Sabit Rrustemi “Ndezje yjesh në zemër” (Poezi e zgjedhur e dashurisë) “Beqir Musliu”, Prishtinë, 2015
Shkruan: Mehmetali Rexhepi
Nga vëllimet poetike të Sabit Rrustemit: “Ku i la lisat era”; “Besoj në një diell”; “Variacione për lirinë”; “Shiu i buzëve tua”; “Nën qerpikun tënd”; “Zjarrmi e kthjelltë”; “Në fytyrën e një gjethi”; “Murale shpirti”; “Grafite nënlëkurore” dhe poezi në dorëshkrim; shkrimtari dhe studiuesi Anton Nikë Berisha nga i njëjti poet, nga të njëjtat vëllime mori, zgjodhi dhe mbarështoi në një vëllim të vetëm, titulluar “Ndezje yjesh në zemër“, brenda shtatë ciklesh, poezinë e dashurisë: Bukuria e dashurisë, Brenda zemrës sate, Drithërima shpirti, Fjala-dashuri, Zjarri i pritjes, Në shtjellën e ëndrrave dhe Nëpër etje rigon vjeshtë.
Për poezinë e përzgjedhur të dashurisë të poetit Sabit Rrustemi, Anton N. Berisha shkroi një parathënie prej njëzet e dy faqesh, duke shkëputur vargje poezish për ilustrim, të cilat i nënvizoi për shqyrtimin e tij analitik, për të sjellë përbërës të shumtë të shtresimeve emocionale, ideore, figurative, reflektime estetike, artistike të poezisë së dashurisë të këtij autori. Si e këtillë, dashuria është krye-tema e përmasave gjithënjerëzore e gjithë-kohore: e urtisë, lumturisë, drithërimave, ngazëllimeve e hidhërimeve, dyshimeve e mashtrimeve, xhelozive e dramave të dhimbjes dhe të tragjedive njerëzore.
Kjo qasje imja nuk mëton rivlerësimin e pohimeve, të gjetjeve analitike, përkufizimeve, as ri-konceptimin e krye-temës së dashurisë në vështrimin e profesorit, Anton N. Berisha, për poezinë e temës së dashurisë, të autorit Sabit Rrustemi.
Lexues i respektuar!
Më lejo të përsias më tej mbi nënvizimet e mia të rileximit!
Duke rilexuar me ëndje këtë vëllim poetik të këtillë, të ri-kompozuar, nuk e anashkaloj dot durimin e shijen e përzgjedhësit të dyzuar. Në kulturën e vlerësuesit ngërthehet e zbërthehet imagjinata dhe diskursi dituror. Shija dhe dija. Pikërisht këto dy përmasa ia përcaktuan vlerën këtij vëllimi unik artistik në letrat shqipe.
Nga moria e vëllimeve të poetit inventiv, Sabit Rrustemi, shumësia tematike dhe e motiveve, e gjendjeve shpirtërore, e kontrasteve, e gufeve të disiplinuara poetike dhe filozofia e qenësisë njerëzore, ndërtohet tërësia e variacioneve artistike për shtresimin e gjithanshëm të dashurisë.
Si u strukturua tërësia nga fragmentariteti?
Pikërisht këtu shfaqet prirja e depërtimit të hollë të intuitës së përzgjedhësit të dyzuar. Si? Duke bashkuar të gjitha pikat e ngjyrosura emocionale, ëndrrat, ndjeshmërinë, pamjet e dridhshme, reflektimet rreth një strumbullari tematik, shpirtërisht i motivuar për dashurinë, për fshehtësitë e intimes, i ngërthyer brenda subjektit thelbësor, i veshur me shijen për ta funksionalizuar anatominë shpirtërore të dashurisë së njeriut për njeriun, djalit për vashën, vasha për djalin, dhëndrit për nusen… Madje, më tepër se kaq.
