Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani
Haki ef. Sermaxhaj-Muderrizi u lind më 1914, në fshatin e madh Hogosht të Komunës së Kamenicës, nw një familje me traditë patriotike dhe fetare. i ati, Taipi, si ithtar i arsimit dhe shkollës shqipe,1 që nga fëmijëria kishte vërejtur tek Hakiu një zgjuarsi të rrallë dhe , pas mbarimit të shkollës fillore në gjuhën serbe, e kishte orientuar në rrugën e arsimit islam. Më 1926, Hakiu ishte regjistruar në Medresenë e Gjilanit për ta vazhduar në Shkup Medresenë e patriotit Ataullah Kurtishit-Ata Hoxhës, të cilën e kishte kryer me sukses të dalluar më 1940.2 Pos mësimit fetar, nxënësit e asaj shkolle pajiseshin edhe me atdhedashurinë dhe kjo dukej sidomos në aktivitetin e tyre kundër shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi3 dhe realizimit të marrëveshjes Jugosllavo-turke të vitit 1938.
Pas mbarimit të medresesë në Shkup3(fshihet), me iniciativën e Idriz Hajrullahut-Bashvajz i Ulema Mexhlisit të Shkupit, Haki ef. sermaxhaj, në prill 1941, emërtohet myderriz dhe drejtor i medresesë “Atik” të Gjilanit, të cilën e udhëhoqi gjerë në mbylljen e saj nga pushteti okupues komunist në nëntor të vitit l944. Gjatë kësaj kohe, kjo medrese falë aktivitetit të Haki efendiut është shquar për kontributin e sajë fetarë e patriotik. Së bashku me Mulla Idrizin i kishin kushtuar kujdes shqiptarizimit të mejtepeve dhe medresesë “Atik”, duke e future edhe mësimin e gjuhës shqipe në disa prej këtyre shkollave dhe në medrese, me ligjërues Malo becin mësues i shkollës shqipe nga Shqipëria. Po ashtu këta patriot së bashku me sekretarin e Vakëfit të Gjilanit, Hilmi Kallabën, ishin angazhuar në përhapjen e revistës “Kultura islame” të Tiranës, në Nënprefekturën e Gjilanit. Për këtë veprim revista në fjalë , në numrin e mars-prillit 19414, kishte falënderuar këta tre dhe 37 abonentë të tjerë të kësaj ane.4
Gjatë rezistencës së shqiptarëve kundër depërtimit të njësive partizano-çetnike serbo-sllave me qëllim të riokupimit të trojeve shqiptare, Haki ef. ishte angazhuar me tërë autoritetin dhe ishte ndër organizatorët e lëvizjes së rezistencës për mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore. Në bazë të disa të dhënave, shihet se Haki efendiu ishte anëtar i Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për nënprefekturën e Gjilanit5
Siç dihet edhe pas përfundimit i luftës kundër fashizmit, çështja e Kosovës dhe shqiptarëve jashtë Shqipërisë Londineze mbeti e pazgjidhur, kurse trojet e tyre u aneksuan dhe copëtuan në mes tri republikave jugosllave, dhe filloi një tragjedi e re për shqiptarët e këtyre trojeve. Kjo padrejtësi dhe masakrat masive të regjimit të ri ndaj shqiptarëve të pafajshëm, bënë që populli nuk mundi të pajtohej dhe shprehi pakënaqësinë në forma të ndryshme veprimi. Kjo bëri që nga ditët e para të okupimit, me qëllim të organizimit të qëndresës popullore, shumë intelektual patriot me orientim perëndimor në mesin e të cilëve ishte edhe Haki ef. Sermaxhaj, vazhduan veprimtarinë e tyre dhe lindën grupe e organizata ilegale, qëllimi i të cilave ishte çlirimi i Kosovës dhe i viseve tjera shqiptare dhe bashkimi i tyre me shtetin amë. Ndër organizatat më masive politiko-ushtarake ilegale ishte Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH), me Komitetin Qendror me qendër në Prizren në krye. Kjo kishte lindur nga Komiteti Nacional-Demokratik Shqiptar, si lëvizje antifashiste e formuar në Gjakovë më shtator të vitit 1943.6 Në janar 1945, ishte formuar KQ i NDSH-së për trevat shqiptare në Maqedoni. Organizata e NDSH-së udhëhiqej nga intelektual dhe patriotë të dëshmuar, të cilët mbanin lidhje me përfaqësitë perëndimore dhe emigrantët shqiptarë. Rrejti organizativ i kësaj organizate ilegale përfshinte përfshinte të gjitha trevat e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, ku ishin formuar komitetet qarkore, komunale të rinisë e vendore nëpër fshatra si organizata bazë, të cilat grumbullon ndihma për popullatën, shpërndanin afishe, përhapnin të vërtetën për NDSH-në, programin demonstronin bashkimin kombëtar e të tjera. Ndër komitetet dallohej edhe Komiteti i Rinisë i formuar në Gjimnazin e Prishtinës, ku ishte shumë aktiv edhe nxënësi i kësaj shkolle, gjilanasi Hamdi Berisha , i cili në bashkëpunim me disa të tjerë , kishte formuar Komitetin e Rinisë në Gjilan ,që ishte ndër Komitet më aktive të NDSH-ës7.
