Si u ngjiz Republika në botën e një fëmije
1.
Mbaj mend 8 Marsin e 1981-shit, e mbaj mend shumë mirë, edhe si datë edhe si ngjarje. Isha 13 vjeçar. Në dasmë, kishte tre dhoma krushqish, për një moment ndalet muzika dhe në njërën nga dhomat nisin të mblidhen të gjithë edhe dera u zu me njerëz kureshtarë që donin të dëgjonin çfarë po fliste një burrë i urtë, i veshur më shije, hijerëndë por kur buzëqeshte me dhëmbë të bardhë lëshonte dritë përreth.
– Për hajër kjo dasëm daja Xhemë, Nana Zade të ka dashtë shumë. – dhe u ngrit nga këmbëkryqi i mori plisin nga koka dhe përqafoi duke e shungulluar.
Halil Alidema* dasmorëve u tha të vazhdojë kënga, se krushqit siç e do zakoni duan mish, pije e këngë. Pastaj vazhdoi:
– I dhashtë Zoti bereqet të Zotit’shpisë që është nderuar më kaq shumë miq, ka qenë gjithmonë kjo shpi e fisme. Gjyshja m’ka folën për Dajën Beq, për mullirin, që nuk ju ka ndalë kurrë uji e guri!
– Fol Halil, je në konak Zog’jani, nata është e gjatë për aheng deri në mëngjes, i tha baba.
Heshtjen e theu zani kumbues, sytë që po i shkëlqenin, një e bardhë nga plisi ballit po i shtrihej edhe në xhaketë, gjoksit kravata vig filloi t’i lëkundej.
“Ne e dimë se jemi popull i hjekur, dimë sa lëkura na kanë shkuar në rezhime. Pasi u rrëzua Aleksandër Rankoviqi, ka do përparime e do lehtësime, por nuk duhet me u ndalë me kaq. Një çaj përpara, një shilte nuk duhet me u mashtrue. Na duhet më u mësua me kërkuar me qenë të barabartë me kombet tjera, republikat tjera të Jugosllavisë”.
Përmendja e fjalës Republikë, u përcoll përnjëherë me duartrokitje që shpërthyen e banë të thyhej ajo disiplina e hekurt që përcillej deri kishte folur Halili. Dikush jashtë ia kishte shkrepur ca krisma alltish. Halili, ja bëri me krye të Zotit të shtëpisë, ja ktheu plisin në kokë, dhe më pas filloi kënga, “Dardani bjen një tupan, krushqit vijnë me kësulë të bardhë”. Nuk ishte këngë nga grupet muzikore, ishin studentë, këngë studentësh. Nuk di nëse ata po merreshin vesh: Halil Alidema, paralajmëroi pranverën. Tre ditë më vonë me 11 mars 1981, rrugëve të Kryeqendrës në Prishtinë, kërkesa për Republikën e Kosovës, po dilte nga sirtarët në rrugëtimin e gjatë të saj historik.
2.
Nuk ka qenë lehtë të shkruash diku, kudo qoftë “Kosova Republikë”. Ky togfjalësh ndiqej si nga djalli nga rojet e sigurisë shtetërore. Akronimi KR, ishte më i lehtë shkruhej kudo, dhe shkruhej më shpejtë. Këtë akronim mund ta shkruaje dhe të “fshihje” dorën. E shkruanim në fletore, kur ishte me laps e fshinim, më pas prapë e shkruanim dhe e fshinim. Ndonjëherë harronim ta fshinim. Kur e shkruanim me laps kimik, o duhej të shkyhej letra, o të nisnim të shkarravitej të mos shihej, e shkrunim e shkarravitnim sërish e shkrunim, e sërish e mbulonim.
E shkruanim me shkumës, më pas në shkollë më nuk na linin si nxënës për të marrë shkumësa. Arsimtarët duhej vetë të shkonin të merrni shkumësat e lënin orën në gjysmë. E shkruanim dhe në rërë për rreth lumit Morava. Me rërë të tharë edhe nuk dukej me rërë të lagur dukej më bukur, më bindës, më serioze. Ishte punë arti, kur rërën e lagur e të holluar bënim shkronjat që mbeteshin si shkronja metali, deri sa nuk tretej nga dielli ose deri sa i mëshonim me këmbë.
Shpesh e kemi shkruar dhe në borë dhe nëse rrinim gjatë na mpiheshin gishtërinjtë që u hukasnim me gojë. E kemi shkruar me maje kompasi edhe në karrige në bankë. Një herë kur e shkruam në derë të klasës, e hoqën derën dhe e morën të analizojnë se kush ka mundur të shkruajë, na thanë se do të vijnë nga polica të analizojnë të gjejnë autorët. Dera më nuk u kthye. Harrova të them se më së vështiri ka qenë të shkruhej me gëlqere, zor bëheshin vijat të qarta, dikush i shkruante me ngjyrë të blerë (pollikollor), ato ishin shkronja më të bukura. Nuk e dinim se kush po shkruante, por shihnim se kush po i fshinte!
3.
Një lojë klase, gjuajtja e lehtë me shkumës për të futur në xhepin e uniformës ka qenë sa e bukur dhe simpatike. Një shkumës fluturoi më lartë dhe rroku kornizën në mur të Shokut Tito. “Oh oh oh …”, nisi kori i shoqeve, që jo donin të na rrihte dikush, por që kobi për një trishtim mund të ishte i pranishëm, një copë shkumës mbi Titon, mund të bëhej problem i madh politik. Pikën e shkumësit e fshimë më shpuzën e klasës, frika u hoq e qetësia u kthye në klasë. Përqendrimi në mësim në gjysmë të orës filloi të lëkundet nga nxehtësia e koftorit që po djegtë thëngjill e dru. Valët e nxehta që ngriteshin lartë kishin bërë që fshirja nga sfungjeri të kishte lënë gjurmë që po thaheshin krejt bardh. Titoja u bë i bardhë, mjekër të bardhë, dukej edhe si baba dimër. Në klasë dikush niste të qeshte dikush ndjehej i trishtuar. Arsimtari nuk e kishte parë këtë. Kur ra zilja e arsimtari doli, ne mbërrimë foton, filluam të fshimë me cepa krahësh, e pështynim nga pak që të pastrohej më mirë. Titos i kthyem shkëlqimin, ne dikur “pionierët e tij” me shami të kuqe. Për ta bërë tamam revoltën prapa fotografisë i shkruam një K.R. dhe shpejt e shkarravitem të mos shihej. Nxënës të Republikës!
Xhevat Xh. Latifi