Si për poetin, ashtu dhe për arkitektin e këtij romani në vargje, dashuria i kalon caqet e prekjes, të aktit, të dehjes, të lektisjes, sepse shndërrohet në koncept, në kuptim, në kumtim lumturie, dhimbjeje, vuajtjeje të ëmbël, bukurie e fisnikërie. Ndaj, pikërisht këto ngërthesa e zgjerime tematike mbi konceptin e gjerë të dashurisë, më shtuan kërshërinë për leximin e saj me një frymë… Mirëpo, gjithnjë duke nënvizuar e përsiatur për kapje çastesh të drithërimeve magjike, për gjakime kaheve të së bukurës.
Konceptimi i dashurisë
Dashuria si ndjenjë, si ndjeshmëri, si marrëdhënie mes polesh të kundërta, si magnet njerëzor që tërheq, ngase magneti ka fushën e vet të tërheqjes, të mbajtjes pezull, ashtu si qëndrojnë e sillen yjtë rreth njëri-tjetrit, galaktikat rreth galaktikave… Forca më e fortë magnetike gllabëron më të dobëtën, por forca refuzuese në këto ligjësi, për variacionet rrotulluese të gravitetit, është përjashtuese. Ligjet e gravitetit janë të pamëshirshme, nuk përfillin ndjeshmërinë mëshiruese, mëshirë-bërës…
Rregullat, parimet, normat, kodet e logjikës përmbushen brenda marrëdhënieve të bashkësisë njerëzore, brenda çiftit rinor, si celulë e bashkësisë shoqërore. Bërthama e baraspeshës së bashkësisë është dashuria.
Dashuria thuret e shthuret, por nuk zhbëhet. Ajo është pikënisja dhe sfondi i poezisë, lirikës dhe epikës. E kultivuar tejet dendur, sepse është tharmi i brumit për t`i gatuar, pjekur, djegur a shkrumbuar, athtësuar, njelmësuar e ëmbëlsuar ose pleksur shijet e etura dhe të uritura, për trajtat e bukës saj, për ngjyrat, ëndjet… Që nga Safo e tutje, nëpër kapërcej shekujsh, shtytja drithëruese e dashurisë rrodhi majë penave të poetëve: Petrarka, Shekspiri, Bajroni, Gëte, Pushkini, Lorka, Tagora, De Rada, Serembe, Naimi, Agolli, Neruda e tjerë, deri te poetët e vijimësisë së penës në tastaturë, në “kutinë magjike”, sikurse është Sabit Rrustemi.
Të përfytyrosh, të nxjerrësh dallgët e trazuara të shpirtit, për joshjet e një vetull ylbereje, sy të varur në bulëza degësh, qeshje të prushta, gurësish të bardhë pran ushejzave buzë qershie, pas asaj që dimrin e bënte verë, duke shkrirë akujt e zemrës, ajo së cilës lulet ia kishin zili, ajo që dogji blerimin e poetit, çatia prej ndjenjash, mungesa e asaj-mungesë vere, si më gufonin kodrat e dashurisë?…
Andaj, të shkruash për dashurinë diçka, që në një pikë-kapjeje trajte vezulluese, prekje mëkuese, gufim vlimesh e ftohje temperaturash, lëbyrje përfytyrimesh, meditim diellor, dridhje e rrëqethje meditative, finesë që lahet e nuk laget, marrëzi e bukur, pagjumësi ëndrra-bjerrësh, joshje të varura në qerpikë e buzë, rrëshqitje buzësh buzëve të rreshkura, zbrazësia e plotësisë së shtratit… Janë togfjalësha ose fraza të një regjistri të shkurtë, mostër regjistrash tejet të gjatë, kapur nga poetët, nga gamë e gjerësive të fjalorit e fjalëzave poetike për dashurinë, për simbiozën trinome: dashuri – bukuri – poezi.
