Libri

ZËRI MË I FUQISHËM POETIK I SABIT RRUSTEMIT PO DHE I POEZISË SONË TË DASHURISË

Anton Nikë Berisha

ZËRI MË I FUQISHËM POETIK I SABIT RRUSTEMIT PO DHE I POEZISË SONË TË DASHURISË

(Rreth dy vëllimeve me poezi të dashurisë të Sabit Rrustemit “Hyjnorja ime je ti”. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2019)

Sabit Rrustemi është nga poetët e rrallë të botës sonë që me prirje dhe me përkushtim të veçantë ka bërë objekt poetik dashurinë, që dëshmohet mirëfilli edhe me këto dy vëllime “Hyjnorja ime je ti 1” dhe “Hyjnorja ime je ti 2”. Me këtë ai dëshmon vazhdimësinë e traditës sonë letrare të trajtimit poetik të dashurisë, qoftë kur ajo dëshmohet midis njerëzve në përgjithësi dhe dashuria e gruas dhe e burrit (mashkullit dhe femrës) në veçanti, po edhe dashuria shpirtërore dhe hyjnore (dashuria si ideal, dashuria si bukuri ose dashuria e Hyjit për njerëzit dhe dashuria e njerëzve për Hyjin) ose dashuria si prehje dhe kënaqësi, pa lënë anash shqetësimin, vuajtjen dhe pësimin që i shkakton ajo.

Poezinë e dashurisë të Sabit Rrustemit të këtyre dy vëllimeve e cilëson shumësia e qasjeve dhe shumëllojshmëria e shqiptimit të dashurisë; të shprehurit poetik dhe pamjet – tablotë e pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor artistik; natyrshmëria e rrëfimit; mëvetësia e përftimit të varianteve; ballafaqimi dhe përplasja e dukurive, e aspekteve dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë, hapësinorë dhe mendorë; gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë dhe mundësia e madhe, herë – herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin. Në qenësi, kjo poezi është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë për femrën. Është e njohur se në marrëdhëniet shoqërore dhe njerëzore diçka që i përket njërit, është dhe brenda tjetrit dhe anasjelltas. E kur njihet një person, në të njëjtën kohë njihet në një masë edhe tjetri. Njohja dhe zbulimi i ndërsjellë është veprim i rëndësishëm, prandaj kjo poezi jo vetëm të futë në thellësitë e gjallimit dhe të misterit të dashurisë, po natyrshëm bëhet pjesë e përsiatjeve dhe e shpirtit të atij që e lexon. Në këtë poezi e përkohshmja në dashuri e përligj të përjetshmen, siç ndodh që e përjetshmja zë fill, pra lind (bëhet) nga konkretja, e përkohshmja. Së këndejmi, poezia e dashurisë është sa reale, aq përfytyruese dhe ëndërruese, ku të shprehurit poetik ngjizet sidomos brenda realitetit të ëndrrës, që nuk u nënshtrohen parimeve të veprimeve në jetën e përditshme. Pikërisht realiteti i veçantë dhe i ndërliqshëm i shprehur përmes artit të fjalës e bën këtë poezi të qenësishme dhe i jep përmasën e gjithtëkohëshme.

Vëllimet me poezi të dashurisë “Hyjnorja ime je ti 1” dhe “Hyjnorja ime je ti 2”” të Sabit Rrustemit janë dëshmia më e mirëfilltë artistike e punës së tij krijuese, po dhe e rrafshit të lartë shtjellues e shprehës të poezisë shqipe të këtij lloji në përgjithësi. Asnjë poet i yni deri më sot nuk ia doli të japë një shqiptim poetik kaq të veçantë e kaq të pasur për dashurinë, për të cilën në “Këngën e këngëve” thuhet: dashuria është e fortë si vdekja […] / Ujërat e mëdha nuk mund ta shuajnë, / as lumenjtë nuk mund ta përmbytin (8, 6–7).

Kuptimi i dashurisë në këto dy vëllime, siç u tha, degëzohet në rrafshe e pikëvështrime nga më të ndryshmet, ku përligjet qenësia e përhershme e dashurisë për jetën e njeriut dhe mundësia e përjetësimit të saj në artin e fjalës, ashtu siç e thoshte në romanin e tij “Demonët” shkrimtari i madh rus, F. Dostojevski: “E çka është më e përjetshme sesa dashuria? Dashuria është më e lartë se ekzistenca, është kurorëzim i ekzistencës […]?”.

Gjithçka e qenësishme në këto dy vëllime përligjet nga teksti i poezive, nga mënyra e shtjellimit të strukturës gjuhësore, që është bërë me përkushtim e dije dhe asgjë nuk i është lënë rastësisë. Ato janë, siç do të thoshte mbreti i poezisë së dashurisë, Petrarka, zëri im në vargje, / psherëtima që e ushqen zemrën time.

Poeti Rrustemi niset drejt të dashurës, po në të vërtetë kthehet drejt vetes dhe e zbulon para së gjithash vetveten. Kështu ndodh edhe me të dashurën: ajo niset drejt këtij, po i kthehet qenësisë së vet dhe njohjes së vetvetes.

Në këto poezi të Sabit Rrustemit fjalët, si ndodh dhe në tekstin e Këngës së këngëve: “[…] janë si zogj të zjarrtë. A është e mundur t’i vësh në kafaz? Çdo shpjegim i mundshëm rrezikon të përjashtojë një përthellësi më të sakët, më të vërtetë, më të madhe nga ajo që është parathënë. Çfarëdo vendimi që të merret, dashuria, që për natyrën e saj është liri, burgoset në një rrjet të koncepteve të pamjaftueshme (të kufizuara), si prapa shpatëzave të një kafazi”(André Chouraqui). Ato janë zëri më i fuqishëm poetik i Sabit Rrustemit po dhe i poezisë sonë të dashurisë, ku dëshmohet ajo që shprehet në Këngën e këngëve, siç thekson Christos Yannaras: “Tjetri bëhet ‘kuptimësia’, përgjigja e ndjeshme e dëshirës më të thellë e jetike të natyrës sonë […] për arsye se marrëdhënia jonë me botën është e ndërsjellë. Tjetri është fytyra e botës, logosi i secilës qenësi objektive. Logosi që më drejtohet mua dhe më fton në universalen e bashkë-ekzistimit”.

Prishtinë, janar – nëntor 2019

You Might Also Like