Sabit Rrustemi
LETËRSIA MODERNE NË STUDIMET E ZGJEDHURA LETRARE TË ANTON NIKË BERISHËS
Mbi një gjysmë shekulli pune, përkushtimi e profesionalizëm në studimet letrare të prof. dr. Anton Nikë Berishës, në fillim të këtij viti, u kurorëzua me kompletin prej 10 vëllimesh me titull, STUDIME LETRARE, ku janë zgjedhur dhe renditur studimet më përmbajtësore të letërsisë, qoftë në anën teorike, atë estetike, të historisë së letërsisë gojore, gjurmimit të letërsisë së vjetër shqipe nga Buzuku e Pjetër Budi, për të kaluar më pastaj tek arbëreshët tanë në Itali, duke vjelë dhe përimtuar letërsinë gojore të tyre të ruajtur me ngulm dhe gjithë atë letërsi të shkruar e të pa ndriçuar sa duhet, pa e lënë anash asnjë çast dhe letërsinë e këtushme (Shqipëri – Kosovë) si dhe atë botërore të dy shekujve të fundit ( XIX e XX), deri në ditët e sotme.
Kjo punë madhore e këtij studiuesi të rrallë të letërsisë, për ngjashmëri, shpërfaqet e kompletuar dhe e botuar pikërisht në 620 vjetorin e Datëlindjes së heroit tonë të të gjitha kohëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut përmes Shtëpisë botuese “Faik Konica” të Prishtinës, falë dhe mbështetjes financiare të dy dashamirëve të mëdhenj të letërsisë, njerëzve shpirtmirë e dorëdhënës në ditët e sotshme, dr. Ukë Berishës dhe don Pal Tunajt, (bashkë me autorin), që e mbështetën në plotni këtë botim si dhe, ndihmesën profesionale të prof.. dr. Labinot Berishës, i cili iu gjet afër deri në finalizimin e këtij projekti, që gjithsesi është me interes dhe pasuri kulturore letrare e shkencore për kombin e në veçanti për artin e fjalës.
Pa hyrë në imtësi të gjithë kësaj vepre, të cilës ia ka shtuar cilësinë edhe përgatitja e mirë teknike e botimit, dalja në dritë e pjesës më thelbësore e veprave të shumta studimore e letrare të Anton Nikë Berishës, do duhej veçuar si një nga ngjarjet më kulmore të këtij viti, në fushën e kulturës dhe të studimeve letrare.
Kjo, gjithsesi u takon institucioneve tona të kulturës, në Prishtinë e Tiranë, sepse deshëm a s’deshëm, studimet e zgjedhura letrare të këtij studiuesi e dijetari, janë referenca dhe pikëtakime për të gjithë ata që merren me studime të letërsisë apo i përkasin kësaj fushe. Madje, e në veçanti për brezat e ardhshëm.
Kryeqendra jonë, Tirana, përmes organizatorëve të këtij përurimi, veç e bëri hapin e parë, në këtë që sapo e thashë, pas pesë e sa muajve, që kur u bë botimi – dalja në dritë e këtij kompleti. Dhe unë e përgëzoj…
Në pamundësi për t’i sheshuar veç e veç të 10 vëllimet me titullin e përbashkët, STUDIME LETRARE (të zgjedhura), sepse thuaja edhe po kaq kanë mbetur jashtë këtij korpusi studimor, po përqendrohem në vija të trasha vetëm te studimet dhe përfshirjen brenda këtij kompleti, letërsinë moderne, nga fillim shekulli njëzet e deri më sot.
Letërsia shqipe e kësaj periudhe kohore, 1912 e këndej, e cilësuar si letërsi e traditës, apo letërsi pavarësiste, bën hapat e parë ndërmjet dy luftërave botërore, drejt një letërsie moderne, ku shquhen emrat e Fan Nolit, Migjenit, Ali Asllanit, po, veçmas shkojnë më tej: atë Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e Martin Camaj. Këta tre të fundit, të lënë në harresë për shkaqe ideologjike, për gati pesë dekada.
Me tre emrat e fundit, Fishtën, Koliqin e Camajn, Anton Nikë Berisha, është marrë që nga viti 1981 e këndej (mos edhe më herët), e veçmas nga puna e tij në Universitetin e Munihut – përkatësisht në Degën e Albanologjisë si dhe më pas, pas qëndrimit mbi njëzetedy vjet në Universitetin e Kalabrisë në Itali.
Vëllimi i gjashtë i STUDIME-ve LETRARE, të prof. Antonit përfshin tri studime monografike të botuara më parë që tash vijnë të rishikuara dhe me ndryshimet përkatëse për të cilat, veç e veç, autori jep shpjegime të duhura dhe bindëse, qoftë duke bartur ndonjë nga pjesët e tyre në një vëllim tjetër, apo dhe duke hequr ndonjë pjesë, shkaku i përafrisë dhe mos përsëritjes, dhe në të mirë të unifikimit dhe përshtatjes me veprat e tjera brenda kësaj tërësie.