Çfarë veçantie haset në stilin dhe shtjellimin poetik të S. Rrustemit, për gamën e pakufishme të poezisë së dashurisë? Të kapësh maj-pene a nëpërmjet prekjesh magjike të tastaturës: çaste lumturie, ritme aktesh tunduese, pleksje ndjesish dhe idesh, mënyra gjakimesh për t`ia gjetur pengun të pathënës nga poetët pararendës… Të eksplorosh margaritarë të panjohur, të pa-qëmtuar nga të tjerët, nuk është e lehtë; për të mos pohuar, se shumëçka ishte nisur dhe mbyllur brenda një qarku ciklik, brenda ciklesh të së njëjtës bërthamë, por vetëm mbështillej, ngjyhej lëvorja e bërthamës me ambalazh tjetër.
Lënda e dashurisë rrjedh nëpër kohë poetësh, megjithatë të paktë janë poetët, të cilët nuk e përsëritën njëri-tjetrin…
Për admirimin tim, në këtë roman antologjik në vargje me bashkautorë: Sabit Rrustemi dhe Anton Nikë Berisha, hasim një eliksir të lakmuar të dashurisë dhe të bukurisë. Këtu gjeta një amalgamë origjinale për dashurinë. Në qoftë se poeti i sprovuar, Sabit Rrustemi, qëmtoi për të përfituar eliksirin e dashurisë, nëpërmjet amalgamës tij poetike, shkrimtari dhe studiuesi Anton N. Berisha nuhati shijen dhe gjeti formulën më të përshtatshme, për ta unifikuar lëndën, si përmbajtjen, ashtu dhe formën e kësaj poezie, me variacionet e saja brenda shenjave të një tipologjie të shkrimit.
Tashmë romani në vargje “Ndezje yjesh në zemër” lexohet, përjetohet dhe identifikohet si një tërësi tekstore organike. Fiziologjia e reflekseve qarkullon, duke përshkuar të gjitha nyjëtimet e indeve, frymëmarrja respiratorëve të shprehjeve parësore, dytësore ose shtresore.
Finokëria e vargut
“Shtratin tënd ujor etja e pi
Mua ëndrra për ty”(f.35)
“Si pikturë e blertë
Gdhin para meje” (f.37)
Gjatë leximit, rileximit dhe nënvizimeve të kumtimit, të përfytyrimeve, natyrës me ngjyra, kapërcejmë lehtësisht relievit të ndjenjave, që ne nuk i kishim vërejtur, bredhim pa u lodhur, se nuk ngjitemi pjerrtësive, as tatëpjetave pas bukurisë së ngërthyer… Në këtë reliev poetik nuk kemi për tu ngjitur maleve të thepisura, as i druajmë rënies në humnera enigmatike të paqartësisë. Çka shohim? Thjesht: bredhëri kodrave të blerta, andej kah na shpie i dashuruari i përjetshëm… Dhe ne përshkojmë rrjedha gurrash të kristalta çiltërsie, vargu na grish të identifikohemi me botën e subjektit lirik. Ajo botë është kjo botë, të cilën nuk e kemi hasur, sepse nuk e zbërthyem dot, për t`ia parë e shijuar anë-ëndjet dhe kundërmimin e pa-ngopur.
Poeti kërkimtar, gjithnjë sheh e ndjenë diçka të fshehur në shpirtin tonë e jashtë nesh… Para së gjithash ato premisa burimore ai i ka në shpirtin e vet. Ndërsa ne nuk ia diktonim trajtën e sintaksës poetike, por ia tumirim shijen e veshjes së kostumeve figurative, për artikulimet e tyre të hijshme dhe sa më të bukura.
Mbresa e parë e leximit të këtij romani modern në vargje, është lehtësia e qërimit të mesazheve poetike. Vëren se si të shfaqet monologu i mbresës së lajthitur: e lërueshme, lërim i lehtë për mbjellje…, për vjelje, e kapshme, e zbërthyeshme, e pa-ndërlikuar…
– Dhe unë mund të shkruaj kësisoj!
