Shkruan: Dr. Bahtijar Kryeziu
VEPËR E RËNDËSISHME NGA NJË AREAL I VEÇANTË I SHQIPES
(Gjovalin Shkurtaj: “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, ASH e Shqipërisë, Tiranë, 2021, faqe 1014, form. 17 x 24 cm.)
Atje, në viset e thella malore, jeton ende fjala e pashkruar e gjuhës sonë të bukur. Deri aty ku
ka arritur asfalti nuk gjejmë gjë, duhet të futemi më thellë – thoshte prof. dr. Abdullah Zymberi
Që nga botimi i veprës “Fjalor latinisht-shqip” (1635) i Frang Bardhit, e sidomos nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe në dy dhjetëvjetëshat e këtij shekulli, dy akademitë tona dhe institucionet shkencore, deri më sot kanë sjellë me dhjetëra e qindra fjalorë shqip, fushash të ndryshme. Vjet ASH e Shqipërisë botoi veprën madhore të prof. dr. Ali Jasharit “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe” me 814 faqe, kurse sot (më 30.3.2022) këtij vargani fjalorësh iu bashkua edhe një vepër e rrallë kësodore “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, i autorit akademik Gjovalin Shkurtaj, studiues i madh i shqipes, në fushën e gramatikës, drejtshkrimit, dialektologjisë, sociolinguistikës, entnolinguistikës, onomastikës, po edhe të leksikografisë etj.; autor e bashkautor i afro 40 veprave të botuara e ndonjë të ribotuar. Për të hartuar këtë fjalor, akademik Gjovalin Shkurtaj, vuri në veprim tërë potencialin e tij krijues-shkencor për të vjelë këtë pasuri të heshtur për sa kohë e për t’i dhënë zë e fuqi një thesari të pasur leksikor, nga një areal aq burimor me fjalë e shprehje të gjakut e të mishit të shqipes, e të cilin nga sot mund ta kemi në duar.
“Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” është një vepër që ka mbështetje në hulumtimet dhe studimet paraprake të akademik Shkurtajt, nga ajo trevë për të cilën i biri i asaj ane ka dashuri e mall të pashuar edhe sot, duke e pasuruar këtë vepër me fjalë e shprehje të reja gjatë rrjedhës së moteve. Siç shihet, nga materiali i eksploruar në terren, akademikut tonë, krahë e inspirim për të botuar këtë fjalor i dhanë, padyshim, monografia e tij e parë për të folmen e Kastratit, një skicë për të folmen e malësorëve të Bregut të Matës, të Ishullit të Lezhës e të Ishullit të Shëngjinit, si dhe monografitë për Kelmendin, Rranxat e Mbishkodrës, po edhe studimet e tërthoreve përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë – në Mal të Zi (Gruda, Trieshi, Rapsha e Traboini i Hotit). Është kjo lëndë e eksploruar, me ngadalë, kujdes e sens prej një eksperti të rrallë të dialektologjisë shqiptare. Me fjalë të tjera, është një korpus fjalësh prej mbi 12300 leksemash, nga ato të folme rurale, ku janë ruajtur me aq fanatizëm: njësi leksikore e frazeologjizma, sintagma e shprehje të ngurtësuara fjalësh, fjalë të urta e përshëndetje, toponime e patronime, urime e mallkime, zbunime etj., të vjela e “të kokërruara” nga prof. Gjovalini, me aq përkushtim e dije. Sado që këto të folme, me gjithë shtrirjen e gjerë tokësore, me afritë që kanë e që përbëjnë thuaja një tërësi territoriale e gjuhësore gati unike, secila trevë ka edhe të veçantat e veta, “disa dallime e luhatje brendapërbrenda”, andaj edhe studimet dialektologjike të bëra nga akademik Shkurtaj janë bërë për secilën tërthore veç e veç.
Për hartimin e këtij fjalësi dhe studimin e lëndës së vjelë, autori i këtij fjalori ka shfrytëzuar një numër të madh burimesh, mbi 240 vepra shkencore, letrare, publicistike etj., dhe mbi 90 autorë nga Malësia dhe shkrime kryesore për të, të dhëna këto të cilat janë pasqyruar në bibliografinë përkatëse të fjalorit. Sakaq, si burime gojore (nga informatorët), autori i fjalorit përmend 58 vetë, “nga të cilët janë regjistruar tekste relativisht të gjata ose që kanë dhënë përgjigje në anketimet e kryera për mbledhjen e materialeve për studimet e të folmeve të Malësisë së Madhe” dhe 20 informatorë të tjerë “prej të cilëve kemi shënuar emra vendesh dhe emra njerëzish” – thotë akademiku Gjovalin Shkurtaj.
Nga të dhënat e paraqitura të fjalëve në këtë pasqyrë, të nxjerra nga fjalori, del se më së shumti ka emra: 3747 të gjinisë mashkullore dhe 3582 të gjinisë femërore, gjithsej = 7329 (59,53%); folje = 1774 (14,40%); mbiemra = 1639 (13,31); ndajfolje = 896 (7,27), kurse me denduri më të madhe paraqiten fjalët që fillojnë me shkronjat: K = 1187 (9,640%), P = 1122 (9,11%), B = 10,33 (10,8,39%), e më së paku denduri (frekuencë) kanë ato fjalë, që fillojnë me nistoret: Ë = 10 (0,08%), Y = 15 (0,12%), X = 18 (0,15%), e kështu me radhë, nga një korpus prej 12311 njësish leksikore, edhe pse fonema ë, në fjalët e gjuhës shqipe, bashkë me fonemat a, e dhe bashkëtingëlloret n, r, t, kanë dendurinë më të madhe.
Po e përmbyllim këtë shkrim modest (nga një recension më i gjatë), duke shpërfaqur këtu një amanet (paksa nostalgjik) të vetë autorit, i cili, Pasthënien e fjalorit e përfundon “me një varg të këngës malësorçe, që thotë: Kaq e dita, kaq e thaç, merrnje ju tiejrt, se jua laç“, e me të cilin mesazh ne nuk do të pajtoheshim kurrë. Unë do t’i thosha profesorit e mikut tim me plot gojë e zemër: Jo, profesor, jo! Ju na duheni ende neve e i duheni edhe më shumë gjuhës shqipe. Ju dhe profesor Emili do ta ndiqni rrugëtimin – jetëgjatësinë e akademik Ajetit, të cilin e keni dashur e për të cilin keni shkruar aq shumë, andaj, dashtë Zoti, jetofshi sa Ai e më shumë se 102 vjetët e Tij! Ashtu qoftë!
Gjilan, 30 mars 2022