OPINION

Shkupi në veprat e udhëpërshkruesve francezë në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX

Shkruan: Dr. Enver Sadiku

Fundin e shekullit XIX dhe fillimin e atij të XX e karakterizoi rënia e pandalshme e Perandorisë Osmane, e cila kishte humbur fuqinë e dikurshme, mirëpo edhe në dekadën e dytë të shekullit XX, ajo vazhdonte që nën sundimin e saj të kishte një pjesë të madhe të Gadishullit Ballkanik e me këtë edhe trojet e banuara me shqiptarë.

Për gjendjen në këto treva ishin shumë të interesuara Fuqitë e Mëdha të kohës, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Rusia. Në këto anë kanë qëndruar shumë udhëpërshkrues, të cilët kanë shkruar mbi zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit. Ata përpos zhvillimeve politike, shkruanin edhe për proceset kulturore, infrastrukturën e qyteteve, monumentet kulturore e historike dhe të gjitha këto ua prezantonin lexueseve të tyre.

Në mesin e udhëpërshkruesve më të shumtë nëpër këto treva ishin francezët, të cilët në veprat e tyre shkruanin për luftërat, njerëzit, kulturën, arkitekturën dhe për qytetet nëpër të cilat kanë kaluar dhe i kanë vizituar.

Në mesin e udhëpërshkrueseve më të njohur, që në gjysmën e parë të shekullit XIX kanë kaluar nëpër Perandorinë Osmane ka qenë, udhëpërshkruesi i njohur francez Ami Bue (Ami Boué), i cili ishte anëtar i Akademisë Mbretërore të Shkencës. Ai, duke kaluar nëpër këtë perandori ka sjellë shumë të dhëna edhe për trojet e banuara me shqiptarë, kurse rrugën e tij e kanë ndjekur edhe udhëpërshkrues të tjerë siç ishin komandanti Lamush (Lamouche), anëtar i komisionit ndërkombëtar i ngarkuar për riorganizimin e xhandarmerisë turke, gjenerali Er, Frederik Zhorzh (Herr, Frédéric-Georges), i cili ka shkruar ditarin e tij për Luftëtat Ballkanike, pastaj Lui Lezhe (Louis Léger), Gabriel Lui-Zhare (Gabriel Louis-Jaray), gazetari dhe udhëpërshkruesi i njohur  Andre Sherdam (André Cherdamme), koloneli Andre Orioni (André Orioni) dhe të tjerë.

Shkupi në gjysmën e parë të shekullit XIX sipas udhëpërshkruesit francez Ami Boué

Ami Boué ishte një gjeolog i njohur francez, i cili në vitin 1840 publikoi studimin e tij të njohur shkencor „La Turquie d’Europe“ (Turqia Evropiane). Ai ka udhëtuar nëpër tokat e atëhershme osmane të jugut të Evropës dhe në vitin 1854 është botuar vepra e tij “Përmbledhje itineraresh në Turqinë Evropiane“.

Ami Boué kur e përshkruan qytetin e Shkupit, ai thekson se kur e shikon nga larg, qyteti i Shkupit duket shumë tërheqës dhe se 16 xhamitë e tij me kupolat e zeza dhe minaret e mëdha mbisundojnë drunjtë dhe shtëpitë me kulmet e kuqe.

Ai zbret poshtë tek tregu para kalasë së vjetër. Përshkruan si ka shkuar kah kalaja nëpër shkallët e vogla skaj rrethojës me murin prej guri. Boué mendon që ky mur ndoshta është vepër e romakëve dhe se duhet ecur skaj tij për të mbërritur te konaku i pashait.[1]

Sipas tij, Shkupi ka humbur monumentet e tij Bizantine dhe Romake dhe tashti duket si një qytet turk. Kur e përshkruan Kullën para Urës së Gurit, ai përkujton se ajo është ndërtuar në vitin 1462 në kohën e Muhamedit të Dytë. Ai shkruan edhe çarshinë dhe dyqanet e saja, të cilat sipas tij nuk ofrojnë diçka që mund të dallohet, përpos gjërave që përdoren më së shumti. Si më interesantete, ai përshkruan strukturën e mureve të larta të Kalasë dhe Urën e Gurit mbi lumin Vardar. Kur e përshkruan strukturën e urës, ai shkruan se ajo është e ndërtuar nga një strukturë e rëndë, nën të cilën gjenden ujëdhesëza të vogla.[2]