Lajthitja e realitetit nuk ka brirë! Shiko, vetëm në hapësirën e një pesërrokëshi: të qëmtosh aq dendësi elementesh për shtjellimin e pikturës së ndjenjës, me nuanca ngjyrash të fjalës ku nuk përjashtohet mendimi… Vetës së dytë le t`ia themi: mik të ka mashtruar mbresa, vetëkënaqësia! Ndaj, provoje! Po pate elokuencën, forcën dhe magjinë e depërtimit të finokërisë, të hysh, të ngjitesh, pa gdhendjen mjeshtërore të shprehjes… Provoje? Euforia të ka hipur në një shkallë të luhatshme të bindjes.
“Të marr erë
Aty skaj porte
Në lule jorgovani
Para shtëpie
Në lulenuseje
Tek rogë e goclave
Në luleakulli “ (Këtë fat ma fali jeta)
Në këso variacionesh të ndjenjës mendimi i fshehur shfaqet i natyrshëm, pa sforcime, meqë ndonjëherë pahetueshëm frerët e vargut, të variacioneve ndërtimore i merr retorika.
Në romanin lirik të dashurisë “Ndezje yjesh në zemër”, hasim fare pak, për të mos thënë aspak, sintaksë retorike. Edhe aty ose atje ku ka depërtuar stili retorik, doemos është veshur me rroba të atilla, të cilat nuk do t`ia cenonin natyrën figurave stilistike. Në raste sikurse këto, për të sjellë përkufizime sublime për dukuri të qenësisë së realitetit, poetit sikur nuk i mjafton diskursi poetik, prandaj huazon mjete shprehëse nga fjalori i diskursit filozofik:
“E përjetshmja
Përjetohet përmes së përkohshmes”(f.116)
Në këtë pikëpamje Sabit Rrustemi përligj pohimin e Kolrixhit “Për t`u bërë poet i madh duhet të jesh filozof i madh”
Kohezioni poetik
Mënyrën e shenjave, vijëzimeve të çasteve, kontrastet, dukuritë e jetës, të bardhën e të errëtën, të keqen e të mirën, heroikën e tragjiken, të shëmtuarën e të bukurën poezia si gjithnjë i shpërfaq me mjete të gjuhës figurative. Por, poezia, konceptimi poetik dhe i ideve të saj, nuk mund të rrudhet aq tepër, sa të mbetet puro-poezi; pa trajtat e variantet filozofike që ngërthehen në jetë. As Sabit Rrustemi, as akëcili poet i mirëfilltë, nuk e reduktuan vargun a lidhjet e vargjeve në një guacë të mbyllur poetike.
Poezia e S. Rrustemit e ka mësuar artin e notit, që t`ia dalë mbanë dallgëve të jetës, prore në kërkim, për hulumtimin e bukurisë së dashurisë; si ideal që fisnikëron, trimëron, ndriçon shpirtin dhe ngrihet në lartësinë e majave të pa-arritshme, nga kontaminimet e pornografisë. Rrjedhës së këtij diskursi, mëtohet shmangia e zhveshjes së konceptit të dashurisë nga koncepti i bukurisë.
Për poetin Sabit Rrustemi dashuria dhe bukuria janë simbioza të pandara. Ku ka dashuri të mirëfilltë ka dhe bukuri dhe anasjellash.
