Libri

Edhe një tregim i ri nga miku ynë nga Franca

Edhe një tregim i ri nga miku ynë nga Franca
Jean-Yves Carlen
Simbole të gjalla
Mu në mesin e qendrës së Prishtinës, gjendet një vend që e kam shumë për zemër, një hapësirë e çelët, një shesh që shtrihet nga Kuvendi deri te metrat e parë të arteries këmbësore që zdirgjet drejt Hotel Grandit, i pagëzuar Avenyja Nënë Tereza. Dy shtatore monumentale qëndrojnë aty. Njëra, një kalorës mbi të tijin kalë të luftës, është një bronz që paraqet heroin e madh shqiptar Skënderbeun, të njohur se kishte luftuar kundër pushtuesit otoman në shekullin e XV.
Skulptura i rri përballë një vepre të ngritur rishtazi, që mishëron një figurë tjetër të kujtesës së Kosovës, asaj të Ibrahim Rugovës, babait të pavarësisë së Kosovës. Në kohën e tij ishte mbiquajtur “Gandi i Ballkanit”. Ndërsa varri i ish-presidentit gjendet në majë të kodrës së dëshmorëve që e dominon qytetin. Këtyre reprezentimeve monumentale u shtohet një skulpturë ca më pak e dukshme, e vendosur në zemër të një sheshi të vogël aty pranë, përballë librarisë Dukagjini, në fillim të avenysë.
Njihet lehtësisht silueta e përkulur e asaj që, e lindur Gonxhe Bojaxhiu, qe njohur pastaj me emrin Nëna Terezë. E shenjta që mori Çmimin Nobel të paqes nuk rron më. Por ajo gjallon, sikur Skënderbeu, sikur Ibrahim Rugova, në kujtesën kolektive të Kosovës.
Sa herë që kam mundësinë, unë vij t’i adhuroj. Ashtu u bë edhe kësaj here, gjatë qëndrimit tim të fundit në këtë vend. I vendosur për disa ditë në lagjen e vjetër të Prishtinës, aty po e kaloja natën e fundit para se të ikja nga kryeqyteti për në një komunë më në jug, të afërt me kufirin maqedonas. Në agim, i zgjuar nga ezani që vinte nga xhamia e afërt, pas një kafeje të gëlltitur shpejt e shpejt në skajin e një rruge, u nisa në këmbë në drejtim të stacionit të autobusëve në periferi.
Për ta bërë këtë, mu desh të kthehesha nëpër sheshin e famshëm, të zbrisja avenynë Nëna Terezë deri te hoteli Grand, të vazhdoja krejt drejt, të kthehesha në të djathtë para katedrales, të hyja në një arterie tjetër shumë të udhakuar të Prishtinës, duke pasur për orientim edhe një shtatore, atë të Bill Klintonit që përshëndeste me dorë ata që kalonin atypari. S’do mend se vepra është e lidhur me luftën dhe me ndërhyrjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara më 1999.
Bënte mot i mirë, qielli sipër ishte me një të kaltër të detit të bruztë, nga ku shfaqej në lindje një grusht ishujsh të bardhë.
E nisa, gëzueshëm, ecejakun tim mëngjesor nëpërmes rrugësh. Me të mbërritur në shesh, i shpërqendruar nga një fluturim korbash, sqepat e hirtë karakteristikë të të cilëve nuk pushonin së lëshuari krrokëritje të ngjirura e të përsëritura, vetëm kur u gjenda pranë teatrit i lëshova sytë poshtë, ktheva kokën dhe pashë çka nuk më mbushej mendja se po shihja.
Dy shtatoret nuk ishin më mbi piedestalet e tyre. Skënderbeu dhe Rugova ishin zhdukur!
I zënë nga një dyshim, vrapova drejt sheshit dhe atje zbulova se Nënë Tereza kishte pësuar të njëjtin fat!
U hakata ta merrja vesh. Mos i kanë zbritur për mirëmbajtje dhe pastrim?
– Merreni me mend, do t’u jenë dashur vinça, më tha një kalimtar.
Vinçat. Ata do t’i kenë ngritur dy monumentet, pastaj do t’i kenë ngarkuar në rimorkio dhe më në fund do t’i kenë çuar diku.
Në shesh filluan të mblidheshin kureshtarët. Të gjithë ishin të habitur. Të hutuar.
