Gjilan

Masakra e Gjilanit, lot, trishtim e dhimbje – tregimi autentik i babës

Shkruan: Muhamed Sadriu

Masakra e Gjilanit ishte njëra ndër ngjarjet më makabre e komunistëve e kryer në kryeqendrën e Anamoravës pas Luftës së Dytë Botëore, por me këtë janë marrë historianët dhe duhet të vazhdojnë të merren ende, sepse ka ende shumë për t’u thënë e shkruar, që të plotësohet historia e që pasardhësit tanë të jenë në dijëni më të gjitha katrahurat që ka kaluar ky popull i përvuajtur me shekuj.

Një tregim që do ta ndajë me ju është ngjarje e vërtet, e treguar nga babai im që ma kishte përsëritur disa herë, e të cilën unë po e barti pa emra, por siç e ka ka treguar baba, pa as edhe një ndryshim të vetmin (e kam shkruar shumë heret, ndoshta para 40 viteve, por ja që tash i erdhi radha ta publikojë).

“Si i ri (akoma nuk i kisha bërë 15 vjet), gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, si Hafëz që më patën caktuar të lexoja mukabele Kuran, në Xhaminë e Madhe, pasi isha shumë i ri për mos me thënë fmijë, edhe xhemati më nderonin pa hesap, më merrnin napër iftare dhe besa kaloja shumë mirë.

Një ditë pas namzit të teravive një xhematli më tha; “sonte je musafir i jemi”. Unë e njihja mirë sepse ishte një njeri i respektushëm për mua, por edhe për krejt Gillanin, jetonte në qendër të Gillanit, kishte një zanat (që për hirë të korektësisë nuk po e përmendi) pa të cilin nuk mund të paramendohej jeta në atë kohë. U nisëm për te shtëpia e tij. Gjatë tërë rrugës më dukej si i dëshpëruar (ishte njëri nga të mbijetuarit e masakrës – indirekt).

Pasi arritëm te shtëpia e tij, ai për të më nderuar më pyeti: “Hafëz a po don kafe a po don çaj?”, meqë unë isha shumë i ri i thash se ndoshta naj çaj është më i lehtë se isha lodhur, kisha lexuar Kuran dhe isha tu ninu. Pasi më solli çajin, e pyeta: mixha Xhemil (nuk ishte emri i tij i vërtet) diçka po me dukesh që je shumë i merzitur, po më duket se je ‘tu nejt si në therra’, unë jam shumë i ri po ama sytë e tu po doken që kanë shumë gajle e shumë halle, edhe pse sipas asaj që e di, e kam dëgjuar, ti i ki renet mirë n’shpi!.. Më shikoi n’drita t’syve edhe ofshau një herë shumë që kurrë askënd nuk e kisha dëgjuar ashtu. Pasi e liroi frymën, m’u drejtua; “e more Hafëz, i ri je ti edhe me t’i ba kto pytje, po edhe besa me ta kallxu hjeken e merzijen teme, po masi po don me ditë, po ta boj ni pytje; shka po ta mer menja sa asht e amel jeta?”. Unë njëmend isha i ri për t’ë dhënë përgjigjje në këtë pytje, me tana ato vjet, me tana ato vujtje të tij, me tanë ata njerëz që i kishin kalu napër duart e tij, me gjitha ato tregime e përvoja që i kisha dëgju prej tij, i thash: po, unë jam shumë i ri me me t’u përgjigj, unë njëmend jam Hafëz po jam shumë i ri dhe nuk kam shumë përvoj në jetë. E përsëriti të njejtën gjë si më pare: “po për qato të thash o Hafiz se ti je hala i ri e nuk po di as a me t’i kallxu hallet e dertet e mia a jo”, u mendua pak edhe vazhdoi; ”po, po t’ kallxoj bre Hafëz se ti je i ri e munesh me majt n’men e me jau kallxu njerzëve se ti masi je Hafiz, ka me të ra me shku kasmos e asht mirë me lanë mas veti këtë çka po du me ta tregu; kur u ba masakra e Gillanit masi që mu m’njifshin kejt shehri, nji njeri i hyqymetit erdhi te puna e jeme edhe m’tha; qëto dy tri ditë mos u sill kah shpija natën po edhe nëse jeni n’shpi nëse ju kerset dikush n’derë naten, mos dil, as ti as mos e le najkan me dal mi çelë dyrtë se kanë mi mledh burrat e shehrit edhe nuk asht puna mirë. More Hafëz me ta thanë të drejtën, pak nuk i besova pak u bana “bu….ll” mi mur Zoti mentë edhe nuk e zuna përnime. Ka gjysa e natës kërsiti dera e shpisë, u çu djali i madh me qel deren edhe me këqyrë kush asht, kurrë nuk e di more Hafëz qysh m’i shkurtoj Zoti kambët edhe ma nali zanin e nuk mujta mu çu vet po edhe me nal djalin mos me dal, veç e di që kur ka dal djali i kam thanë plakës; dil këqyre edhe ni here se ma s’ki me e pa djalin me sy. Plaka ja nisi me kajt edhe me m’vet; pse çka u ba, kush asht e çka asht t’u ba vaki, kush janë kta njerz krejt n’vaj,.

