OPINION

Abdullah Tahiri, djaloshi që përmbysi tabakun në mensën e studentëve duke i dhënë rrugë demonstratave të 11 marsit të vitit 1981

Izmi Zeka
Qoftë si luftëtar, qoftë si njeri që pati guximin ta shpreh mendimin e tij ne çdo kohë, Abdullah Tahiri aktivitetin patriotik e filloi me një kredo politike,ku në asnjë çast nuk u lëkund deri ne qastet e fundit të jetës së tij.
Muajt vardisen njëri pas tjetrit, Kosova e mbushur me ngjarje të shumta të dhimbshme aq edhe shpresë dhënëse,dëshira, sakrifica ku secila ka një histori ne vete ku përbëjnë kaptinë të veçantë duke u shtresuar në amfiteatrin e madh që quhet Kosove.
Muajt ishin të acartë dhe acari shpeshherë ishte i rrëmbyeshëm, duke marrë me vete figura që për kohën ishin në lartësinë e duhur. Njerëzit krijojnë historinë, ndryshojnë kohën dhe i japin shtytje proceseve mbase të domosdoshme për momentet e caktuara,ku vlerat dhe rrethanat e tyre sublimohen mbi bazën e idealeve kombëtare dhe çlirimtare. Universi i figurave kombëtare ka të veçanta të shumta që dallojnë nga njerëzit e rëndomte. Secili prej figurave të mëdha ka një veçanti për kombin dhe ato veçanti kur mblidhen krijojnë tërësinë, ku ajo tërësi ngërthehet e sintetizuar në idealet kombëtare.
I rritur në frymën e gjyshit
Abdullah Tahiri u lind ne Malishevë te Gjilanit me 02.09.1956. Familja Tahiri ka një histori të ndershme patriotike. Gjyshi i tij Hajdari Tahiri ishte luftëtar i spikatur gjatë LNÇ, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mulla Idriz Gjilanit. Në moshën 42 vjeçare përkatësisht ne vitin 1945 pushkatohet pa gjyq.
Abdullahu ishte rritur në frymën e gjyshit dhe për të gjitha vuajtjet, trimëritë guximin e gjyshit dhe të tjerëve i kishte mësuar nga i ati Mulla Efendi Ramadan Tahiri. Fëmijëria e tij ishte pjesë e historisë së dhimbshme të popullit shqiptar. Trasimin e rrugës për të qenë i pakompromisë ndaj politikës shtypëse e kishte ndihmuar familja e tij e ngushtë.
Ishte fëmija i katërt prej gjashtë sa ishin. Shkollën fillore e kreu në fshat kurse të mesmen e vazhdoi ne Gjilan ku në vitin 1975 largohet për “veprimtari armiqësore” kundër shtetit. Detyrohet që shkollimin e mesëm ta vazhdojë në Bujanoc. Studimet i filloi ne Prishtine, ne vitin 1977 ne drejtimin e Agronomisë. Në vitin 1981 apsolvon mirëpo largohet si i papërshtatshëm ideopolitikisht pa të drejte studimi të mëtutjeshëm.
Përmbysja e tabakut fillim i përmbysjeve të mëdha
Viti 1981 ishte vit kur Kosova po merrte kahe krejt tjera duke u nisur drejt një perspektive që pashmangshëm lidhej me ngjarjet e mëhershme. Fillimisht me 11 mars mensa e studentëve ishte e mbushur plot e përplot ku ne këtë vazhdë një pjesë e studentëve që preokupim kryesor kishin atdheun i dhanë formë përsëritjes së revoltës mbase e para e pas vitit 1968. Në histori thuhet se atentati mbi Franc Ferdinandin trashëgimtarin e fronit austrohungarez e nxiti Luftën e parë Botërore. Dhe pikërisht me 11 mars 1981 tabaku i ushqimit u përmbys nga djaloshi që tërë jetën e kishte pritur këtë ditë. Me këtë u shtuan zërat,zhurma s’kishte të ndalur. Përmbysja e tabakut mori dhenë dhe bekimin. U bënë të gjithë bashkë, protesta filloi. Një shkas i vogël i dha formë përpjekjeve për t’i thënë rrugë kërkesave dhe për ti treguar Evropës se Kosova duhet të ketë të drejtat si gjithë bota e qytetëruar. 11 marsi i vitit 1981 shërbeu për tu zgjeruar edhe më shumë për tu organizuar edhe më shumë,ku pjesë e këtij organizimi ishte Abdullahu.