– Komuna nuk e ka zakon t’i zbresë veprat e skulpturës, sidomos jo ato të bëra nga metali, të rëndat e ato që janë të vështira dhe delikate për t’u trajtuar.
Hipoteza e heqjes me vinç doli të ishte krejtësisht e pabazuar. Sidomos pasi që, me ta marrë veshë këtë gjë, komuna që i kishte zyrat dy hapa nga aty, reagoi: kurrfarë projekti i këtij lloji nuk ka qenë i programuar.
A thua të jenë kusaruar shtatoret? Në terr, hajdutçe? Kjo gjë dukej e pamundur. Madje edhe në natën më të errët veprimi do të ishte vërejtur. Motorët e ndezur, makinat në funksion, këto gjëra nuk kalojnë dot pa u parë!
Atëherë, çka qenkësh bërë? Nuk dilte njeri që të mund të jepte ndonjë përgjigje të kapshme për këtë punë. Vazhdova rrugën time përkundër të gjithave, po duke ecur ndjeva të flitej për rrëmbim nga njëri skaj i qytetit në tjetrin. Me vesh të curruar që të mos më ikë asnjë zë, kisha humbur aq shumë kohë saqë mezi e zura autobusin. Edhe përbrenda afera kishte bërë bujë. Radioja vetëm për këtë fliste. Brenda fare pak minutash lajmi u përhap në të gjithë vendin. Shokët e mi të udhëtimin nuk e reshtnin interesimin. Autobusi gumëzhinte nga pyetjet, psherëtimat e ofshamat. Pastaj, më në fund, çudisë ia mori anën zemërimi: si kishin mundur t’ua vidhnin simbolet e tyre?
Gjatë pasdites, pasi mbërrita atje ku doja, zura vend në një tavolinë në tarracën e një kafeneje. S’do mend se televizioni po merrej dendur me temën; imazhet përcillnin skena rrëqethëse të shkretimit: sheshin e zhveshur nga thesaret e tij, të zbrazët sikur shikimet e miletit të shushatur, krejtësisht të çorientuar.
Që nga fundi i po asaj dite, thashetheme nga më të çmendurat u përpallën në të gjithë vendin. Më e çuditshmja ndër to qe ajo sipas së cilës bëhej fjalë për një rrëmbim nga fuqi jashtëtokësore. Një ide kjo bukur e zakonshme edhe gjetiu përbrenda njëfarë opinioni botëror: a nuk thuhet se burra, gra, ndonjëherë janë marrë si mostra për studime? Kjo teori ka pasur ithtarë gjithandej. Po, ama, në këtë rast, pse shtatoret?
Një lajm edhe më befasues i fshiu thashethemet.
Nënë Tereza qenkësh parë në Letnicë, duke u lutur në kishën ku ajo dikur kishte veshur petkun e murgeshës. Dëshmitari, një prift që ndodhej në shenjtërore, nuk kishte guxuar t’i afrohej. I ishte dukur më me vend që t’i thërriste edhe bashkë-fetarët e tij. Kur ishte kthyer aty, ajo s’ishte më.
Plot kureshtje, meqë gjendesha në afërsi të Vitisë, theva rrugën deri aty po atë mbrëmje, i mbushur shpresë. Pashë vetëm një turmë fshatarësh që ishin mbledhur në oborrin e vendit të shenjtë.
Pas një nate me gjumë të parehatshëm, u zgjova, hyra dhe u ula në një kafene nën ekranin e televizorit të varur në mur. Do malësorë në perëndim të vendit kishin vërejtur një kalorës duke përshkuar në galop kodrat e afërta me Shqipërinë. Pas ca kohe, do barinj e kishin hasur në mes të kopesë së tyre duke u vënë dhive pisha në brirë. Telefoni i dorës më cingëroi.
Ibrahim Rugova ishte në Cerrcë, në oborrin e shtëpisë së tij familjare, duke bërë ajar lartësinë e një druri, të atij drurit që e kishte mbjellë në rininë e tij. U shastisa krejt.
Ditët në vijim i panë të tre heronjtë tanë duke ecur së bashku. Nganjëherë Skënderbeu i printe rrugës, presidenti dhe shenjtorja e ndiqnin nga pas. Ndodhte po ashtu që murgesha dhe shkrimtari t’i prinin me radhë këtij ekipi të pazakonshëm. Të tre personazhet shfaqeshin në të katër qoshet e vendit, nga Mitrovica në Gjilan, nga Ferizaj në Pejë. Këto paraqitje nuk ndodhnin asnjëherë në të njëjtën kohë, por sipas një kronologjie të matshme. Ato nuk dukej të ishin fryt i ndonjë halucinacioni kolektiv. Ecejaku i tyre ndiqte një itinerar që mund të rindërtohej në saje të dëshmive të mbledhura. E pranoj se për mua dhe për të tjerët, kahu, domethënia dhe shtrirja e rrugëtimit të tyre mbetën diç që s’i kapnim dot.