Brenda njëqind e pesëdhjetë e tetë vjershash, në librin “Ndezje yjesh në zemër” vijon kohezioni përmbajtjesor i variacioneve, i formës dhe llojit që nuk del jashtë botës intime të dashurisë. Ajo shpërfaqet herë me kozmetikë, herë pa të, përdredh shtatin, hedh shikime premtuese, fshihet nën një ombrellë kërpudhe, vranësira që kthjellin subjektin mes përcëllimesh, ngrirjesh e shkrirjesh të akujve në zemër, përfytyrimesh të përhershme që i kundërmojnë si lule të padukshme, mungesa që shpon si gjemb trëndafili; trajta lumturie që shtojnë urinë, shuajnë etjen e pashuar pos në burimin e asaj, përsiatje për mbyllje e hapje të atij burimi, të asaj magjie; vetja e tij në pasqyrën e syve të belhollës; sy të mbetur në një pasqyrë që e shihnin, e ndiqnin, i shikonte dhe i humbitnin; në çdo bulëz sytë mëkues të gocës, fëshfërima-pëshpërimë gjethesh- ndjesish; udhë të purpurta deri te zemra, kujtime që blerojnë e zverdhin blerimin…
Një arsenal simbolesh, metaforash, epitetesh, krahasimesh, hiperbolash, kontrastesh, litotash, antitezash, pamjesh, ritmesh… Nëpërmjet tyre rrjedh lumi i shpirtit të poetit, herë i qetë, herë del tej shtratit, por nuk i vërshon të mbjellat e arave tjera.
Në këtë diskurs poetik, kush kujt i bën hije vapës verore të ditës së poetit: dashuria a bukuria? Bukuria dashurisë a dashuria bukurisë? Mes kësaj simbioze estetike lëvizin temperaturat e ndjenjave dhe të meditimeve të poetit. Zgjohen e fryjnë erërat e frymëzimit… Ai ose Ajo ecë me hiret e saja, në diellin përcëllues, Ai lyp hijen nën pemën e Asaj, burimin e ujit të kulluar për ta shuar etjen e përbashkët… Ndoshta etja e saj shuhet gjetiu, mbase në një burim tjetër? Prekjet e saja do t`ia praronin shikimet poetit, t`ia bleronin barin e zverdhur, t`ia rinonin prore jetën… Djersinë ndjesinë e papërsëritur të një prekjeje, një puthjeje afsh-ndezëse, derdhë një ujëvarë qeshjeje, vjel një fryt vullneti dhe bartet në shportën e mungesës… Aty ku mungon dashuria rritet oreksi i vargut për t`i dhënë dashurisë trajtë bukurie.
Kompozicioni i brendshëm i kësaj poezie, përshkohet nga kohezioni i variacioneve poetike të dashurisë dhe për dashurinë. Bota poetike e dashurisë në këtë vëllim është totale. Ajo depërton në të gjitha nervat dhe shqisat poetike të subjektit poetik, estetik, mendor e jetësor; shpërfaqet në të gjitha përmasat ekzistenciale të gjerësisë, gjatësisë, thellësisë dhe të lartësisë.
Brenda këtyre përmasave ka mundësi të pakufishme për shtjellime, qoftë fijesh të holla motivesh, paraqitje pamjesh, aktesh ndezëse, shndërrimesh emocionale, dritë-hijesh të tematikës prodhimtare të dashurisë. Vetëm duke lexuar e nënvizuar këtë lirikë zemre, rrahjet e forta të saj për dashurinë e bukurinë, për bukurinë e dashurisë; bindemi për shumësinë e finesave, të reflektimeve depërtuese në psiken e njeriut.
Vargu i lirë i kësaj lirike tashmë ka flakur paraqitjen skematike, “tiraninë e rimës”, sipas Ilhan Berk-ut, dhe begaton sintaksën poetike të shprehjes, nëntekstin, kontekstin, imazhet dhe, i dhuron një veshje të tejdukshme filozofisë së idesë. Pra, lehtësia për kapje të qenësisë së gjërave, për gatimin e tyre në trajtën e vargut, është rezultat i gjetjes së çelësit ose të formulës më të përshtatshme për stilin e shkrimit të këtij poeti:
“Bëhu pajtimtar i parë i kësaj dite
Me ata që të hidhëruan dje
Me ata që të buzëqeshin sot” (f.53)
Ja si hyri Shkrim-kërkuesi mes mençurisë e dhuntisë… Atë që i mori njërës ia dha tjetrës, dhe nga dy rrethana njerëzore nxori pleksje të vlerës poetike.