Shkupi para dhe gjatë Luftërave Ballkanike

Para Luftërave Ballkanike, në Shkup ka qëndruar Komandanti Lamouche, i cili ka qenë përfaqësues i misionit ndërkombëtar i ngarkuar për riorganizimin e xhandarmërisë turke dhe ai gjatë misionit të tij ai ka qenë në kontakte të vazhdueshme me popullatën.

Gjenerali Frédéric-Georges Herr  e ka vizituar Ballkanin para, gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Parë Ballkanike. Ai ka shkruar një ditar për udhëtimin e tij prej 17 shtatorit deri më 15 dhjetor të vitit 1912. Gjenerali  Herr, ka hipur në tren në kryeqytetin e Austro-Hungarisë në Vjenë dhe pas një udhëtimi të gjatë ka mbërri në Beograd. Udhëtimin e tij e ka vazhduar kah Nishi dhe të dielën më 14  nëntor 1912 ka mbërri në Shkup.

Kur i përshkruan njerëzit që i kishte parë nga dritarja e trenit, i cili nuk shkonte më tepër se 20 kilometra në orë, ai kishte vërejtur se gati të gjithë burrat kishin të veshur rroba kombëtare, kapela, mantele dhe pantallona ngjyrë të kaftë, të mbathur me çorapë të leshta të lidhura me lëkurë të deles dhe opinga nga lëkura e buajve. Kur shkruan mbi përshtypjet e udhëtimit të tij afër Shkupit, ai vëren se në këtë hapësirë jeton popullatë e ndryshme si për nga kombësia, feja dhe veshjet. Sipas këtij gjenerali francez, tek shqiptarët dominon ngjyra e bardhë e veshjes, romët bartin pantallona dhe  veshje me ngjyrë të ndezur kurse, kur i përshkruan priftërinjtë e Kishës Ortodokse shkruan se ata kanë flokë të gjata me bishtaleca dhe zinxhirë rreth qafe.[3]

Ky gjeneral francez, kur përshkruan Shkupin, shkruan se para Luftës së Parë Ballkanike ky qytet kishte rreth 50 mijë banorë dhe se ishte qendër e Korpusit të Shtatë të Armatës Osmane.

Ai gjithashtu e përshkruan edhe Urën e Gurit me vendkalimin për këmbësorët dhe qerret, si dhe urën hekurudhore. Ai shkruan se në Luftën e Parë Ballkanike turqit, kur e panë se do të mposhteshin, deshën të hidhnin në erë urën hekurudhore, por se dinamiti nuk shpërtheu siç mendonin, kështu që ura mbeti e padëmtuar.[4]

Ai e përshkruan qytetin e Shkupit si një qytet me kazerma të mëdha dhe me një spital me papastërti të papërshkrueshme, me materiale të prodhimit gjerman, por që ishin jashtë përdorimit për shkak të mungesës absolute të mirëmbajtjes. Ai gjithashtu vëren se është e pazakontë të shohësh pak njerëz në rrugë me fes (kapelë turke E.S.) në kokë, sepse tani që serbët kanë hyrë në qytet, ata kanë frikë të dalin në rrugë.[5]

Ai i përshkruan edhe qerret e mbushura me sanë të tërhequra nga qetë dhe buajt me brirë të gjatë, që shkojnë drejt Prilepit dhe Kumanovës, ndërsa kuajt, të cilët janë të paktë, janë të rezervuar për ushtrinë, për kalorësinë dhe për bartjen e municionit.[6]

