(Rreth vëllimit poetik HYJNORJA IME JE TI, 1, 2, edituar nga Shtëpia botuese “Faik Konica, Prishtinë, 2019 dhe NËPËR ËNDRRAT E FJALËVE, të Sabit Rrustemit, edituar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2019 )
Sherafedin Kadriu
Opusi krijues i poetit Sabit Rrustemi përfshin me qindra, e ndoshta ka kaluar njëmijëshen me poezi dashurie, prandaj nuk është e lehtë të vësh në spikamë vlerat e tërë këtij opusi. Mjafton të kujtojmë se tashmë në duart e lexuesit është vepra e tij e jetës me titullin simbolik “Hyjnorja ime je ti”, në dy vëllime, që përfshin 662 poezi të reja me motiv dashurie, – të shkruara brenda viteve 2009 – 2016, e të koncipuara brenda shtatë librave që bëjnë një tërësi dhe që janë redaktuar nga krijuesi e studiuesi i letërsisë, prof. Anton Nikë Berisha.
Autori i këtij libri të jetës, përmes dy vëllimeve të shtrira në shtatë libra, që simbolizojnë në një mënyrë shtatë ditët e krijimit të botës, epitetet e së cilës këtu i atribuohen dashurisë, kërkoi dhe voli nektarin më të mirë për t’ia ofruar atë shije mjalti lexuesit.
Poeti, jo vetëm përmes kësaj Kryevepre të tij, pa farë dileme, ka dëshmuar se “Për dashuri kurrë s’është vonë”, (vepër e botuar në vitin 2017. Prandaj, sikur i ka vënë detyrë vetit që për çdo ditë ta përplotësojë përkushtimin ndaj këtij motivi, së paku, duke kërkuar të duhet nga e dashura, siç do ai deri në skajshmëri. Mu për këtë, në përmbledhjen poetike “Nëpër ëndrrat e fjalëve”, ka paravënë një postulat domethënës të Gabriel Garsia Markezit: Tregoju njerëzve se sa gabim e kanë kur mendojnë se pushohet së dashuruari kur plaken, pa e ditur se plakesh kur pushon së dashuruari.
E pra, ky është poeti që për një jetë veprimtarie krijuese nuk ka reshtur së kënduari për ndjenjën më sublime – dashurinë. Ky është poeti që për një jetë veprimtarie që në motivin e përzgjedhur asnjëherë nuk doli i përsëritshëm, asnjëherë i bezdisshëm, po gjithnjë i lezetshëm, intim në ndjenjë, e lirik në varg. Se, lehtë është t’i thurësh katër-pesë poezi me këtë motiv, vijnë vetvetiu kur dashuron, edhe imagjinata nuk fle në të tilla raste, ajo barit thellësisht në zemrën që lëndohet shpejt edhe nga një shikim jo siç e pret; por të shkruash kaq poezi (mbi një mijë sosh), është më shumë sesa ta kesh mike muzën bujare me dorën e shtrirë … Janë ndjenjat e kallura që s’i fikë as uji i gurrave të Çepurit heshtak, që s’kërkon të falur për “mëkat”, prandaj s’ka sesi, që ky poet të mos jetë përftues i epitetit, ndoshta të pashkruar ndonjëherë, “dashnori mëkatues”:
Nëse asht mëkat
me dashtë
mos më fal o Zot
Kam me e dashtë përditë
nga çasti në çast
(Nëse është mëkat me dashtë, Hyjnorja … 2)
Nuk është nevoja të teoritizohet dashuria sepse ajo nuk është koncept teorik në poezitë e këtij poeti, – është ndjenjë e gjallë, e thellë, ngashënjyese, që ndonjëherë të shastisë, që ndikohet nga pozita e situata konkrete dyanshmërie, që nis si vetmi e poetit, për të përfunduar si ëndërr që dialogon me përjetshmërinë:
Kjo botë
Është krijuar nga dashuria
Dhe do e ecim
Do e ecim pambarim
(Rruga e dashurisë, Hyjnorja … 1)
Ajo që të bie në sy menjëherë është gjakimi i çdo skute ku mund të gjesh diçka të ndryshme nga përmbajtja, që arrihet duke vënë në opozicion shprehje gjuhësore që përfundojnë si gjuhë poetike, tamam një sistem komunikimi i ndërliqshëm shenjash. Ndërliqshmëria e tillë u ka dhuruar poezive fshehtësinë e stilit me veshje të jashtëzakonshme prej metafore që shpërfaq, si të thuash, të gjitha ngacmimet e mundshme ndaj të dashurës, e që duket si një akt i ngjyrosur bojërash të ndryshme:
Të qulla me shiun e vakët të puthjeve
të thava me zjarrin e afsheve
pranë oxhakut të zemrës
T’i shprusha me mija herë flokët
qafën krahët mollët
t’i drodha lehtas t’i përkëdhela
me maja gishtërinjsh e majë gjuhe
(Post festum një përjetimi, Hyjnorja …1)
Përmendorja poetike e dashurisë
“Hyjnorja ime je ti 1 dhe 2” është nga ato veprat e rralla që monumentalizojnë dashurinë, e bashkë me të edhe të bukurën, se janë të ngjizura bashkë. Ato nuk ngrijnë buzëqeshjen me madhështinë që përfaqëson e madhërishmja, përkundrazi, duke u monumentalizuar e bukura mbetet e tillë siç është – e brishtë, delikate, fluide, tërheqëse deri në frymëmarrje të re. Është shprehje e thjeshtë, e bukur, estetike, larg etikës së traditës. Si e tillë, dashuria në këto poezi paraqet momente të veçanta të ngacmimit dhe reagimit, një tip reaksioni i domosdoshëm që detyron shpirtëroren të shpërfaqet përmes vargut:
E dashur
varg jete më je bërë
(Përballë asaj që ndjejmë, Hyjnorja … 2)
Secila poezi e këtyre dy vëllimeve është njësi në vete, e pavarur nga tjetra, sepse secila prej tyre sjell para lexuesit një moment të veçantë të dashurisë që dhemb, që lut, që ik, që s’kthehet, që bëhet pjesë e një përmendoreje poetike të dashurisë, e sa e sa veprime të tjera nga më të ndryshmet që nuk paraqesin tjetër pos “momente të rëndësishme të vazhdimësisë kohore…sepse në poezi nuk është dhënë koha” (sipas I. Rugovës), është fjala për kohën poetike, se gati shumica e poezive kanë datën e shkrimit. Ky strukturim poetik pamundëson ndonjë ndarje kohore përmbajtjesore, shprehëse, strukturore e stilistikore të poezisë së këtij poeti. Në këtë kontekst, poezitë dalin të arrira si më së miri, duke qenë fryt i imagjinatës e i shprehjes poetike, sepse autori i kushton kujdes strukturës që ta kënaq imagjinatën (sipas Borhesit). Ky është dashnori që i ngrit përmendore dashurisë pa farë emfaze, por thjesht, me fjalët që në përbërjen e tyre kanë një ujëvarë stërkalash kuptimësie, të cilës i shëmbëllen edhe poezia “Asgjë nuk mund të të jap më shumë” me të cilën mbyllet vëllimi i dytë i librit “Hyjnorja ime je ti”:
Asgjë nuk mund të të jap më shumë
se këtë dashuri që s’ di të shtjerrë krojeve të zemrës
e këtë ditë që nuk nis as mbaron pa ty
(Asgjë nuk mund të të jap më shumë, Hyjnorja … 2)
Gjakimi i poetit për dashurinë e munguar
Edhe në vëllimin më të ri poetik “Nëpër ëndrrat e fjalëve”, rrallë gjen ndonjë element të një rekuiemi për kohën, më përpara se për momentin e dashurisë. Aty është vasha lozonjare shpeshherë, të cilën nuk e vizatojmë si emër, nuk e takojmë si fizik, vetëm ndjejmë se e bukura nuk zihet as në ëndërr, edhe kur e lut:
Mos jeto për një ëndërr
Detit të përgjumur
Mos u mashtro
se
Më përgjumin buzët e tua
Puhitë prej mëngjesi
(Të ndjej si pulsin e kësaj zemre)
Disponimet shqetësuese, autori i sjell nëpërmjet vargut të përkëdhelur, ndjenjës e kushtimit për lozonjaren e tij, duke u shpërfaqur para lexuesit i dashuruar si në rininë e tij; ani pse një fshehje e natyrshme, një hermetizëm jo i thellë nëpërmjet figurash në radhë të parë, para se ndjenjash, ia kërkon momenti i së tashmes konkrete. Ky moment vjen me një lutje prej thellësisë së shpirtit. Mbase është lutja më e sinqertë e kuptimit të momentit që është shkruar si apoteozë:
Zot
Lëre Atë pa mua
E mua kurrë mos më lë pa Të.