“ Ajo që mungon
Asnjëherë nuk ke qenë ti
Po dita që ende s`ka trokitur”
Me vargje të tillë formula, urtia poetike e S. Rrustemit ka arritur konsolidimin dhe kondensimin e shprehjes figurative dhe meditative.
Secila poezi e këtij libri të përzgjedhur, ka diçka për të nënvizuar si urti, si maksimë, si ide, si formulë, si sprovë jete, si gjendje e kondensuar emocionale, si semantikë konceptuare.
Mes dashurisë dhe bukurisë: dhimbja e urtia
Libër pas libri, pjekuria (po)etike e S. Rrustemit tashti është dëshmuar, si arritje e nivelit të poezisë shqipe në dy plane: sasiore dhe cilësore. Kjo poezi është konsoliduar gjithanshëm. Qëmtimet e tija poetike kanë saktësi, nuk vuajnë nga fragmentarizmi, figurat janë të lërueshme dhe të kapshme për të gjithë nivelet e lexuesve. Vargu ndërtohet sipas masës së prekshme, i ftilluar e kumtues. Nyjëtimi figurativ hyn deri në nuancat më finoke të thënies, por nuk ngufatet nga mozaikët e pazbërthyer kuptimor. Në këtë poezi gjithçka është e zbërthyeshme; dhe nuk mbetet qëllim në vete ose lojë fjalësh. Tipar qenësor i kësaj poezie është komunikimi.
Kësaj vijimësie të shqyrtimit, të vijës e prapavijës, do të doja që racionalja e shtrirjes së figurës dhe të idesë figurative, të mos jenë në s’përputhje. Ky nënvizim i përket titullimeve të poezive. Si duket titujt, për akëcilën poezi, janë paksa të zgjeruar, dhe shpjegues, sepse mëtojnë të jenë prijatarë të përmbajtjes.
Çfarë më shërbejnë nënvizimet? Mos vallë për ta cenuar faqen e lëmuar të letrës? Nënvizimi është një lloj afshi i puthjes së vashës… Puthje për mba-mendje… Shkëputja e së veçantës nga tërësia. Rëndom në diskursin shkencor nënvizohet modeli, formula, çelësat e formulës, përkufizimet.
Ndërsa diskursit të retorikës së shkrimit dhe të folurit, do t`ua nënvizonim elokuencën, artikulimin e logjikës intonacionare, shqiptimin e rrjedhshëm të ligjërimit, apostrofat emocional, ovacionet, efektet mobilizuese dhe disiplinimin e turmës.
Poezia në tërë fushë-shtrirjen e saj është delikate. Ajo thjesht nuk është vetëm shfaqje e ndjenjës së aty-për atyshme, edhe pse merret si e tillë. Ndjenjat nxjerrin lakuriqësinë e tyre të ngrit-rënieve emocionale, dhe nuk mund t`i përballen atmosferës njerëzore vetëm me veshjet e brendshme. Pra, kërkim-gjetja për veshje të përshtatshme, sipas stinës, pos mjeshtërisë lyp përvojë logjike, ngjizjen e mençurisë për të hyrë në dukuritë e ndërlikuara të shpirtit, në të priturat dhe të papriturat e jetës, mes kontrastesh të vrazhda shoqërore, antitezash njerëzore.
Nga të gjitha përvojat e disiplinuara të dijes njerëzore poezia merr nga pak, për tu rrumbullakuar si trajtë e superstrukturës shpirtërore. Ajo asimilon ndodhi të pashkruara e të shkruara, legjenda të vjetra dhe mite urbane, filozofi, retorikë, arsye, metafizikë, alkimi, pikturë dhe muzikë… Ajo është e të gjithave dhe asnjëra nga këto.