Gjenerali Herr shkruan se e gjen veten në vështirësi të mëdha kur analizon dokumentet që disponon, sepse siç përshkruan ai, të njëjtat qytete dhe të njëjtat lokacione kanë emra të ndryshëm, të shkruar me alfabete cirilike, gjermane, turke e të tjera.[7]

Atij i duken shumë interesante edhe mbathjet dhe i përshkruan opingat për të cilat thotë se janë një lloj i sandaleve të lëkurës, që fshatarët i veshin me çorape leshi, por ndonjëherë edhe prej lëkure deleje. Nëse ka dëmtim të opingave, njerëzit i riparojnë ato vetë, sepse mbajnë pjesë të lëkurës në çantat e tyre. Sipas këtij autori, këto lloj këpucësh kanë përparësi në këtë vend, ku rrugët nuk janë të rrafshëta, janë me baltë dhe kanë përparësi sepse këto lloj mbathjesh thahen shpejt dhe nuk ka lëndime apo ftohje me to.[8]

Monumentet kulturore të Shkupit sipas udhëpërshkruesit francez Gabriel Louis-Jaray

Gabriel Louis-Jaray, doktor i drejtësisë dhe zyrtar i lartë në Këshillin e Shtetit Francez, vizitoi dy herë Ballkanin dhe botoi shënime nga udhëtimet e tij në Revistën “Le correspondent”, ndërsa në vitin 1913 shkroi librin “L’Albanie inconue” (Shqipëria e panjohur). Shkupin e ka vizituar në vitin 1912 dhe  shkruan se këtë qytet e ka vizituar edhe në vitin 1908. Kur krahason atë që pa katër vite më parë, me atë që sheh tani, Jaray vëren se pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë, se qyteti duket pothuajse i njëjtë.

Kur e përshkruan Shkupin, ai vëren se Shkupi është ende një qytet me një numër të madh xhamish të bardha, me minare të mëdha. Ai përshkruan edhe shtëpitë buzë lumit Vardar në të dyja anët, ku ka një numër të madh të shtëpive të pabarabarta. Ai përshkruan edhe gjendjen e rrugëve, të cilat shkruan se janë të mbuluara me pluhur dhe kujton se kur bie shi, ato mbulohen me baltë dhe gropat në rrugë bëhen moçale të vogla. Jaray, i cili jep hollësi për këtë qytet, shkruan se çdo person që e viziton këtë qytet, pashmangshmërisht i bie në sy një kazerme e madhe e ndërtuar mbi një kodër.[9]

Në vitin 1912, ky udhëpërshkrues shkruan edhe për rrugën e madhe që shkon drejt kodrës, për dyqanet në të dy anët e rrugës, përballë të cilave qëndrojnë shitës e tregtarë paqësorë të të gjitha kombësive dhe feve, duke ofruar mallin e tyre. Ndryshe nga viti 1908, kur ishte për herë të fundit në Shkup, Jaray vëren se në këtë rrugë ishin ndërtuar disa shtëpi të reja. Me ndryshimin e pushtetit, ai vëren se kanë ndryshuar edhe emrat e hoteleve dhe kafeneve në këtë qytet. Ish-“Hotel Turrati” tashmë është bërë “Hoteli i Lirisë”, më pas në këtë rrugë ndodhet edhe një kafene e quajtur “Kazinoja e Vogël.“[10]

Ai përshkruan edhe hanin e dikurshëm dhe kur përshkruan këto ndërtesa, shkruan se janë të njëjta, se brendësia dhe pjesa e jashtme janë të bardha, të lyera me gëlqere; nganjëherë brenda ka disa qilima, dyshemeja është prej druri të papërpunuar që shpesh lyhet me naftë dhe tani të gjitha këto ndërtesa  administrative janë tmerrësisht të papastra.[11]

