Futboll

Policia: “Intelektualët” e “Skifterët” t’u përmbahen rregullave

Derbi lokal në mes Dritës e Gjilanit, ndeshje e cila do të zhvillohet të shtunën duke filluar nga ora 17:00, ka zgjuar kërshërinë e shumë dashamirëve të futbollit jo vetëm në Gjilan por edhe më gjerë.

 

Ky derbi ka një peshë të veçantë në renditjen tabelare, por tifozët e dy klubeve “Intelektualët” dhe “Skifterët”, nuk do të kenë mundësi t’i përcjellin skuadrat e zemrës së tyre nga shkallët e stadiumit.

 

Një kënaqësi të tillë shumë dashamirëve të futbollit ja ka pamundësuar pandemia e pa dukshme COVID-19, e cila në gjithë rruzullin tokësor e ka bërë jetën të kufizuar.

 

Shërbimi Policor i Kosovës nga Rajoni i Gjilanit, ka një porosi të veçantë për tifozët “Intelektualët” e “Skifterët”, dhe shumë dashamir të futbollit në ndeshjen Drita-Gjilani.

“Jemi në një situatë jo të volitshme me rastin e pandemisë COVID-19,  për derbin i cili do të zhvillohet të shtunën në mes Dritës e Gjilanit jemi të vetëdijshëm se ka një interesim të veçantë nga shumë dashamirë të futbollit. Ne si institucion kemi marrë vendim për të gjithë tifozët që ja mësyn stadiumit do të rikthehen mbrapa, nuk do të ketë asnjë tifoz rreth stadiumit ose në objektin e shkollës së muzikës, nuk do të ketë defilim të tifozëve rrugëve të Gjilanit pasi që jemi në një situatë pandemike, e gjithë kjo ndërrmirret duke i respektuar rregullat e Institutit të Shëndetësisë së Kosovës dhe duhet na kuptuar se ne asgjë nuk kemi me tifozët por vetëm qëllim preventivë për të mirën e tyre e të qytetarëve, ndërsa pjesëtarët tanë të policisë do ta kryejnë punën e tyre konform me ligjin”, ka bërë të ditur zëdhënësi Rajonal i Policisë së Gjilanit, toger Ismet Hashani.

 

 

Gjatë historikut të derbit në mes dy rivalëve të qytetit kjo është hera e dytë që zhvillohet pa praninë e shikuesve, një gjë e tillë kishte ndodhur  me 22  prill të vitit 2012, në këtë përballje kishte fituar Gjilani me rezultat 2-1.

You Might Also Like