Për këtë vlim Hydajet Hyseni me grupin e tij kishte bërë projektin e parë të një organizimi ilegal dhe përgatitjes për një demonstratë të natyrës e përmasave të gjëra qytetare . 26 marsi filloi me një mbarshtrim të kërkesave dhe kursit që do të ndiqej tutje. Qytetarët e Kosovës tani kishin rastin t’i shihnin bijtë e tyre,studentët,brezin i cili do të jetë fanarë në rrugën drejtë realizimit të aspiratave të mëmëdhetarëve të më hershem . Demonstratat në Prishtinë i organizuan së bashku me Gani Kocin,Bajram Kosumin e shumë të tjerë.
Me1-2 Prill 1981 filluan demonstratat. Ishin tejet të organizuar,aty flet njëri prej ideologëve të luftës ilegale në Kosovë Hydajet Hyseni. Këto demonstrata u shtypën mizorisht duke vrarë Asllan Pireven, Naser Hajrizin e shumë të tjerë.
U kërkua hapur Kosova Republikë, ndërsa Abdullahu ishte njeriu më praktik,më i zëshmi ku arriti tu jepte kahe demonstratave.
Ndikimi i tij, përpjekja dhe preferenca gjatë kësaj kohe ishin një fazë e legjitimitetit të kërkesës ’’Kosova Republikë’’.
Menjëherë fillojnë arrestimet, torturat, ndjekjet ku abdullahu i bashkëngjitet kaluarit të burgosjeve të shumta që u bënë në Kosovë. Pas nëntë muajsh lirohet në saje të qëndrimit të dinjitetshëm gjate hetimeve. Pas lirimit nga burgu Abdullahu nuk e ndali aktivitetin e tij kombëtar. U mundua në forma të ndryshme të shtrijë ndikimin e tij atdhetar dhe t’i sugjerojë popullatës për nevojën e organizimit sa me te mirë të qytetarëve të Kosovës për të fituar të drejtat elementare e që ishin universale në botën e qytetëruar .
Po të shikohet portreti i tij ai e kishte mundur vdekjen. Ai sintetizoi aq mirë teorinë me praktikën, sa ishte i admirueshëm qëndrimi vertikal i tij në tërë katrahurën a pas vitit 1981.
Koncepti i tij u karakterizua mbi dy parime qe vazhdoi deri ne fund të jetës së tij si: angazhimi për të masivizuar qytetarët e Kosovës për kërkesat e arsyeshme të studentëve të vitit 1981 dhe përgatitja dhe mobilizimi i të gjitha shtresave dhe sidomos asaj pjese të përgjumur të popullit për luftë kundër pushtetit shtypës serb. Personaliteti i tij i referohet një arti tipik luftarak,që historisë shqiptare i jep një legjendë të sakrificës të një njeriu që në dukje si në baladat e heronjve që qajnë çdo përballje në realizimin e objektivave qytetare. Vlerësimet e pas vitit 1981 ishin mbase të qarta,dhe mbi këto ide politike e kombëtare Abdullahu nuk njihte të tjera. Abdullahu kishte karakter të fortë dhe nga ky vështrim edhe shërbimet sekrete serbe shihnin rrezikun prej tij. Shqetësimi i Abdullahut nganjëherë ne përgjithësi nuk rridhte vetëm nga shtypja e egër, burgosjet por nga shumë qarqe të caktuara që pashmangshëm pengonin frymën liridashëse. Përcaktimi i militantit të Karadakut mbështetët mbi parimet e shtetësisë së Kosovës pa të cilën theksonte ’’Asnjëherë nuk do të ketë qetësi as në Kosove e lëre më në Ballkan’’.
Dy binarët mbi të cilët lëvizte koncepti i atdhedashurisë se Abdullahut ishin:lufta dhe pavarësia e Kosovës.