Çfarë lloji i arsenalit poetik do t`i duhej poetit për të qenë i mirëfilltë? Nuk mjafton vetëm akti i frymëzimit, sado i vrullshëm të jetë. Talenti? Nuk vjen vetvetiu. Por, përthithja dhe asimilimi i gjithë asaj game disiplinash të urtisë, dhe reduktimi i tyre në ca shenja e shënjues, që do të jenë në gjendje të ruajnë vetitë e veçantinë poetike, e cila ngre poezinë dhe i jep flatra për të fluturuar nga zemra në zemër.
Poza poetike është një gënjeshtër e stolisur retorike, e cila i servilet lexuesit si njëmendësi. Pas këtij pohimi logjikshëm shfaqet pyetja: a ka pozime poetike në këtë roman lirik? Përgjigjen e sinqertë e zbërthejnë vargjet e shkëputura:
“Meqë arti i të shkruarit
Na qenka dhimbje
A mos provove për të parë
si dhemb edhe tek unë
Çfarë ofshamash lëshon…” (f.141)
Vapa e dashurisë e ka mbështjellë të tërin personazhin e ndjenjave të trazuara, duke qenë i kapluar me temperaturë ethesh të këtilla, nuk ka shtrat të përbashkët për retorikën, këtë zonjë të ftohtë. Këtu është shtrirë gjerë e gjatë Zonjusha e ngrohtë e verës, dashuria tekanjoze, refuzuese e personazhit, që i tëri është shndërruar në dashuri.
Ai nuk mund t`i shmangej asaj Zonjushe, asaj dashurie të zjarrtë… Dhe dashuria merr trajtë tjetër… Trajta tjetër e dashurisë shpie në dhimbjen e refuzimit. Për t`ia dëshmuar dashurinë jetike të adhuruarës së tij, këtij subjekti lirik do t`i duheshin një mal dëshmish, peripecish dhe “sakrificash…” Mirëpo, jo të atilla sakrifica sa t`i dhurohet veshi i prerë dashnores, si dëshmi e dashurisë, siç kishte bërë Van Gogu i gjorë!
Te ky poet, në thurjet poetike nuk haset shthurja etike e dashurisë. Dashuria e bukuria kalojnë urave të dhimbjes dhe të urtisë. Po ashtu, te ky poet akti i puthjes del të jetë më i fuqishëm se arti i përshkrimit të saj. Kush ngadhënjen në këtë mjedis intim: arti a natyra? Sipas poetit ngadhënjeu natyra. Arti është përshkrim i natyrës. Kështu, dalim në një teori estetike të diskutueshme.
Konotacionet poetike
“O eja
O lëre verën të vijë”
Çfarë kemi këtu? Thirrmorin, vetën e identifikuar, zbrazësinë… Esenca e pritjes, e futjes në dukuri, e përmbushjes së zbrazësisë, i përket artit të heshtjes. Zbrazësia që pritet të përmbushet është heshtje e kushtëzuar, e njëzuar në lidhjet shkak-pasojë… Dy qasjet thirrmore “eja “ dhe “lëre” dendësojnë kuptimësinë e gjakimit të papërmbushur. Ndërsa, fjala“lëre” këtu merr trajtën e urdhërores, për të mos e penguar ardhjen e së admiruarës, qoftë si një tablo vere, qoftë si një identifikim i subjektit të adhuruar si vasha.
Individi si bartës i dashurisë, veta e imagjinuar, vogëlsia e saj përballë përmasës vigane të stinës së penguar, vërtetojnë forcën hiperbolizuese të dashurisë dhe finokërinë e paradoksit artistik.
Dashuria e njëjtësuar me verën, një qëmtim i bukur i konotacionit për mungesën e vashës. Vasha simbolizon verën, vera vashën. Një fjalor i këtillë poetik, mund të sillte këso ndërtimesh arkitekturore racionale të fjalës, në një hapësirë të ngushtë të saj; gjetje të admirueshme për fushën e semantikës e të stilistikës, për t`i mbajtur varë në qafën e kujtesës si filigran të çmuar.
