaba – Citlaltépetl ose në “Majën e bardhë”, që aty të tretej ngadalë i rreshkur në diellin e atdheut, i rrahur nga erërat dhe shirat, i ngrënë nga shpendët.
* * *
Nga Maja që shikohen të gjitha gjërat mes vete
Zbriti një i verbër dhe qau për një lule Tha
Orvatuni o të munduar të arrini atë lartësi
(Musliu, Beqir, “Orfeiana”, “Faik Konica”, 2004; (“Maja e Zezë”, Fq. 256)
Poezia si lëvizje pa luajtur vendit, pavdekësi e njeriut
Mësymja e Majes prej ku arti sheh botën e gjërave – ndërsa njeriu është qenie e verbër që tashmë e di se për çfarë duhet përpjekur për të gjallë – thjeshtë për ta arritur atë lartësi arti: Majen e poezisë, për ta shpreh botën njerëzore (antroposin) si majë e qeniesimit në-botë e jo vetëm të bukurën (estetikën e Majës.)
Klithma e Musliut përmbi fatkobin historik të qenies së tij individuale dhe artistike (njeriun Musliu e koncepton si artist) të shfaqet si një ciklon emotiv, që ik sëbashku me poetin nga ky realitet i shpifur tokësor.
Mund t’i kisha thënë poetit tek pinim kafe te “Elida”: „Beqë, këtë nuk e ke shkruar ti, por dora e Zotit!”)Musliu në heshtjen e të shkuares e gjen një këngë, për më tepër një mallkim i cili, nuk i shqitet racës njerëzore si Fatumi Nietzschean i rikthimit të përhershëm të së njëjtes, e që dhemb kumbueshëm siç bie këmbana në një kishë, në një vend pa besimtar…
E që lind heshtjen, të bukur e të paçortueshme të njeriut të munduar…
Heshtja nuk thuhet me fjalë sepse s’ka fjalë!!!
Gjeneza e poetikës së Musliut manifestohet në planin gramatikor dhe semantik.
Për postmodernën është karakteristike loja me këndvështrimet, përdorimi i distancës ironike, e ndonjëherë relativizimi dhe zhvlefëtsimi i së kaluemes nga autori.
Duhet thanë në fund se ky poet e rikthen të shkuaren jo për ta çortuar e për të nxjerr mësim nga ajo, porse për ta parë e medituar rreth mallkimit, që akullt na rri përballë, i ballsamosun, e na flet, që të mos lejojë kurrë më tjetrin që ta cenojë të sotmen, që qysh tani është e shkuara!!!
E shkuara na duhet jo për të na mësuar hakmarrjen – që kalon nepër damarët e gjakut – por për një hakmarrje estetike!
Nëse për bashkëkohanikun e tij dhe kritikun Ibrahim Rugova (më vonë lider i shqiptarëve kosovarë në luftën e tyre për liri) refuzimi duhej të ishte estetik, për Beqir Musliun ky ideal poetik ishte hakmarrja estetike.
Dua të them se Musliu atyre që deshën t’ia vjedhin purpurin majës së Gllamës ua ka nxjerr hakun përmes estetikës së tij, duke ua dhuruar ‘statujen’ e të gjitha mallkimeve njerëzore, që janë edhe të tyre – pra universal – përgjatë historisë, kohën e mishërueme (trupëzueme) në artin poetik!
Poezia “Maja e Zezë” (vendos lidhjen si ashti me mishin mes vepres së Musliut “Bukuria e zezë” dhe “Orfeiana” dhe është vendosë në kohë të kondensume, (veprimi kryhet prej të menduemit deri tek te bamunit art, pra vdekja mungon) dhe në një hapësirë metafizike të paanë, ajo ‘skulpturohet’ në atë mënyrë sa që kufiri i marrëdhanies me poetin zhduket; Autori, si pamës dhe në-bamje [në-të-bamë] e kundron artin e tu-bamësisë të poetit (orvatja me e mbrri Majen) e jo vet aktin e mbërritjes, si përvojë dhe kujtesë – kështu lind poezia dhe autori e bën atë shkëputjen brilante nga jeta në vepër arti dhe tashmë i ngjan secilit shenjtor – si personazh konceptual –
tue u ba “poet në të bamë e sipër, pra ngjarje pafundësisht e shkume” e cila si percept e bën jetën e vet si një visore para njeriut, në mungesë të njeriut – në ndër-kohë (Deleuze&Guattari), që rri në kambë, vetvetiu mes dy çasteve: orvatjes me arritëMajen dhe qetimit, ose lëvizjes së ndalun.