Nga veprimtaria e tij politike e kombëtare shihet se shovinizmi jo vetëm që shikonte të shkatërronte qenien shqiptare,por do te ishte element destabilizues për tërë Ballkanin dhe perspektiven evropiane. Sipas vlerësimit dhe analizave te Abdullah Tahirit që i bënte konstelacionit midis forcave që i japin përkrahje shtetit jugosllav,ai shikonte aleatin më të natyrshëm dhe më të sigurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Militanti i viteve 1981 e këtej zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë asnjëherë nuk e shihte të ndarë nga relacionet ndërkombëtare,por gjithherë kishte parasysh faktorin numër një – shqiptarët .
Kosova sapo kishte filluar të duket në arenën ndërkombëtare, por ende s’kishte arritur të ketë opinionin e saj,andaj Abdullahu mendonte se vetëm të bashkuar dhe me përpjekje titanike mund të kalonin përmasat e ngushta kombëtare kërkesat e ligjshme për një Kosovë të pavarur.
Vertikalisht deri në vdekje
Vitet 1981-1990 janë vite që Lëvizja Çlirimtare në Kosovë bënte përpjekjet e mundshme për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të përgatitur popullin për një lufte çlirimtare. Në këtë relacion,relaksimi i forcave kombëtare shprehet mbi idealin e të rënëve. Nga kjo prizëm Abdullahu vazhdoi aktivitetin pa u zmbrapsur asnjëherë. Ne vitin 1989 kur Serbia po përgatitej për të pezulluar Autonominë e Kosovës militanti ngriti zërin lart për këto ndryshime që në esence sakatonin qenien shqiptare. Ai shprehu hapur mendimin e tij politik duke kërkuar nga popullata e në veçanti nga studentët që të jenë kundër një akti të tillë i cili edhe ashtu kishte ngulfatur jetën dhe zhvillimin e Kosovës
Është për tu theksuar se Abdullah Tahiri kërkesat për një Kosovë të lirë nuk i parashtronte në formë lutjeje përulëse dhe nuk i shikonte nga këndi i interesave vetëm të shqipëtarve, por edhe nga prizmi i interesit mbarëballkanik e evropian. Ai e shihte zgjidhje shtetin e Kosovës për stabilitetin e rajonit edhe si mbrojtje të qytetërimit të lashte Ilir e në këtë kontekst edhe ballkanik.
Vitet e pas te nëntëdhjetave ishin vite kur shqiptarët e Kosovës ballafaqoheshin me realitete të reja. Vlerësimet e militantin se Serbia nuk njeh gjuhën e dialogut mbase i dëshmoi koha si të arsyeshme. Ai nuk shikoi se çfarë thoshte politika ditore se vetë natyra e tij i kalonte suazat e mendimit momental. Prej vitit 1992 filloi të përgatitet për një aspekt krejt tjetër që për kohën vlerësohej në mënyra të ndryshme. Në ecjen e tij nuk kishte luhatje,huti e hezitime. Aktiviteti i tij pas viteve 90-ta deri 98 u motivua në dy segmente:veprimtari politike dhe ushtarake.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga ëndrra në realitet
Për militantin e Zonës së Karadakut gjithherë vlente thënia e Sami Frashërit ’’Kush nuk derdh një pike gjak për tokën e vet,kush nuk jep asnjë qindarkë s’ka të drejtë të varroset në të’’.
Në mars të vitit 1998, Abdullahu gjatë qëndrimit në Shqipëri takohet me Bekim Berishen (Abejën) dhe Ilir Konushevcin ku biseduan për organizimin e luftës në zonën e Karadakut.
Abdullah Tahiri ishte njeriu i parë i cili u takua zyrtarisht me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë me Jakup Krasniqin dhe Shaban Shalën. Takimi u realizua me 9 qershor 1998. U bisedua gjerë e gjatë për organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Karadakut.
Nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u caktua për organizimin e luftës çlirimtare përkatësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë qëndrimit të tij në Drenicë u takua me luftëtarët e kësaj anë lirisht mund të themi të ditëve të para Fatmir Mehmetin dhe vajzën e tij Shqipe Mehmetin. Abdullahu pas qëndrimit në Drenicë kthehej më një mision të caktuar. Duhej të organizonte zonën e Karadakut. Idealet e Kadriut, Rexhepit, Nuhiut, Zijahit po bëheshin realitet,ngase tërë jetën punoi për t’i realizuar objektivat e tyre.