O Hafëz as nuk mujsha me ju përgjegj m’u prejten kejt fjalët, meniher m’ra n’men ai njeri i hyqymetit, m’dulen fjalët e tij, m’i këputi Zoti kamt edhe ma mur zanin, nuk mujta as me dal deri te dera me pa për herë t’fundit djalin. Ma moren, o Hafiz, edhe nuk u kthy ma kurrë, bashkë me gjithë ata tjerët rahmetlitë, që i pushkatun, nuk mujta kurgja me ba as për djalin tem edhe pse um njofshin kejt Gillani. M’i lanë fminë jetima, mu ka merzit jeta, jam ba pishman që nuk dola unë me e çelë atë viran dere, e me më marr mu, po ma morën djalin, nuk asht ka m’vynë ma jeta, e kam vendos me ik pi këtij viran veni, nuk muj ma me rrnu këtu, pi marr familjen edhe po iki.

Këto po ta kallxoj se nuk jam t’u mujt m’u ba rahat se po me duket se më mashtroi jeta, dynjallaki, e fjalët e atij t’hyqmetit nuk i zuna pernime edhe e hupa djalin. Po du me të kallxu o Hafiz se jeta kanihere na mashtron po tana gabimet që nuk mujmi mi ndreq naj gërditin jetën, o Hafëz.

N’ven se unë me shku e me çelë derën e mos m’u kanë sot me ty këtu, m’shkoi dajli n’lule t’rinisë, nuk po muj me ja fal vetës këte, o Hafiz, me mytë vehtën nuk asht adet edhe asht haram po për që m’jetohet, nuk um jetohet asnji dakik, ama bash asni dakik. Për qato e kam vendos me ik pi ktuhit edhe mos me prit ma asni Ramazan ktu, ky asht i fundit n’Gillan”.

Fytyra e tij ishte e bame qull prej lotëve edhe nuk mundi ta ndalë dënesen prej vajit, njëjtë as unë. Që të jetë një ngjarje shumë e rëndë, nuk kisha dëgjuar asnjëherë përjetim më të rëndë.

Pas këtij, tregimi babës nuk kemi mundur as unë e as ai me fjetë asnjë minut, ndejtëm deri n’syfyr, e falëm sabahun…Edhe njëmend ka pas shku n’Turki, atje e ka hala familjen”, e përfundonte me lot tregimin baba im.

Dhe, për hirë të së vërtetës, sa e herë e kam dëgjuar këtë tregim nga baba im, jo veç ne të dy, po të gjithë ata që kanë rastisë ta dëgjojnë, e kanë përjetuar të njejtën ndjenjë; lot, trishtim dhe dhimbje.

Edhe sot kur e mendoj, pyes veten;: a thua sa e sa shqiptarë e kanë pas fatin e këtij personazhi, sa tmerrin e ka kaluar ky popull i përvujtuar e i sakatosur, prandaj është obligim dhe detyrë e jona që t’i ndriçojmë këto raste autentike dhe pasardhësve tanë t’ua bëjmë me dije deri ku mund të arrijë mendja e fëlliqur e serbëve, njerëzve më barbarë të shekullit tonë!

Muhamed Sadriu, arch

Gjilan, dhjetor 2023

[email protected]

You Might Also Like