Për me iu përgjegjë pyetjes se si mund të bash një çast të botës jetëgjatë ose ta bash atë çast të ekzistojë në vetvete, Deleuzeja&Guattari citojnë Virginia Woolfin, e cila jep një përgjegje që vlen për muzikën dhe pikturën, po aq sa për shkrimin: “Të ngihet çdo atom”, “Të eliminohet çdo llum, vdekje dhe kotësi.” Deleuze&Guattari.)Deleuzeja & Guattari për monumentalen e marrin shembullin e Claude Simonit që përshkruen dashuninë e naltë pasive të grues-tokë, ai skulpturon një afekt deltine prej ku mundet me u shprehë: “âsht nana jème”.
Badiou kësaj qasjeje i ban dy vërejtje. E para, sipas tij, filozofia i referohet skulpturës Deleuze&Guattari ) si art sipëror dhe e dyta, asht mësymja e filozofisë nga arti, sepse arti asht “bllok perceptesh dhe afektesh”, ose “bllok ndijimesh”, prej ku buron edhe funksioni paradigmatik që i njihet skulpturës.
Këta dy autorë këtë cilësi ia atribuojnë skulpturës.
Tek poezia “Vdekja e Poetit” (me a të madhe, sepse konsideroj s e Poeti në këtë rast është bashkëkohaniku e bashkëqytetari i Musliut, Rexhep Elmazi (1938 – 1978) poeti flet – me mospraninë!
Ai është qenie-në-botë, [meqenësi] kurse poezia e krijuar me fuqi njerëzore është monument, pra jonjerëzore.
Por monumenti flet…
Në këtë kërkim pa fund, Tomas Man-i ka sjellë ndihmesën e vet shumë të rëndësishme: “Ne mendojmë se veprojmë, ne mendojmë se mendojmë, por është një tjetër, ose të tjerë, që mendojnë dhe veprojnë brenda nesh: zakonet e paharrueshme, arketipet që duke u bërë mite kalojnë nga njëra brezni në tjetrën, zotërojnë një forcë të madhe ngashënjyese dhe na teledrejtojnë (kështu thoshte Mani) që prej “pusit të së shkuarës” – shkruan Milan Kundera.
Era që fryn dhe bari që rritet pas shiut, gjithashtu flasin – por gjuha asht e vorfun për me shenjëzue atë që thonë. Lulekuqet (Emërtesa biblike e poetit për florën), gjethet, drujtë, gurët dhe ajri si “qenie të arratisjes” deleuzeiane – dhe posaçërisht ajri, flasin.
Deleuzeja&Guattari tue e marrë si shembull Marcel Proust-in, i cili, me çdo gja të fundme, formon një qenie ndijimi që nuk pushon me qenë, por tue u arratisë nëpër planin e kompozimit të Qenies.
Autorët në shembullin XIII, shkrujnë se muzika ndoshta mishëron më tepër fuqi sesa artet tjera. “Por, kompozitat e ndijimeve, blloqet tingullore, janë po aq parete ose forma kundrimi që për secilin rast duhet të puthiten për të siguruar njëfarë mbylljeje. Rastet ma të thjeshta janë ai i aries melodike që asht një refren monofonik, motivi që asht tashmë polifonik, element i një melodie që ndërhyn në zhvillimin e një melodie tjetër tue realizu kontrapunktin, tema si objekt modifikimi harmonik përmes linjave melodike.” (Deleuze&Guattari.)
A nuk janë qenie ndijimi tue u arratisë, pra arie, ajri që këndon i autorit të këtij shkrimi dhe ora që ec pa pra, pa ndërrue vend e Mjedës?
“Qëllimi i poezisë është përvojë, në thelb e pathënshme: e bukura vepron me diçka që ëdhtë e pathënshme, e papërshkrushme, e parrëfyshme… Por nëse dusm të bëjmë të njëjtin veprim me ndihmën e gjërave të thënshme, përmes gjuhës apo nëse ndijmë se përdorimi i gjuhës prodhon të njëjtën gja, do të thot se tashti gjuha përdoret për atë që të krijojë të nemiturën, që gjuha shpreh nemitjen.” (Zigmund Freud.)
Poezia është pra ringjallje, (reinkarnacion), besim dhe fe e be – se jemi – se kemi, pra është kamje, adresë pra shtëpi.
Poezia, ç’ është pra kjo, pos besim, kujtesë, bërje, lëvizje pa luajtur
vendit, pavdekësi e njeriut, pra qëllim ynë antropologjik

You Might Also Like