Këto janë:
Veçanti të veprës letrare të Fishtës,
Ernest Koliqi poet, prozator dhe dramaturg dhe
Vepra letrare e Martin Camajt
Them pa hezitim se kjo është një zgjedhje e duhur, ngase jo vetëm lexuesi shqiptar, po edhe studiuesit tanë s’kanë qenë mjaftueshëm në dijeni, qoftë për veprimtarinë e tyre krijuese, vepruese, qoftë atdhedashëse.
Që të tri studimet e përfshira në këtë vëllim, tashmë të përpunuara, plotësojnë gjithë atë boshllëkun e krijuar nga mungesa e tyre në publik dhe në vlerësime, po edhe i rikthen ata në “urën lidhëse”, për të kaluar nga tradita drejtë modernes. Në një mënyrë, këta tre emra të shquar të letrave shqipe, bashkë dhe me të tjerë, krijuan themelin e asaj që sot e quajmë “letërsi moderne’ apo bashkëkohore, mbi supet e të cilëve qëndron gjithë ajo që u krijua më pas.
Po, më lejoni pakëz të flas dhe me gjuhën e autorit se, pse gjithë ky përkushtim ndaj tri figurave madhore të letërsisë dhe të vetë kombit, jo vetëm në gjysmën e parë të shekullit njëzet, po edhe sot e, besa edhe tutje.
Anton Nikë Berisha, si një njohës e studiues i rryer e dijetar i pashoq i ditëve tona, i përkushtohet Fishtës për arsye se “[…] vlera e jashtëzakonshme e veprës poetike të Tij nuk është as e rastit e as e çastit. Me veprat që krijoi, ai mori rolin e krijuesit që të bëjë kthesën që i duhej letërsisë shqipe (nënvizimi im)” (Vëllimi i VI-të, f. 16-të).
Autori merret me studimin e veprës së Koliqit ngase është “[…] dijetar e krijues i shumanshëm” ( Vëllimi VI- f. 221), ka dhënë shumë për “art e atdhe” (Vëllimi VI – f. 222) si dhe është “shkrimtar me shije e me ndjesi të hollë artistike” (Vëllimi i VI – f. 223).
Për arsyet pse u mor me veprën e Martin Camajt ai thotë: “nga fakti se krijimtaria e tij letrare është komplekse, ka një botë burimore e të pasur tematike – motivore e poetike dhe cilësohet me një strukturë të veçantë dhe të mëvetësishme gjuhësore shprehëse dhe me një sistem origjinal dhe të ndërliqshëm kuptimor” (Vëllimi VI – f. 365).
Në STUDIME-t LETRARE të Berishës gjejnë hapësirë dhe emra të tjerë shkrimtarësh, për të cilët ai ka bërë studime të veçanta, siç janë Azem Shkreli, Nasi Lera e Ramadan Musliu.
Studimet për këta shkrimtarë që vijnë nga hapësira të ndryshme shqiptare, përfshihen në vëllimin e VII-të, me titujt:
Për veprën letrare të Azem Shkrelit,
Nasi Lera prozator i kryeveprave poetike dhe
Ramadan Musliu poet, kritik letrar e publicist
Se zgjedhjet e përzgjedhjet e Anton Nikë Berishës nuk janë asnjëherë të rastësishme, mjafton vetëm ta lexojmë dhe mbajmë në mend këtë mendim të tij, në rastin e veprës letrare të Azem Shkrelit, që i shkon për shtati edhe veprës së shkrimtarit Nasi Lera si dhe shkrimtarit Ramadan Musliu, të cilin vdekja e mori në moshën më të mirë të krijimtarisë: “Me veprën e vet letrare shkrimtari ynë, Azem Shkreli, i ngriti vetes një ngrehinë artistike të qenësishme, që e bën atë të pavdekshëm, por edhe letërsisë sonë i jep atë përmasë e vlerë që e gjakojnë ose e kanë të gjitha letërsitë e mëdha” (Vëllimi i VIII- f. 13- të).
Konstatim ky që s’do koment dhe i thotë të gjitha..
Me interpretime për letërsinë bashkëkohore përmbushet dhe vëllimi i IX-të në 638 faqet e tij të formatit të madh B5, vëllim që hapet me një krijim të letërsisë gojore, regjistruar në Larje të Shestanit (Ulqin), krijim ky aq metaforik e artistik sa vështirë të gjendet në ndonjë letërsi gojore të ndonjë kombi tjetër, e të cilit ia kanë lakmi edhe penat e shquara të letërsisë së shkruar: U zu djali rrogë me ‘i vashë, ku elementet e një arti të mirëfilltë janë me shumicë, e të cilat përmes një analize të thuktë i vë në dukje fort bukur, studiuesi Berisha.
Në një përmasë më të theksuar në Vëzhgime – interpretime të veçanta të Anton Nikë Berishës, si njësi e parë studimore e këtij vëllime, hyjnë dhe një serë trajtesash studimore, qoftë për “Antologjinë e poezisë së përshpirtshme shqipe” (botimi i dytë, 2019-të), po edhe për vepra të zgjedhura autorësh apo dhe poezi në vete.
