Në fillim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, Qazim Aliu ishte i ri dhe në udhëkryq se çfarë të regjistrojë në fakultet. Një këshillë e profesorit të gjuhës frënge Qazim Selimi e kishte orientuar në atë në karrierë, Qazim Aliu, atëbotë një i ri e tashti profesor në pension kishte ndjekur sugjerimin e mësimdhënësit të tij, shkruan kryelajmi.com.
Këshilla ishte e qartë dhe largpamëse, orientimi për gjuhë angleze dhe profesori Qazim Aliu kishte regjistruar studimet për gjuhë dhe letërsi angleze, degë e cila sapo ishte hapur në Universitetin e Prishtinës e ndër kolegët në gjeneratën e parë e kishte pasur edhe Ismajl Kurteshin, ish-deputet e udhëheqës i komunës së Gjilanit pas luftës.
Më 1973, profesor Qazim Aliu kishte marrë në dorë ditarin për të punuar në Shkollën Fillore ,,Musa Zajmi”, mirëpo nuk shkoi shumë kohë e në derë ia behën nga sekretariati, ngase futja e anglishtes kishte larguar nga mësimi gjuhën ruse dhe profesori Qazim ua kishte bërë me dije atyre se ai nuk ishte përgjegjës për këtë punë dhe pas dy orë mbajtje ishte liruar.
Koha po ecte e profesori Qazim Aliu po përhapte dijen tek nxënësit e tij me disiplinë e kënaqësi të madhe, duke edukuar gjenerata të reja. Derisa ishte student – absolvent në vitin e katërt më 1976, profesori Qazim Aliu kishte vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më vonë këtë rrugë e kishin ndjekur edhe fëmijët e tij, që shkuan në SHBA, por që më pas u kthyen.
Në vitet më të vështira për arsimin në gjuhën shqipe, profesorit Qazim Aliu i kishte lindur ideja që të hap një shkollë, Qendër Edukimi për mësimin e gjuhës angleze në vitin 1996. Me vështirësi të mëdha u arrit që të sigurohet leja e qendra u hap.
Qazim Aliu, nuk deshi që të mbajë dy vende të punës, por u largua nga puna në shkollën ku punonte dhe nisi punën siç thotë ai në një dhomë gjumi. Numri i nxënësve sa shkonte e rritej dhe këtë shkollë e frekuentonin nxënës, studentë, inxhinierë e mjekë dhe u shtua nevoja që të hapet edhe një klasë dhe për 20 vite nëpër këtë shkollë kaluan gjenerata të tëra, të cilët me vëmendje përcillnin gjeneratat, duke mos munguar asnjëherë.
„Kur vinte kohë që vijuesit mbaronin një cikël dhe atyre duhej shpërndarë certifikatat, unë shpesh futesha brenda në kuzhinë në shtëpi dhe nuk mund të përballoja ndarjen, por edhe nga gëzimi dhe më mbërthenin lotët“, vazhdon rrëfimin e tij, profesori Qazim Aliu.
Dikur të vetmet mjete të konkretizimit ishin shkumësi e dërrasa, por sot gjërat kanë ndryshuar tashti është kohë e kompjuterëve dhe inteligjencës digjitale, andaj profesori Qazim u drejtohet prindërve me lutjen që të punojnë më shumë me fëmijë, që t’i kenë ata nën kontroll, ngase për një prind rezultatet e fëmijës janë e arritura më e madhe e çdo prindi, një ilaç e bar që e mbajnë prindin gjithnjë të fortë e me vullnet të madh.
Këtë sukses e kanë arritur edhe fëmijët e tij, që u shkolluan në SHBA dhe tashti janë kthyer në Kosovë për të shpërndarë dijen e fituar përtej Atlantikut tek gjeneratat e reja në sferën e teknologjisë informative. /kryelajmi.com/.