Ky është gjakimi i poetit për dashurinë e munguar, për buzëqeshjen e ëmbël, që ta falë vetëm hirësia e saj në një vështrim sy më sy. Është ftesa dhe pritja e përditshme, ndoshta për sqarimin si mundësi:
Duke të ftuar për ditë e duke të pritur çdo natë,
Thoshe je veç fjalë për ndjenja më qortoje.
(Ajo ëndërr prapë ka për t’më trandur)
Ky vëllim poetik vjen me lirika që shpërfaqen shumë sinqertë, pa as edhe një sekret. Poezia e këtij poeti është dashuria vetë. Është fjala e vjelë nga thellësia e shpirtit. Është fjalë e dalë nga loçka e zemrës. Fjalë e metaforizuar me mjeshtri. A nuk është shëmbëllimi më i mirë (?) vargu ” Poezinë më të bukur nuk e shkroi mbrëmë shiu”.
Kjo është imagjinata që merr ujë në kroin që nuk shter kurrë, në kroin e dashurisë. Kjo është e bukura e poezisë së Rrustemit që përballë pesimizmit është bërë njësh me dhembjen, të cilën e ka veshur me lumturinë e imagjinuar, duke ngritur keqardhjen nëpërmjet leksemash, gati çdoherë të dyzuara semantikisht, me të cilat shpërfaq realitete shpirtërore:
Hyjnorja ime
e kam pritur këtë orë lumturimi
kam jetuar
për ta dëgjuar magjinë e këtyre buzëve
si buron e rrjedh kah unë
ai valëzim i drithëruar – të dua
Më shumë se kjo s’ke më çka më jep mua
(Ora e lumturimit, Hyjnorja … 1)
Autori ka funksionalizuar secilën shprehje, për të krijuar tekst dashurie dhe dhimbshurie njëkohësisht; tekst që vjen natyrshëm si imazh poetik me kuptim metaforike të befasishëm:
Pa ty s’ them kurrë gëzuar
E ti vonohu sa të duash
fshihu thellë ku nuk të prekë as harresa
Pastaj shfaqu befas kur unë pritjesh
shkrihem vargjeve
lexoma dhimbjen që s’e rrëfeva
(Lexoma dhimbjen që s’e rrëfeva, Hyjnorja … 2)
Në këtë mënyrë, më së paku çfarë kërkon poeti prej të dashurës, është këmbëngulja për ta fituar bile dashamirësinë e saj, po prandaj një varg pyetjesh që si të pashtruara gëlojnë subjektiven e kritikut, ndërgjegjësojnë përgjigjet e tipit të gjykimit për to.
Përmbledhja mbyllet me poezinë “Ti dhe vdekja”. Dhe, nuk është se poetit iu ka tekur për t’i përballë dy koncepte krejt të ndryshme edhe si procese. Ato kanë një “rrem” të ngjashëm, – prerjen në besë, që në traditën e poetit ky zakon kulturor konsiderohet vesi më i urryer. Po as e ka dert për pabesitë e tjera, vetëm me vashën dhe vdekjen e ka problemin që është problem jete dhe vdekje njëkohësisht:
Ti që s’tregon kur ikën
Dhe ajo që s’dihet kur vjen
***
Vlerat shquese e dy vëllimeve të HYJNORJA IME JE TI dhe veprës NËPËR ËNDRRAT E FJALËVE, si gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë si dukuri e qensishme jetësore, mundësia e madhe, herë-herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe ndikimit të tekstit në marrësin, i bëjnë këto vepra të rëndësishme dhe të papërsëritshme në poezinë tonë bashkëkohore (sipas Anton Nikë Berishës). Një mendim nxitës për njohje të poezive me motiv dashurie kudo e kurdo të shkruara. Dhe, vështirë të takosh një të blertë si tek Sabit Rrustemi, të thjeshtë e të lehtë, delikate e të dashur si një vashë me sy të stinës jeshile.
( Gjilan, janar 2020 )