ARSIMI

Rektori Bajram Kosumi uron për fillimin e vitit të ri akademik 2020/2021

Studentë të dashur, profesorë, asistentë dhe zyrtarë tjerë të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, uroj të keni një fillim të mbarë të procesit mësimor fillimit në vitin akademik 2020/2021.

Ky 1 Tetor na gjen në një situatë ndryshe, si pasojë e pandemisë Covid-19.

Semestri i kaluar është dëshmia më e fortë se si procesi mësimor në UKZ ka përfunduar në mënyrë të shkëlqyer në sistemin onlajn. Prezenca e studentëve nëpër orë ka qenë maksimale, interaktiviteti pothuajse më i madh se në klasë.

E theksojmë këtë fakt për t’u bindur që edhe ky vit akademik, sado në kushte pandemie, do të fillojë dhe do të përfundojë me sukses.

Studentët dhe i gjithë stafi i UKZ-së me përkushtim të plotë do të zhvillojnë procesin mësimor në mënyrë të kombinuar, onlajn dhe nëpër klasa, duke i respektuar vendimet e MASh-it dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore-IKShPK-së.

Sot nuk i kemi këtu studentët e vitit të parë. Ata do të fillojnë pas një muaji. Ne i mirëpresim ata.

Të dashur studentë, në momentin kur keni vendosur të studioni në këtë Universitet, duhet të jeni të bindur se keni bërë zgjedhjen e duhur. Me sukseset që do të arrini gjatë studimeve, do të përgatiteni profesionalisht që të jeni të aftë t’i përballoni të gjitha sfidat e jetës në të ardhmen. Konkurrenca në këtë universitete është globale, ju nuk do t’u konkurroni vetëm studentëve të Universiteteve të Kosovës, por do t’i konkurroni miliona studentëve në tregun evropian.

Të gjithë studentëve u dëshiroj shumë suksese në studime dhe në shëndetin e tyre e të familjeve të tyre.

Suksesi i juaj, studentë të dashur, është krenaria jonë. Një edukim i mirë i hap dyert kudo në botë.

Ju ftoj të gjithëve që të kujdeseni për shëndetin tuaj dhe të familjeve tuaja, të gjithë të kontribuojmë në ngritjen e cilësisë së mësimit e të hulumtimit dhe në ngritjen e Universitetit “Kadri Zeka.”

You Might Also Like