Përderisa te Antologjia në fjalë kemi një trajektore të zgjatur kohore mes viteve 1555 – 2019-të, pra nga ajo që cilësohet si “Letërsi e vjetër” , “Letërsi e humanizmit”, “renesancës “… e deri të “Letërsia e Rilindjes” dhe më pas te “letërsia moderne”, e kohës që po e jetojmë, natyrisht që gjejmë dhe një laryshi shprehjesh, formash dhe mënyrash të ndryshme të të shprehurit poetik, me lëkundje të kuptueshme nivelesh artistike, vërejmë megjithatë dhe një unifikim emrash e vlerash letrare, të cilat “mirëkuptohen” brenda kësaj tërësie, pavarësisht dallimeve të tyre.
Berisha jo më kot, këtë vëzhgim letrar e bën pjesë të këtij korpusi veprash, i cili pasohet pastaj nga emra tashmë të njohur të letërsisë sonë, si Françesk Anton Santori, (Këngëtorja arbëreshe), Ndre Mjedja, (Andrra e jetës), e që pasohet edhe me poezinë e zgjedhur të Agim Gjakovës, Mirko Gashit, Frederik Rreshpjes, Ali Podrimjes, Ibrahim Kadriut, etj.
Kjo tërësi veprash dhe emra shkrimtarësh, përfshirë dhe vepra të tjera të shkruara, dëshmojmë se poezia shqipe është në rrugën e një konsolidimi dhe të ecjes drejt një arti të mirëfilltë letrar, të cilin mendim e përforcon dhe vëzhgimi e interpretimi i veprave në prozë, në kaptinën e dytë të kësaj njësie studimore.
Brenda këtij vëllimi zënë vend edhe studimet për veprat e shkrimtarëve që kanë botuar pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e deri në ditët e sotshme, si Mitrush Kuteli, (E madhe është gjëma e mëkatit), Petro Marko, (Qyteti i fundit), Hivzi Sylejmani (tregimi “Re e mllefun”), Anton Pashku, (romai “Oh” dhe tregimi “Kulla”), Ymer Shkreli, (romani “Shpenkeqja”), Lazër Stani, (Dënesje në dru”), Visar Zhiti, (“Funerali i pafundmë”) e ndonjë tjetër.
Kur kihen parasysh kriteret dhe kërkesat e larta poetike të studiuesit Berisha, edhe këto vepra që u përmendën, edhe disa të tjera që janë pjesë e kësaj njësie studimore, po dhe ndonjë tjetër e pastudiuar ende nga kjo penë, nuk janë të pakta, Ne, sikur po harrojmë se jo çdo kush që shkruan e boton, mund ta meritojë epitetin shkrimtar.
Do theksuar se pjesë e vëllimit të IX-të të këtij kompleti janë dhe studimet e Anton Nikë Berishës kushtuar disa kryeveprave të letërsisë botërore, kryevepra për të cilat janë shkruar dhe libra të shumtë studimorë, por studiuesi ynë i shquar, jo që ndikohet nga kjo, ai e sprovon me sukses veten brenda këtyre vëzhgimeve duke i vërejtur e thënë edhe shumë elemente artistike të këtyre kryeveprave që nuk janë theksuar apo vërejtur më parë. Bie fjala, për “Epin e Gilgameshit”, për “Psalmet”, “Këngën e këngëve”, poemën “Gjeorgjika” të Virgjilit, “Duke e harruar një ëndërr”, poezi e Borhesit, e vepra në prozë nga Nervali (Silvia), Gogoli, (Histori të mërzitshme”), Cfajgu, (“Sytë e vëllait të përjetshëm”) etj.
Do theksuar në fund, se pjesë e studimeve të mirëfillta letrare të Anton Nikë Berishës, po dhe pjesë e këtij korpusi studimor të titulluar STUDIME LETRARE – të zgjedhura, është dhe letërsia për fëmijë (kombëtare e ndërkombëtare), e cila zë vend në vëllimin e dhjetë, ku, bashkë me njësinë e përgjithshme studimore, Çështje të letërsisë për fëmijë, janë dhe studimet: Poezia për fëmijë e Mark Krasniqit, Vëzhgime veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt si dhe Tre poetë të shquar për fëmijë, ku sheshohet poezia e zgjedhur e Agim Devës, Ali Huruglicës dhe Ymer Elshanit .
E gjithë kjo gamë studimore e zgjedhur në dhjetë vëllimet e këtij kompleti dhe të tjerat që janë në numër mos më shumë se kaq, dëshmojnë mirëfilli se Anton Nikë Berisha, me punën, përkushtimet dhe një mal veprash letrare e studimore, hyn në rreshtin e intelektualëve të rrallë të ditëve të sotshme që e meriton me plotní epitetin e dijetarit, edhe pse nuk është anëtar i asnjë akademie shkencore, përkundër marrjes për gati gjashtë dekada, me punë shkencore-kërkimore, pastaj për çerek shekulli me angazhime si profesor universitar, e me punë krijuese e studimore që nga mbarimi i shkollës së mesme e këndej.
Zhegër, më 28 – 29 tetor 2025





