ARSIMI

Rinia studentore reagon ndaj zhvillimeve të fundit në Univerzitetin “Kadri Zeka”

Ja reagimi i plotë i Rinisë  Studentore:
Ne, Rinia Studentore – Kadri Zeka si Organizatë Studentore përmes kësaj shkrese po i paraqesim disa prej shumë ankesave të studentëve të UKZ-së dhe jo vetëm lidhur me ndodhitë e fundit në Universitet e që janë larg çdo niveli të një Inistitucioni të arsimit të lartë.
1. Fillimi i vitit të ri akademik:
Vendimi për zhvillimin e ligjeratave ende pa përfunduar konkursi për pranimin e studentëve nuk është aspak i drejtë dhe si i tillë penalizon studentët e ardhshëm pa fajin e tyre dhe në periudhën më të rëndë për ta, pra në fillim të studimeve.
Zëvendësimi i tyre nuk është përmendur në asnjë dokument e as nuk është trajtuar për më tepër kjo do e komplikonte edhe më shumë procesin mësimor që tashmë është në pikën më kritike prej kur Universiteti “Kadri Zeka” është themeluar.
2. Studimet Master:
Konkursi për pranimin e studentëve në nivelin Master është hapur akoma pa përfunduar afati i shtatorit që i bie se studentët të cilët do diplomojnë në afatin e shtatorit (afat I rregullt sipas statutit të UKZ-së) të mos jenë pjesë e kandidatëve për studimet master. Nëse shohim praktikat e kaluara, Universiteti ynë dhe shumica absolute e Universiteteve publike e private në Republikën e Kosovës jo që nuk e kanë hapur konkursin para përfundimit të afatit të shtatorit por ka patur raste kur studimet master mezi kanë filluar në muajin Dhjetor!
Këtë vit përkundër faktit që po përballemi me pandeminë COVID-19 dhe pothuajse çdo gjë ka filluar me vonesë, UKZ-ja merr primatin duke dhënë shembull jo të mirë, ku studentët realisht janë përjashtuar nga e drejta për studime master për arsyet të cilat vetëm Menaxhmenti i UKZ-së mund t’i dij.
3. Neglizhenca, Keqmenaxhimi: Studentëve të Masterit në E-Qeverisje po i’u kërkohet të paguajnë edhe një semestër shtesë për faj të vetë Universitetit i cili nuk ka publikuar me kohë rregulloren për studimet Master, gjë e cila ka bërë që studentët e kësaj gjeneratë të diplomojnë një vit me vonesë si rrjedhojë e procedurave të ndryshme administrative të cilat nuk janë përfunduar me kohë në mungesë të rregullores e që kjo natyrisht nuk është aspak përgjegjësi e studentëve, madje këtë çështje e kemi trajtuar njëherë nëpërmjet organeve tona të përfaqësimit.
Kërkojmë nga menaxhmenti që të gjithë studentët e kësaj gjenerate të lirohen nga pagesa e semestrit dhe të iu mundësohet diplomimi pa patur nevojë të paguajnë atë.
4. Renovimi
Renovimi i objektit (sallave të ligjeratave) përshëndetet dhe është parë si i nevojshëm mirëpo ky projekt është vonuar shumë dhe ndodhi në kohën më të pa përshtatshme pra gjatë afatit të provimeve ku ka shkaktuar rrëmujë dhe shtyrje të shumta të provimeve për shkak të mungesës së sallave, studentët shpesh kanë udhëtuar nga fshatra e vendbanime tjera të largëta dhe janë kthyer në shtëpi pas orë të gjata pritjeje nëpër koridore (shumë të vogël në numër janë ata profesor që janë treguar të përgjegjshëm dhe kanë informuar studentët me kohë)
Renovimet është dashur të kryhen gjatë muajve Korrik dhe Gusht, si periudhë kjo kur thuajse i tërë Universiteti është në pushim dhe jo gjatë shtatorit si afat provimesh, për të mos munguar kjo, studentët u përballën me mungesë të theksuar të përgjegjësisë nga stafi akademik dhe kjo me të drejtë ka shkaktuar irritime tek ta.
5. Kushtet sanitare
Përkundër renovimeve, sistemi i ngrohjes brenda Kampusit Universitar nuk funksionon dhe shumica e studentëve të cilët ligjeratat i mbajnë në orët e hershme të mëngjesit ankohen se sallat në të cilat mbahen ligjeratat nuk I plotësojnë kushtet elementare për mbarëvajtjen e ligjeratave, perpos katit të dytë të aneksit A, aty ku ndodhen zyret e menaxhmentit dhe kjo sinqerisht është për keqardhje!
Tualetet janë poashtu të pa përfunduara, aneksi B ka tualete funksionale (nëse mund të quhen ) vetëm në katin përdhesë ndërsa katet sipër janë jashtë përdorimit.
6. Bursat Universitare
Në konsultim të ngushtë me bursistët dhe ne bazë të mundësive financiare që ka UKZ-ja, propozimi ynë është që Bursa Universitare të jetë:
Vlera monetare 700€
Kriteret:
FSHK dhe M.Arsimore
Nota mesatare: 8.5
F.Edukimit, F.Juridik dhe F.Ekonomik
Nota mesatare: 9.0
Gjithashtu propozojmë që me një vendim të vecantë UKZ të stimuloj studentët njësoj si vitin e kaluar (kjo pasi ka fonde të mjaftueshme) me këto kritere:
FSHK dhe M.Arsimore
8.0-8.5
F.Edukimit, F.Juridik dhe F.Ekonomik
8.5-9.0
Vlera e bursës të caktohet varësisht nga mundësitë financiare!
7. Tjera
Krejt në fund pa hyrë në detaje edhe të disa problemeve tjera evidente, po ndalemi edhe tek konkursi për angazhimin e stafit akademik. UKZ-ja pothuajse çdo vit apo afat i ndërron kriteret për pranimin e stafit akademik, varësisht prej kandidatëve të cilëve duhet të i’u krijohen kushtet e nevojshme për pranim.
Po të analizojmë secilën njësi akademike vërehet se në njërën njësi akademike i jepet përparësi notës mesatare, në tjetrën fushës së studimeve, pastaj diku tjetër përvojës së punës e në disa raste arritjeve akademike apo punimeve shkencore e madje diku përmendet edhe ‘vlerësimi nga studentët’!
Pra në asnjë rast nuk mund të definohet saktë se cilat janë kriteret e nevojshme të cilat duhet të i plotësoj një kandidat e kjo natyrisht se lë hapësirë për dyshime të bazuara për kamuflim të individëve të caktuar si të pëlqyerit e sistemit!
Me konsideratë,
Rinia Studentore – Kadri Zeka

You Might Also Like