Libri

U promovuan dy libra me temë nga Kosova të autorëve francezë

Në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini” këtë të shtunë janë promovuar dy libra “Shkolla e popullit: dhjetë vjet lufte të pa dhunë në Kosovë 1990 – 1999”, i autorëve  francezë Jean-Yves Carlen, Jean-Marc Muller dhe Jean-Claude Moog si dhe libri “Re përrallore” i autorit Jean-Yves Carlen.

Në këtë festë të librit, fillimisht është shfaqur një valle tradicionale nga Krahina e Alzasit në Francë e më pas edhe një valle me motive kosovare. Kjo ngjarje kulturore është udhëhequr nga Liridonë Mehmeti e organizator i kësaj ngjarje kulturore ishte profesori Tahir Dalipi, i cili njëkohësisht ishte përkthyes i librave dhe deklamoi disa poezi, nën përcjelljen e kitaristit Mehmetali Arifi.

Për librin “Shkolla e popullit: dhjetë vjet lufte të pa dhunë në Kosovë 1990 – 1999” me një vështrim është paraqitur Enver Sadiku, derisa me një vështrim kritik për librin “Re përrallore” është paraqitur studiuesi Halim Halimi, vështrime të cilat gazeta online kryelajmi.com do t’i publikojë të plota.

Autorët janë ndalë në bashkëbisedim me pjesëmarrësit, të cilët kanë shprehur mirënjohje për autorët që i janë një teme të tillë, që është me interes. Fillimisht Jean-Yves Carlen, që është një njohës i madh i çështjes së Kosovës, me admirim ka folur për shkollimin paralel në Kosovë dhe për shkollat e popullit, sikurse edhe për intervistat që i kanë marrë në terren, të cilat më pas janë botuar në libër.

Jean-Marc Muller, i cili është autor i pjesës së tretë në libër, ka bërë një krahasim në mes të sistemit shkollor të ish-Jugosllavisë, sistemit kosovar dhe atij francez, duke theksuar se e kishte pasur të vështirë të furnizohej me të dhëna nga sistemi i parë, andaj ka shfrytëzuar burime nga interneti, derisa ai ka bërë një paralele ndërmjet shkollimit në Kosovë dhe atij francez, duke bërë me dije se edhe Franca ka kaluar nëpër të njëjtat sfida me të cilat po përballet sistemi arsimor në Kosovë. Muller ka thënë se Franca ishte një ndër nismëtaret e sistemit evropian në arsim dhe për këtë qëllim ka punuar për 50 vite, derisa Kosovës me mjete shumë më modeste dhe për një kohë shumë të shkurtë po i kërkohet që të bashkudhëtoje me vendet e zhvilluara evropiane. Muller ka theksuar se Kosova ka një të ardhme plot shpresë, sidomos në mësimin e gjuhëve të huaja, përfshirë aty edhe gjuhën frënge, ngase ka një diasporë shumë të fuqishme, derisa për të si shumë me interes janë parë edhe shkollat dygjuhësore në Kosovë, më qëllim që më shpejt edhe Kosova të bëhet pjesë e BE-së.

Jean-Claude Moog, me plot admirim ka folur për mënyrën se si është zhvilluar mësimi nën kushte okupimi dhe ka sjellë përvojat e tij nga Krahina e Alzasit në Francë. Ai është angazhuar që mos të shlyhet kujtesa historike, ngase siç ka thënë ai që nga hera e kaluar ka parë shumë ndryshime që kanë ndodhur në Kosovë. Sipas Moog gjeneratat e reja duhet të jenë në dijeni për të atë që ka ndodhur në Kosovë, andaj edhe libri që ai bashkë me kolegët e tij e kanë shkruar është në atë funksion.

Në bashkëbisedim janë kyçur edhe Gjylishene Berisha, ish-profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e më pas edhe drejtoreshë në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, Ismajl Kurteshi, ish-mësimdhënës i Gjuhës Angleze, Alush Leci, profesor i gjuhës frënge, Avni Islami, ish-profesor i Gjuhës Angleze dhe folës të tjerë, të cilët kishin përjetuar shkollimin nën kushte okupimi dhe të gjitha vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar arsimi shqip.

Librat janë të shkruar në gjuhën frënge e të përkthyer në gjuhën shqipe nga profesori Tahir Dalipi dhe ata lexuesit i vijnë për lexim në këto dy gjuhë./kryelajmi.com/.

You Might Also Like