Libri

U promovua libri « Récit du Kosovo – Tregime të Kosovës» i autorit Jean-Yves Carlen

Miku i madh i Kosovës, Jean-Yves Carlen (Zhan Iv Karlen) ka promovuar librin e tij më të ri « Récit du Kosovo – Tregime të Kosovëns», i botuar nga Shtëpia Botuese « Beqir Musliu » nga Gjilani, e cila me aktivitete të shumta ka përcjellë ditët e librit dhe ky është libri i 102 i kësaj Shtëpie Botuese.

Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Club « Beqir Musliu », ka theksuar se ky libër përmban tetë tregime për Kosovën, kurse autori i këtij libri tash e 30 vite bashkëjeton me Kosovën, andaj sipas Rrustemit, këtij autori do të duhej t’i jepej nënshtetësia e Kosovës.

Tahir Dalipi, profesor e krijues, duke folur për librin e Carlen, të cilin ai e ka shqipëruar, ka cituar një pjesë të parathënies të shkruar nga Jean-Marc Muller dhe ka thënë se nëse shikohet për nga natyra, ky libër u përngjan shumë të tjerëve dhe në anën tjetër është shumë i veçantë. Sipas Dalipit, autori mbanë anën e të shtypurit e ai nuk ka arsye personale të mbajë anë dhe ia del mbarë të mënjanojë urrejtjen. Adnan Merovci, referues, ka thënë se një pjesë e madhe e krijimtarisë së Carlenit i kushtohet Ibrahim Rugovës, e ai ishte doktor i fjalëve. Sipas tij, Franca funksionon në bazë të mendimit të opinionit, kurse Rugova diti që armën e tij ta përdorë në Francë. « Ishte vetëm Rugova që i besoi pavarësisë, i vetmi intelektual që i besoi idesë së tij », tha Merovci.

Jean-Yves Carlen,  tha se në këtë libër ka tregime, novela imagjinatave të frymëzuara nga fakte reale, disa tregime janë bërë si roman. Tregimi që prek realitetin është « Takimi në Paris «.

« Intelektualët francezë e nisën lokomotivën për Kosovën dhe shumë njerëz se në mesin e tyre edhe unë po angazhoheshim»,  tha Carlen që shtoi se tregimet flasin edhe për kohën e pas pavarësisë dhe se është përpjekur të jap më të mirën dhe në interes të Kosovës që ta bëj atë edhe më të njohur.

Pjesë nga veprat e Carlenit ka deklamuar Tahir Dalipi, kurse me kitarë i përcolli Mehmetali Arifi.

Libri është i shkruar në frëngjisht dhe në shqip.

 

You Might Also Like