Jaray shkruan edhe për popujt e ndryshëm që jetojnë në Shkup dhe se pasuria e Shkupit është kryesisht nga tregtia dhe bujqësia. Sipas tij, industria pothuajse nuk ekziston në këtë Vilajet, ndërsa ka filluar të regjistrohet në këtë qytet. Ai përmend një punishte për riparimin e vagonëve dhe lokomotivave, e cila punëson një numër të madh njerëzish dhe që është jo larg stacionit hekurudhor, një fabrikë birre, një fabrikë të vogël, disa fabrika tullash, një fabrikë për korda, disa mullinj, një fabrikë elektrike, por që prodhon llamba të dobëta, të cilat nuk mund të ndriçojnë qytetin. Ata që punojnë paguhen shumë pak dhe marrin 2 piastra në ditë, ndërsa vëren se gratë nuk punojnë.[12]

Sipas tij, Shkupi është udhëkryq i rrugëve nga të gjitha anët, prandaj ky qytet, i cili ka një pozitë të jashtëzakonshme gjeografike, tani është bërë një vend i madh tregtar, se lugina e Vardarit ka tokë pjellore që sjell prodhimtari të shkëlqyer bujqësore dhe se prodhimi më i madh janë prodhimi i drithërave, elbi, tërshëra, thekra dhe misri, në pjesën jugore prodhohet edhe orizi, duhani dhe prodhime të tjera.[13]

Udhëpërshkruesi francez André Chéradame, i cili botoi një artikull me titull “Si ka ndryshuar Ballkani pavarësisht Evropës”, ​​shkruan për gjendjen e vendeve pas Traktatit të Bukureshtit. Ai shkruan edhe për interesat e Francës në këto vende. Sipas tij, ai kishte vetëm një preokupim për t’i parë gjërat ashtu siç janë. Ndër të tjera ai shkruan edhe për qytetet që ka vizituar si Ohri, Struga, Shkupi, Manastiri, Selaniku e qytete të tjera.[14]

Shkupi një qytet i rëndësishëm historik i së ardhmes

Kolonel André Ordioni, i cili ishte në krye të Ushtrisë së Orientit, mbërriti në Ballkan në nëntor 1917 dhe pas disa detyrave, në shtator 1918 u bë komandant i ushtrisë së Manastirit.

Në shkurt të vitit 1919, ai vizitoi Shkupin dhe shkruan për këtë qytet, për të cilin thotë se është qyteti i së ardhmes, se është qytet historik dhe i rëndësishëm dhe se është qyteti i Dardanisë së vjetër, i Justinianit, i Perandorit Dushan dhe kryeqyteti i Lumi Vardar.

Ai përmend Urën e Gurit, si dhe ngjarjet historike në këtë qytet, ndërsa gjatë luftërave ballkanike ky qytet ishte objektiv i ushtrisë serbe, sepse ky qytet ka rëndësi strategjike. Kolonel Ordioni vëren se Shkupi ka një numër të vogël serbësh.

Ordioni vëren se Shkupi nuk ka monumente të denja që mund të llogariten si të tillë, por dallon Kalanë e Vjetër dhe kishën pranë saj, ku ka freska të bukura dhe ikona të vizatuara në dru me një finesë të shkëlqyer. Në krahun e djathtë të breglumit ndodhet një qytet i ri me konsullata, banka etj., i cili ngjan me një qytet evropian dhe ndryshon nga ana tjetër, e cila është e tipit oriental. Pjesa e vjetër e qytetit ka shumë xhami, njëra prej tyre është e mrekullueshme dhe ka disa tregje, ndërsa lagjja e krishterë ka manastirin e Shën Markut.

Shkupi ka edhe monumente të tjera si mullinj me avull, punishte lëkure etj.[15]

Përfundimi

Shkupi ka një të kaluar të pasur, të cilën e vërtetojnë një numër i madh i udhëpërshkrueseve francezë që e vizituan këtë qytet gjatë dekadës së dytë të shekullit të 20-të. Këta udhëpërshkrues kanë shkruar në veprat e tyre për këtë qytet dhe mund të kolaudojmë se udhëpërshkruesi francezë kanë shkruar në mënyrë të paanshme dhe se kanë paraqitur në mënyrë të kënaqshme trashëgiminë kulturore të këtij qyteti në dekadën e dytë të shekullit të 20-të.

