Libri

Dy poezi të zgjedhura nga përmbledhja e fundit “Vorbullitë” e poetit Shefik Shkodra

Shefik Shkodra

 

PROLOGU I DRAMËS

 

 

DASHURI E PAKUFIZUAR

1.

Nuk e di, fare s’e di çfarë të them për energji

Krijesat i falin njëra-tjetrës o e marrin kozmosit             

Nuk jam i sigurt edhe pse syri kapërdinë gjërat

Arsyeshëm a me iluzione nëpër rrathët e vjetër     

Thjesht as mendja nuk po pushon për një nxitje

Rrapëlluar në netët e nxehta e këmbët e ftohta

Lutja është e gjatë dhe e pambarim për rikujtim

Nuk e di, nuk e di deri në cilën shkallë e çast vjen 

Mundësia është lërimi i kësaj are ugar e gatshme

Se fara është vështirë për të mbirë mbi dhé çarë

Kur sorrat vrapojnë kryq e tërthorë në mbledhje

Frytet kusarët e njohur ngarkojnë me qerre gjithë

 

Hullitë i fshihnin gabimet historike si ngushëllim

Kiçi nis po e mbulon tërë fushën e malet si blerim                    

Joshje jashtë realiteti me bimën parazite kindëla!*

 

2.

 

Për pak harrova ta kujtojë atë që njëherë e pash

Më duhet të rrëfejë si për një anekdotë të lashtë 

 

Sa një kandil të ndizej në tryezë natën pa hënë

Aq mjaftonte sikur kiameti të bëhej e të takoja

Kurrë pa të frikësuar si sot shprehí e do njerëzve 

Vetëm sa të sodisja e të futesha brenda magjisë  

Bukuria  e syve të blertë prej asaj të gështenjtë

Asnjëherë nuk kisha vërejtur flokë si mëndafshi  

Shembeshin herë në një anë e herë në anë tjetër

Fryma më zihej e po vdisja dhe sa distancë kisha 

Kafen përpinte pa hetuar si një zog për ujë i etur

Buzët fshihnin ashkun e rastit përballë drenusha  

Dhëmbët kokërr gruri pastër si të hedhur në erë

Nga pak skuqej kur kthente sytë me rojë kolegët 

Dhe ti bëheshe se nuk do t’ia ngacmoje miqësinë

Pash kur i ngrehje vetullat se si hapej ajo fytyrë

Hëna e dalë bjeshkës s’mund të matej me atë nur 

Nimfë magjike aq tërheqëse pa pyetur asnjë forcë

Rrallë qeshje pak flisje shikimi ishte i shpejtë rrufe

S’e di a kam forcë ta ruaj në kuti zemre atë hijeshi

Si t’ia bëje portretin më mirë krejt trupin obelisk

S’mund të thuhet se është përfytyrim as një kllapi!  

 

3.

 

Grumbuj qeniesh treten asaj hinke pa rikthim  

Thirrje vërtet e shurdhët s’ke si do ta emërtosh

Po ta dije portën çdo ditë do të kaloje aty pranë

Nuk do t’ia harroje as rrugë as numër përkujtim

S’do ngrysje natën pa dëftuar kujdes të mprehtë

Asnjë herë nuk do të ishe esëll s’do të flije i qetë

Erosi xixëllonte sytë në ato pjesë trupi si zhveshë

Po pamja e fytyrës së hyjneshës ndrinte përreth

Shkrepte për mrekulli në gjeografinë e Dardanisë        

 

S’di as kush je as e kujt ishe veç të ruajë perëndia

Prej pickimeve të mushkonjave netëve e prej qenve

S’di çfarë njeri e çfarë lirie kishe këtyre hapësirave

Veç bukurinë do të duhej ta ruaj edhe gjithë bota

S’kishe parë tjetër hir rrugëve të gjata e pa u ndalë 

 

Sikur të fshiheshe në njërin xhep rrobash si guralec

Ata gishtërinj të të ledhatonin fryma të avullohej   

Sikur të bëheshe insekt – flutur fluturimesh përreth

Flokëve tu e të ndaleshe për të parë e prekur lezet 

Bukuria ishte një komplot zjarr-vrasje krejt rrënim

Njëherë mjafton të këndonin ode njerëzia ëndshëm

 

Zhgënjimi matej gjithë moteve me ngashënjimin!

