LAJME

Arsimi në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta pasqyrohet në një gazetë franceze

 

Këtë fillimvit, Gazeta e njohur franceze Les Dernières Nouvelles d’Alsace (DNA), ka botuar një artikull, të autorit me inicialet M.B., që i kushtohet mësimit në shkollat shqipe në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta me titull “Shkolla e Popullit, një episod i rezistencës në Kosovë”, artikull ky që bazohet në librin tre autorëve francezë Jean-Yves Carlen, Jean-Claude Moog dhe Jean-Marc Muller, që tre pjesëtare të Alternativës jo të dhunshme (MAN) me qendër në Kolmar, që është në krahinën e Alzasit në Francë. Ky libër bënë fjalë për shtëpitë shkolla, i njohur ndryshe edhe sistemi paralel i mësimit në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta, ngjarje këto të përshkruara në librin “Shkolla e popullit: dhjetë vjet luftë të pa dhunë në Kosovë 1990 – 1999”, libër ky i shkruar në frëngjisht dhe në shqip, i përkthyer nga profesor Tahir Dalipi e cili ishte promovuar edhe në Gjilan muaj më parë.

Gazeta DNA, artikullin e saj e nis me lidhjen e kamotshme që MAN ka patur me Kosovën edhe atë që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, kur popullata shqiptare po luftonte për pavarësi përballë pushtetit serb të Sllobodan Millosheviqit. Gazeta rikujton se në atë kohë, Ibrahim Rugova ishte një lider i një lëvizje dhe rezistence qytetare të padhunshme që po e luftonte këtë pushtet, duke krijuar një shoqëri paralele me shkolla dhe administratë autonome. Në fillim këtë lëvizje të kosovarëve e kishte përkrahur dhe mbështetur Jean-Yves Carlen, profesor shkolle në Colmar, i cili ishte edhe anëtar i MAN-it, gjë për të cilën ka folur edhe Jean-Claude Moog, që ka theksuar se kjo është një histori e vjetër miqësie me rezistencën kosovare, e cila ka vazhduar edhe më pas.

Ai thotë se vepra që e kanë shkruar këta dy alzasianë ka të bëjë me shkollat paralele në Kosovë në vitet e nëntëdhjeta e bashkë me ta ishte edhe me një anëtar i MAN-it, Jean-Marc Muller, ku këta tre autorë projektit të tyre ia kanë kushtuar dhjetë vite dhe për të cilin dy herë kanë qëndruar në Gjilan. Sipas Jean-Claude Moog, ata e kanë parë si tejet të rëndësishme që të bëjnë këtë vepër me qëllim që kjo periudhë mos të shkojë në harresë dhe është pikërisht kjo episode në Kosovën e asaj kohe që vendi të fitojë pavarësinë, por pa anashkaluar edhe angazhimet tjera, të cilat bënë që edhe në Kosovë të frymohet dhe të jetohet lirshëm.

Edhe profesori Tahir Dalipi, që është përkthyes i kësaj vepre, i përket gjeneratës së sakrificës, ai si shumë kolegë të tjerë,  ka mbajtur mësim që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në mbrëmje nëpër shkolla fillore e shpesh edhe nëpër dhoma të shtëpive, të cilat vullnetarisht i kanë lëshuar në shërbim të arsimimit të gjeneratave të reja, në kohën kur nëpër ndërtesat shkollore, që paraardhësit e tyre i kishin ndërtuar me djersë e mund, hyrja ishte e ndaluar nga regjimi i atëhershëm. Në atë kohë punohej në kushte tejet të rënda, kohë kur nxënësit nëpër shtëpi – shkolla në vend të bankave shpesh përdornin shpinën e shokut të tyre për të shkruar në fletore. Edhe mësimdhënësit nuk paguheshin dhe ata për punën që bënin dhe për të mbajtur familjet duhej të llogarisnin në solidaritetin e komunitetit. Ata gjithnjë punonin nën kërcënimin se do të burgoseshin dhe të keqtrajtoheshin. Për autorët e librit, Carlen, Moog e Muller, shkollat shqipe mbetën themeli dhe vatra e rezistencës dhe ajo ka krejt një tjetër vend në jetën kolektive në krahasim me shkollën në Francë.

Gazeta sqaron se libri është dygjuhësor, është i ndarë në katër kapituj, njëri prej të cilave paraqet një pjesë historike të Kosovës, i dyti i mbushur me dëshmi dëshmi, i treti ofron  kontekst për lexuesit francezë dhe kapitulli i fundit paraqet një paralele me gjendjen alzasiene./Enver Sadiku – kryelajmi.com/.

Ky shkrim është i bazuar në artikullin e gazetës Les Dernières Nouvelles d’Alsace (DNA) të datës 4 janar 2025

You Might Also Like