Organizata e NDSH-ës ishte masive dhe kishte arritur që në radhët e saj të kishte anëtarë dhe simpatizues nga të gjitha shtresat popullore si dhe nga strukturat politiko-shoqërore të pushtetit. Kështu ,gjatë veprimit të saj (1945-47) , kjo organizatë arriti të masivizohej duke tubuar rreth 30.000 mijë anëtarë aktiv 8 të cilët kishin një përkrahje të madhe në popull, gjë që u krijonte vështirësi organeve të OZN-ës për të arritur zhdukjen e saj të tërësishme .Ceremonia e pranimit në Organizatën e NDSH-ës në fillim bëhej mbi Kur’an , flamur dhe armë e përfundonte me parullë ,,Shqipëria shqiptarëve .Vdekje tradhtarëve “.
RIORGANIZIMI i ONDSH-së
Aktiviteti dhe masivizimi i ONDSH-ës bëri që nga pranvera e vitit 1945 ,pushteti jugosllav të fillonte një fushatë të egër terrori me burgosje dhe likuidime të atdhetarëve të dalluar e me autoritet në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare .Pas zbulimit dhe arrestimit KQ të NDSH-ës me seli në Prizren , KQ me seli në Shkup mbante barrën kryesore të organizimit të rezistencës kundër pushtuesit . Me qëllim të riorganizimit të lëvizjes për t’u përshtatur rrethanave të reja, në gusht të vitit 1945 u thirr Kuvendi i Kopilaçës që KQ i ONDSH-ës në Shkup të ishte organi më lartë politik i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare. Në këtë kuvend , i cili pati rëndësinë e kongresit të parë , ishte nxjerrë proklamata me të cilën hidhej poshtë çdo lidhje e imponuar e Kosovës me Serbinë dhe me Jugosllavinë.
Ofensiva e përgjithshme e pushtetit jugosllav e filluar në shtator 1945 ,kundër grupeve të armatosura të rezistencës bëri që ONDSH-ja të vepronte në ilegalitet të thellë. Mbaheshin kontakte me konsullatën angleze dhe turke në Shkup , kurse Halim Orana, pas lirimit nga burgu i Ferizajt në mungesë të fakteve9 kishte vazhduar aktivitetin dhe nëpërmjet Zagrebit kontaktonte me komitet shqiptare në botën e jashtme .
Pas kthimit nga burgu të Halim Oranës, në shtëpinë e tij shkuan “për vizitë sipas traditës”, anëtarët e Komitetit të NDSH-së së Gjilanit në krye me Haki ef. për të marrë direktiva rreth aktivitetit të mëtejmë të veprimit të kësaj organizate ilegale në viset e Anamoravës si dhe rreth përgatitjeve për ngritjen e Komitetit të Gjilanit në rangun e komitetit të rrethit.
Në gjysmën e parë të vitit 1946, kishte filluar zgjerimi i rrjetit organizativ i ONDSH-es. Në mars të këtij viti në Gjilan me iniciativën e Haki ef. Sermaxhaj dhe të Hamdi Berishës është formuar Komiteti i Rrethit të ONDSH-së i cili ishte i lidhur me KQ të NDSH në Shkup. Ashtu si në komitetet tjera qarkore ,edhe në kuadër të këtij komiteti kishte intelektual, punëtor, tregtarë dhe nëpunës që punonin në organet shtetërore, anëtarë të PKJ e të tjerë.