Bazat e para të një organizimi ushtarak Abdullahu i vuri së bashku me Ahmet Demirin e disa te tjerë. Abdullahu kishte përvojë në këtë sferë dhe tash vetëm po harmonizonte veprimet dhe po ndërlidhte me nivelin më të lartë ushtarak në Kosove. Abdullahu rrëfente ’’Ishte gëzim i madh të shihje luftëtarët e lirisë,ata që po ia kthenin dinjitetin e nëpërkëmbur Kosovës’’.
Dhe për habi në Drenicë digjej toka flakë një pjesë e Kosovës sillej lirshëm thuajse asgjë s’po ndodhte në Kosovë.
Kontaktet me Shtabin e Përgjithshëm i kishte të rregullta dhe gjatë një qëndrimi në Drenicë merr pjesë në ceremoninë e betimit të Brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosove. Sa herë ishte në Drenicë ai iu bashkëngjitej luftëtarëve të lirisë kundër hordhive serbe si me Shaban Shalën, Fehmi Lladrovcin, Bedri Shalën e shumë të tjerë. Ishte i pranishëm në luftën e ashpër të Llapushnikut. Se sa bënte dhe sa angazhohej flasin edhe këto ngjarje që i cekëm më lartë. Nuk kurseu asgjë për tu bërë tok me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Abdullahu kishte dërguar në Shqipëri për tu stërvitur për luftë Bashkim Hamdiun, Skender Azemin, Shemsedin Halilin,Nagip Sejdiun e disa të tjerë.
Le të kujtojmë Kuvendin e Lezhës,të 2 marsit të vitit 1444, kur Gjergji i bashkoi principatat, le të kujtojmë Kuvendin e Prizrenit të 10 qershorit të vitit 1878, kur Avdyli dhe Ymeri krijuan një front të përbashkët për mbrojtjen e territoreve shqiptare,le të kujtojmë Kuvendin e Pejës,të 23 janarit 1899, kur Haxhi Zeka i bashkoi burrat për të mbrojtur copëtimin e tokave shqiptare,le të kujtojmë Konferencën e Bujanit,të mbajtur me 31 dhjetor 1943 dhe 1 dhe 2 janar 1944 atëherë mund të shohim rezultatet dhe punën e Abdullah Tahirit,kur si Promethe u ngrit në Kuvendin e Bashkimit të Subjekteve Politike të Gjilanit dhe tha: ’’E nderuara kryesi e punës,të nderuar mysafirë dhe pjesëmarrës të tjerë. E përshëndes këtë bashkim të subjekteve politike të Gjilanit më një dëshirë të vetme për arsye se këtu vërtet vërehet një hezitim i të gjithëve për një bashkim të vërtetë. E ky bashkim quhet me një emër: Bashkim i popullit rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj,ky bashkim na gëzon të gjithëve,por më së shumti i gëzon ata të cilët sot janë të vendosur në istikamet e përqendrimit,që deri në vdekje të qëndrojnë për lirinë e Kosovës. Në fund kisha dëshiruar që kuvendi i ardhshëm të mbahet në këtë sallë,e, ai do të duhet të ishte kuvendi i bashkimit rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës!’’
Këto fjalë ishin porosi të të rënëve,i atyre që qëndronin të papërkulur në frontet e luftës i gjeneratave të shumta i luftërave shekullore , thënë mëe një fjalë ishin testament për shtetsinë e Kosovës. Këtë më së miri dhe krejt hapur e shfaqi Abdullahu duke kërkuar që luftës për liri t’i bashkoheshim të gjithë, pa dallime përkatësie partiake. Ky mesazh të kujton njerëzit e epopeve të lavdishme të historisë shqiptare,atyre që në momentet e caktuara u ngritën me tërë forcën morale e patriotike për të mbrojtur dhe luftuar kundër shtypjes dhe gjenocidit që ushtrohej kundër shqiptarëve.
Arriti që të forcojë e ngris në sistem të organizuar luftën e Zonës së Karadakut. Ky aktivitet ushtarak shumë shpejt u ra në sy forcave të sigurimit serb.