 

4.

 

Po pra kataklizëm natyre e prapësi njeriu rrënuan

Palë toke u përplasën nga tërmete e shira si deti 

Pallatit tënd nuk i dihet themeli përditë gjurmojnë

Mjeshtërit derisa të hyjnë në gryka të korridoreve

Derisa të qetohet erë e keqe e ardhur anës veriore

Derisa hordhitë barbare të ndeshen me Apokalipsin

Derisa ne dashurojmë për ardhmërinë shekullore!  

 

 

 

RRËFENJË PËR BRUTALITETIN

 

 

Po mos t’ishe ti në këtë sipërfaqe toke dikur

S’do t’isha dëshmitar për kusaritë ndaj teje 

Për rrëmbimin tënd edhe pas vdekjes gand

I kemi përsëritur vdekjet për hatër të fisit e

Janë kallë arat për hir të vatrës së zvogëluar 

Çerdhe lejleku te oxhaku disa herë e prishur

 

Dhunimin tënd e kanë përjetuar breza e breza 

Rruga ishte e mundimshme po s’është ndalur

 

Dhe po të mos ishe ti s’ka pasur për çka të flas

Këngët s’do të kishim kujt t’ia kushtonim për be

Hordhitë barbare nuk i gjetën të gjitha stolitë

Ky bar këta drunj u zhdukën atëherë veç rrënjët

Dhe gurët e fshehur nën tokë rëndë s’barteshin

 

Thërrasin burizanë e shpalohej toka si nën jorgan   

I dhanë një ngjyrë prapë e ti miku im je gëzuar

E ndoshta dikush u tmerrua nga orenditë përreth 

E sërish në formë gur-latuari u gjende e robëruar

Për fat të keq nipërit tu ende s’kanë forcë e flatra

Që të arrijnë deri te qytet i sinorit pak rrugë e gjatë

Visaret me thasë u fshehën nëpër biruca nordike 

E ndoshta një ditë shpejtohet me sa mjete fisnike

Vepra e njeriut për mbrojtje do të sjellë liri jete

 

Të kemi nuse e nënë të rritësh ende fëmijë oj zanë!

 

2.

 

S’ka rëndësi sa ka vuajtur e sakrifikuar mjeshtëri

Janë mprehë shtiza e sëpata për ujkun në torishtë 

Aq ka mundur të bëjë atëherë për trupin tënd 

Dukja ishte dëshmi e pa lëvizshme në këtë tokë

E rritur prapë e varrosur kësaj ane të Dardanisë

Hyjneshë përtëritëse e pëlleshmërisë në ringjallje

Sakrificë e pabesueshme nëpër thonj gjakpirësi

Më vjen keq e dëshpërohem me heshtje nga zori

 

T’i prenë të gjitha degët për të harruar gjithmonë

Po prapë ylli lart në qiell nënvizoi me rreze të vet 

U rritën filiza këtij trualli e e stilizuan qytetërimin

E u gjetën rrënjët në krejt nëntokën e lavdishme

E i kënduam kohës tënde – ty dhe ushtrisë varg

 

Ishim të vetëdijshëm për armikun që ekzistonte

Grabitqarë pa mundi po me gjak të vendorëve

Shpaloste fletët që s’ishte askund i regjistruar

 

Dhe kjo arë e livadh ish’ e shkelur nga ti zonjë

Dhe këndimet nuk u ndalën kurrë nga kori jonë

Dhe ato gjurmë s’mund t’i fshinte as era e shiu

 

Të grabitën hijet e zeza se ishe një zonjë atëherë

Si sot figurë e gdhendur me gjësende mjeshtërie

Të kujtohet mik e më mirë na kujtohet të gjithëve 

 

Meqë ishe ti ne do të këndojmë edhe në këtë ditë

Shpresojmë se do të ngrihemi nga zjarri pas teje

Do të valojnë rrobat e bijve të bijve me aq forcë

 

Do të prek dhe njëherë gjoku me nallçe kthesave

Vijës Aegnatia larg deri te kori i botës së çmendur!  

 

 

Dy poezi të zgjedhura nga përmbledhja e fundit “Vorbullitë” e poetit Shefik Shkodra.

You Might Also Like