Profesorë dhe nxënës të Gjimnazit Ataşehir Rotary Anadolu Lisesi
kanë qëndruar në Gjilan, ku kanë vizituar Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” me të cilin janë binjakëzuar vite në parë.
Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në cilësinë e mikpritësit ka falënderuar miqtë nga Turqia për vizitën që i kanë bërë gjimnazit dhe ka theksuar se duke shënuar rritën e saj, shkolla për çdo ditë po shënon suksese në garat e diturisë nga niveli komunal në atë republikan e deri në garat ndërkombëtare si edhe sukseset e shumta në disiplina të shumta sportive në nivel të Republikës sonë.
“Sot Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” i ka 28 paralele me mësim në gjuhën shqipe dhe 3 paralele me mësim në gjuhën turke. Rreth 70 punëtorë, mbi 800 nxënës me mësim në gjuhën shqipe dhe 15 nxënës me mësim në gjuhën turke. Të gjithë këta kanë bërë që Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” të jetë ndër shkollat më të suksesshme në Kosovë”, ka thënë Mustafa duke shtuar se ta vazhdojnë këtë rrugë për shkallë më të lartë të dijes, për më shumë suksese dhe për më shumë shpresë dhe besim.
“Shkolla e jonë ka bashkëpunim me shumë institucione, ka shumë miq e ndër ta ka edhe miq nga Turqia, të cilët nëpërmjet donacioneve kanë kontribuuar në rritën e shkollës sonë. Falë këtij bashkëpunimi në vitin e ri shkollor, shkolla e jonë duke iu falënderuar KFOR-it turk do të bëhet edhe me kabinetin e robotikës”, tha Mustafa dhe shtoi se binjakëzimin do ta thellojnë edhe më shumë.
Ismail Yüksel, drejtor në gjimnazin Ataşehir Rotary Anadolu Lisesi, ka thënë se qëllimi kryesor i kësaj vizite është thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë në mes të nxënësve e mësimdhënësve dhe është angazhuar që ky partneritet të rritet edhe më shumë.
“Gjimnazi i ynë i ka mbi 1000 nxënës, 69 mësimdhënës dhe ka disa drejtime, kurse në shkollën tonë ka edhe shumë aktivitete të tjera që zhvillohen”, ka thënë Ismail Yüksel, drejtor në gjimnazin Ataşehir Rotary Anadolu Lisesi, i cili bashkë me nxënës dhe mësimdhënës kanë vizituar klasat, kabinetet e nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, janë ndalë në bashkëbisedim, kanë shkëmbyer dhurata, kanë vizituar qytetin e kanë drekuar së bashku.
Ndryshe, Orhan Sahit, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Turke ka bërë prezantimin e një historiku të qytetit të Gjilanit, të Gjimnazit ndër vite si dhe traditës së mësimit në gjuhën turke në komunën e Gjilanit dhe në gjimnaz.
Me dëshirën për një vizitë të ndërsjellë, dy gjimnazet janë përshëndetur miqësisht deri në takimin e radhës.