Krejt çka mund të thuhej, ishte se kalimi i tyre nxiste lëvizje turmash të mëdha. Buzëqeshje, klithma gëzimi e shoqëronin varganin para se ai të avullohej si çdoherë në të ndërmjetmet e zbrazëta të misterit. Vetëm brenda disa ditësh, një shumicë njerëzish i kishte takuar. Ndryshe nga ta, mua fati nuk ma pati dha këtë nder.
Kështu u nisa sërish për udhë, por kësaj here drejt aeroportit, i mbushur hidhërim e pakënaqësi. Më kaplonte posaçërisht një ndjesi e vërtetë padrejtësie. Pastaj, pa dyshim, nuk do ta di kurrë fjalën e fundit të kësaj historie. Por më ngacmuesja qe që nuk munda në asnjë çast, qoftë edhe për një pjesë të sekondës, të isha i pranishëm ndonjëherë kur ata shfaqeshin. Si të shpjegohet kjo? Mbase nuk paskësha qenë unë vetë mjaftueshëm i brumosur me këto simbole sa të paktën shkurtazi ta shihnim njëri-tjetrin. A mos shkonte kjo gjë me faktin se isha dhe mbeta jabanxhi?
Lidhja e një populli me figurat e tij emblematike ua mundëson atyre qasjen në pavdekësi. Përmes një lidhjeje të tillë me kujtesën, disa qenie të Historisë vazhdojnë ekzistencën e tyre përtej vdekjes fizike. Këtu, megjithatë, ndonëse nuk ishin më nga mishi, ata dukeshin materialisht të mishëruar sërish, shpirtrat e tyre banonin përsëri në trupa që ishin shpirtëzuar. Ata ishin me të vërtetë simbole të gjalla. Këto simbole me shumë gjasa këtu më të gjalla në kujtesë se gjetiu, të mbajtura mend në botën e të gjallëve, të pranishme në shpirtra deri në pikën e kërkimit për t’u bërë një trup me popullin, ja që për të mbërritur deri aty, shpirtrat e pastër siç ishin bërë ata, u duhej të rilindeshin e të gjenin sërish trupin.
Në brendi të kabinës, i lidhur me rripa, gati për nisje, ndjesia e punës së pambaruar nuk më shqitej. Me qëllimin që ta qetësoja pështjellimin tim, thashë me vete se së shpejti do të kaloja në faqen tjetër. Do ta harroj këtë fatkeqësi.
Menjëherë pas shkëputjes nga toka, avioni bën një kthesë në qiell gjithnjë duke u ngritur gradualisht përmbi fusha. Pastaj fluturon mbi relievet e para. Në atë çast, përmes frëngjive, ne pamë, ne udhëtarët e ulur në anën e djathtë- dhe unë isha një nga ta- tre personazhe që po ecnin njëri pas tjetrit. Në një kalesë të ngushtë përgjatë një rrëzime.
Një ekuipazh i jashtëzakonshëm në lëvizje. Skënderbeu ishte përpara mbi kalin e tij që ngjitej një shpati nëpër një rruge dheu. Në qiellin e ndezur qëndronte mbi kokën e tij një shqiponjë e zezë dykrerëshe. Pas i shkonte presidenti dhe fill pas tij murgesha nga Kalkuta. Derisa do fshatarë u hidhnin lule para këmbëve, shenjtorja u binte shuplakave. Disa urtarë ishin afruar për t’i dhënë në dorë presidentit gurë e copa shkëmbi nga kodrat e tyre.
Aeroplani s’ishte më lart se nja njëqind a dyqind metra mbi ta. Që të tre i çuan sytë përpjetë. Ne i pamë fytyrat e tyre të heronjve dhe të së shenjtës, ne, udhëtarët që largohen, të nënshtruar, të heshtur, të trullosur.
Po e lija vendin me imazhin e tyre të ngulitur përgjithmonë thellë në mua.
Nga frëngjishtja Tahir Dalipi

You Might Also Like