Militanti i Karadakut qe mbijetoi torturat çnjerëzore
Ishte periudhë kur sigurimi shtetëror kishte nuhatur për organizimin e UÇK-së,dhe në këtë vazhdë kishte lëshuar fletarrestim për Abdullahun. Në rrugë për në Drenicë me 15 gusht të vitit 1998 burgoset duke lënë pas një numër të madh vullnetarësh të organizuar në radhë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. La njerëzit që e vazhduan pastaj idealin e tij. Ishin burgosur edhe 7 te tjerë si Ahmet Demiri etj. Sigurimi shtetëror përdor torturat më çnjerëzore ndaj tij vetëm e vetëm për të treguar organizimin në Zonën e Karadakut. Megjith torturat, Abdullahu i qëndroi konsekuent parimit të sakrificës sepse ishte i bindur se caku i nisur nuk do te ndalej dhe djelmoshat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të arrijnë ne cak. Pas disa muajve hetime doli ne gjyq së bashku me Ahmet Demirin, Ibrahim Uruqin (i fundit është vrarë në Marec në një luftë të ashpër mes forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe).Iu shqiptua dënimi 4 vjet burg .Pra,ishte një gjyq që me çdo kusht donte ta vriste fjalën e lire,sakrificën idealin për liri. Nuk ia arritën,edhe pse e penguan në masë të duhur organizimin ilegal të UÇK-se. Dënimet ishin të larta. Gjatë gjykimit gjashtë vetë të tjerë u liruan,kurse Abdullahu së bashku me Ahmet Demirin mbetën prapa grilave të burgut të Gjilanit. Kur kishte dëgjuar për dënimin e Abdullahut njëri prej luftëtarëve të devotshëm dhe tash dëshmor i Kosovës, Fehmi Lladrovci kishte theksuar ’’Unë nuk do të jem i qetë derisa të arrij ta liroje Abdullahun prej burgu’’. Kjo flet vërtet se Abdullahu i duhej luftës dhe organizimit luftarak. Burgun e filloi në Gjilan duke përjetuar shfrenimin e sigurimit serb. Kur filluan bombardimet nga NATO në Kosovë një pjesë e të burgosurve shqiptarë e po ashtu edhe Abdullahun me 30 prill 1999 e transferojnë në burgun famëkeq të Dubraves. Aty paramilitarët serb provuan të gjitha format e torturave çnjerëzore duke bërë eksperimente me të burgosurit shqiptare. I ngjante kampeve te përqendrimit të Dahaut, Mat’hauzenit, Buhenvaldit, Aushvicit, ku ekzekutoheshin,torturoheshin në forma të ndryshme të lidhur me pranga. Kjo që ndodhte ne burgun e Dubravës në qendër të Evropës pashmangshëm ilustron faktin e kohës së Kryqëzatave. Te burgosur, të pafuqishëm tu dalë dikush në ndihmë mbesin nën mëshirën e xhelatëve të Beogradit. Abdullahu edhe në këto çaste nuk përulet edhe pse këto ishin çastet e fundit të jetës së tij. Ishte vërtet në moshë të re, kur Kosovës i duhej më shumë se kurrë, por kthetrat shovene e mbanin të lidhur dhe ashtu qëndronte vertikalisht siç ishte gjithherë. Ai u vra mizorisht nga forcat serbe me 19 maj 1999 duke lënë pas vete një një jetë të tërë në shërbim të atdheut në amfiteatrin e përgjakshëm të quajtur Kosovë.
Abdullah Tahiri sinonim i historisë së lavdishme të Kosovës
Abdullahu pati një jetë relativisht të shkurtër,por e tëra ishte e ngjeshur,ku gërshetoheshin vlerat e luftës çlirimtare dhe synimet e brezave. Vlen të theksohen fjalët e një bashkëluftëtari të Abdullahit, i cili thotë ’’Ushtarë më të entuziazmuar dhe më të lumtur me uniformën e UÇK-se se Abdullah Tahiri, nuk kam hasur në fushëbetejat e luftës’’.Bajram Curri theksonte pas vrasjes se Avni Rrustemit ’’Po të kishte shpëtuar gjallë, pra Shqipërisë do t’ia falte jetën,se për Shqipëri kishte le Avnia’’.
Në këtë segment Abdullah Tahiri po të shpëtonte gjallë,ai Kosovës do t’ia falte jetën se për të kishte lindur.

You Might Also Like