Vargje të konotacioneve të tilla poetike, stolisin gjithandej hapësirën e kësaj poezie, të këtij romani që zbërthen fije të dukshme e të padukshme të një intime të çiltër. Pasi kemi hipur në një brerore bleroshe, futemi fund e krye mes-përmes bisqesh e lastarësh të dendur pyllit të imagjinatës, pa u gërvishtur nga njomështia e sinqeriteti…
Mjeshtëria e ndërtimit të kontrasteve, të gjendjeve tunduese shpirtërore, shfaqjes së fenomeneve psikike, kundrimet meditative të sendeve, shpirtëzimi i vetive të tyre për funksionalizimin e thënies, ngjyrosjet e fjalës, ngjallin admirimin e lexuesit të sotëm e të nesërm për poezinë, aq shumë të degraduar në mjedisin tonë:
“Ktheva brenda
Me një shportë dru
Ftohtësinë e ndeza
Vetëm bora
Kjo dashuri e shkurtër
Më mbeti jashtë”
Konotacionet poetike në poezinë e dashurisë të poetit Sabit Rrustemi marrin tipare estetike, dhe pasurojnë këndvështrimet, pikë-kërkimet, pikë-gjetjet, pikë-përqendrimet në dukuritë, sendet e botës reale dhe fiktive, gjithnjë duke mëtuar esencën, “In medias res”, thelbin e dukurive. Fenomenet shpirtërore prore vështrohen, vëzhgohen në lëvizje vepruese, ndikuese, shije-dhënëse, mbresë-lënës, të kthjella, turbulluese, estetike dhe meditative:
“Rigon vjeshta nëpër etjet e mia
Rigon e përpush burime të vjetra”
Shprehjet e gjetura me qasje inventive të konotacioneve të pleksura poetike e meditative, të zgjojnë asociacione, shumësi përfytyrimesh për shpirtin, sendet, botën, jetën kalimtare… Poezia e këtillë, që të kredh në imagjinatë e mendime, ka fuqi shtytëse, hulumtuese, krijuese gjendjesh shpirtërore të subjektit real dhe atij fiktiv; që gjithsesi i bëjnë hije njëri-tjetrit; duke provokuar situata habie, mrekullie, drithërime dyshuese, temperatura zjarrmisë, akullnajë, vegulli, mjegullnajë, shkëlqim…
Paradoksi i mungesës
“Kurrë s`kam mundur ta ndëshkoj
Atë që e dua”(f.218)
Poezia e dashurisë dhe e bukurisë e poetit S. Rrustemi, shpërfaq gjallërinë e vendndodhjes miniaturale dhe përmasat universale të shtrirjes. Ajo me madhështinë, nazet, hatërin, tekat, vetë-bindjet, hezitimet, butësinë, gazmoren e ngrysjen, sedrën e prekshme dhe indiferencën, vendosë lidhjet, të cilat mund të këputen, mes subjektesh: kërkues, e kërkuar… Lidhjet fizike mund të jenë këputur, por assesi ëmbëlsia e mbetur e përfytyrimit, monologu dhe dialogu i heshtur si paradokse të mungesës:
“Diçka e munguar
Kah unë po vjen”(f.220)
Koha si përmasë universale, si kategori absolute, po nuk u përmbush me dashuri, si një përbindësh kozmik përpin gjithçka, madje dhe dashurinë:
“Koha nuk kthehet pas
As kurdiset si orë”
Diskursit tim përmbyllës dhe pa ndërmjetësimin e tij, le t`i thadrohen nënvizimet e diskursit imagjinar të poetit, me konotacione të kulluara mendimi e urtie poetike:
“Majat u krijuan për të na i ngrënë sytë
E për t`na i thyer qafat” dhe:
“Ta ruajmë njeriun që po zhduket brenda nesh”(f.222)
Ecejaket e dashurisë e të bukurisë në librin “Ndezje yjesh në zemër”, përmbyllen me një ngërthesë e kompozitë me prirje estetike: ”Luledashuria.”
Gjilan, tetor-nëntor 2016