Veshjet dhe mbathjet kombëtare të të gjithë popujve që jetojnë në Shkup, zakonet e atyre njerëzve, objektet fetare të Kishës Ortodokse, Xhamitë me Minare, Kisha Katolike, Kalaja e Vjetër, shkallët e vjetra, Ura e Gurit mbi lumin Vardar, Kazerma e Madhe Turke, arkitektura e shtëpive, Konaku i Pashait, dyqanet dhe objektet e tjera zgjuan interesin e udhëpërshkrueseve francezë dhe të gjitha këto objekte, të shoqëruara me fotografi, u prezantuan në veprat e tyre, në mënyrë që publiku francez dhe lexuesit në gjuhën frënge të informoheshin për të gjitha këto.

Bibliografia

Bibliothèque Nationale de France Direction des collections Paris, Département Sciences et techniques 8-V-2261 (1914-1924), La Macédoine, ses populations, Conférence fait le 11 juin 1914 a La Mairie du VI par le Commandant Lamouche, ancien membre de la mission militaire internationale, chargé de réorganiser la gendarmerie turque. Paris. 1914.

Boué Amie. Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe détails géographiques, topographiques et statistiques sur cette Empire. Tome premier. Vienne : En Commission chez W. Braumüller. 1854.

Chéradame André. « Comment les Balkans se sont transformes malgré l’Europe ». Paris. 10 mai 1914. 1912.

Ecrits de colonel André Ordioni, présentés par son petit-fils Dominique Danguy des Déserts, Un officier français dans le Balkan, Tome I, Albanie et Macédoine – Shkrime të kolonelit André Orioni, paraqitur nga i nipi  Dominique Danguy des Déserts, Një oficier francez  në Ballkan 1917 – 1925, Vëllimi I, Botimet Papirus, Tiranë, 2014.

Herr, Frédéric-Georges.  Sur le théâtre de la guerre des Balkans : mon journal de route, 17 novembre-15 décembre 1912. Paris : Berger-Levrault. 1913.

Leger Louis.  Les peuples Balkaniques et leurs aspirations nationales, La science et la vie, Tome VIII, nr. 23 Octobre et novembre 1915. Paris, 1915.

Louis-Jaray Gabriel. “Uskub”. Le Correspondant, revue mensuelle: religjion, philisophie, politique, historie, sciences, ekonomie sociale, voyages, literature, beaux-arts. 10 octobre 1912.   V.-A Waille, Paris, 1912.

[1] Amie Boué. 1854. Recueil d’itinéraires dans la Turquie d’Europe détails géographiques, topographiques et statistiques sur cette Empire. Tome premier. Vienne : En Commission chez W. Braumüller. p. 210.

[2] Ibd.

[3] Herr, Frédéric-Georges. 1913. Sur le théâtre de la guerre des Balkans : mon journal de route, 17 novembre-15 décembre 1912. Paris : Berger-Levrault. p. 24.

[4] Ibd. p. 25.

[5] Ibd.

[6] Ibd. p.31.

[7] Ibd.

[8] Ibd. p. 36.

[9]Gabriel Louis-Jaray. 1912. “Uskub”. Le Correspondant, revue mensuelle: religjion, philisophie, politique, historie, sciences, ekonomie sociale, voyages, literature, beaux-arts. 10 octobre 1912.   V.-A Waille, Paris, 1912, p. 473.

[10] Ibd.

[11] Ibd. p. 474.

[12] Ibd. p. 477.

[13] Ibd. p. 480.

[14] André Chéradame. 1914. « Comment les Balkans se sont transformes malgré l’Europe ». Paris. 10 mai 1914, p. 417.

[15] Ecrits de colonel Ordioni, présentés par son petit-fils Dominique Danguy des Déserts, Un officier français dans le Balkan, Tome I, Albanie et Macédoine – Shkrime të kolonelit André Orioni, paraqitur nga i nipi  Dominique Danguy des Déserts, Një oficier francez  në Ballkan 1917 – 1925, Vëllimi I, Botimet Papirus, Tiranë, 2014, p. 85-86.

You Might Also Like