Viti 1946 u karakterizua me përpjekjet e vazhdueshme të OZN-ës për asgjësimin e ONDSH-së. Rrethanat e reja të krijuara bënë që me iniciativën e Halim Oranës, të shtruan për detyrë para KQ të NDSH-së në Shkup që t’i hynte riorganizimit politik dhe ushtarak të Lëvizjes. Më 1 qershor 1946, në shtëpinë e Qemal Skenderit në lagjen “Bit Pazar”,në Shkup në rrethana të pa përshtatshme u mbajt Kongresi i Dytë i ONDSH-së, ku morën pjesë përfaqësuesit e disa komiteteve të rretheve të qyteteve të Kosovës dhe Maqedonisë, në mesin e të cilëve si përfaqësues të Kosovës Lindore ishin Haki ef. Sermaxhaj, Hamdi Berisha dhe Mumin Jakupi. Bazuar në deklaratën e tij dhe disa të tjerëve dhënë në hetuesi Haki ef. e kishte marrë fjalën i katërti me radhë dhe duke paraqitur gjendjen për aktivitetin e NDSH-së në këto anë, pos tjerash kishte deklaruar “Ne deri më tani kemi formuar komitetet me vetë iniciativë në qytet dhe kemi filluar të formojmë edhe nëpër fshatra”10. Në fund të punimeve të kongresit u miratua Rezoluta, Programi i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare dhe Skema Organizative për hartimin e të cilave merita të veçanta kishte Halim Orana, ku kërkohej bashkimi i Kosovës dhe trojeve tjera etnike me Shqipërinë, dhe kjo do të realizohej me ndihmën e fuqive të mëdha. Ndërkaq skema organizative parashihte që çdo kund të formohen komitetet e vendit (qytet, fshat), kurse koordinimin e punëve të tyre do ta bënin komitetet e rretheve të cilat do të jenë të lidhura me KQ të NDSH-së në Shkup. Në fund të kongresit u zgjodh KQ i ri i ONDSH me kryetar Halim Oranën, nënkryetar Kemal Skenderin dhe 10 anëtarë të KQ, në mesin e të cilëve ishte edhe Haki ef. Sermaxhaj si delegat i Rrethit të Gjilanit. Ky mori për detyrë që për çdo 15-20 ditë të raportonte para KQ, për gjendjen organizative dhe të veprimit të organizatave në terren.
Haki ef. posa u kthy në Gjilan, iu përvesh punës me përkushtim për realizimin e kërkesave që dilnin nga Kongresi i Dytë, duke sjellur me vet programin dhe skemën organizative. Fillimisht thirri dy anëtarët operativ te Komitetit të Rrethit të Gjilanit-Rexhep Shemën-Dajkocin dhe Maliq Sahit Qollakun me të cilët mbajti mbledhjen dhe i informoi për punën e kongresit dhe vendimet e tij .Për të funksionuar puna më mirë në terren, bënë shumë ndryshime organizative. Së pari i hyn organizimit të komitetit epror të Rrethit të Gjilanit me Haki ef. kryetar dhe anëtar Hamdi Berisha, Rexhep Shema- Dajkoci, Maliq Sahiti- Qollaku, Ramadan Agushi, Mumin Jakupi, Jakup Salihu-Malisheva, Destan Ismajli-Budrika, Mulla Riza Osmani- Poliçka dhe Arif Rogana të cilët inicuan aktivitetin për formimin e komiteteve lokale dhe të fshatrave, ku edhe kishin arritur rezultate. Për sukseset e arritura organizative në këto anë dhe në veçanti kontributin e Haki ef. dëshmon edhe Kemal Skenderi në hetuesi i cili pos tjerash thot: “Para kongresit komitetet e fshatrave dhe të komunave nga Rrethi i Gjilanit ishin të lidhura drejtpërdrejt me KQ të NDSH në Shkup e jo me Komitetin e Rrethit të Gjilanit. Kjo formë na pengonte , prandaj prej kongresit Haki Sermaxhaj ishte udhëheqësi kryesor për Rrethin e Gjilanit” 11. Kështu me aktivitetin e Haki ef. e të tjrëve nga mesi i vitit 1946, në Rrethin e Gjilanit vepronin me dhjetra komitete vendore dhe të fshatrave me një numër të madh të antarëve dhe simpatizuesve të lëvizjes së NDSH-së, të cilët vepronin sipas sistemit të treshit, duke u përgatitur për një luftë të domosdoshme për çlirim dhe bashkim kombëtar. Sipas pikës katër të programit të NDSH-së ku parashihej grumbullimi i armatimit, në bazë të deklaratave të të dënuarve dhënë në hetuesi shihet se në Rrethin e Gjilanit ishin grumbulluar 200 pushkë, 4 mitraloza të rëndë 8 të lehtë dhe 4 minahedhës.12
Haki ef. si bashkëpunëtor i ngushtë i Mulla Idriz Hajrullahut për një kohë e kishte mbajtur lidhjen e KQ të NDSH-së me Mulla Idrizin në jatakun e tij në Gjyrishec, ku së bashku me Mulla Rizah Poliçkën e disa të tjerë i sillnin atij dokumentet e NDSH-së, dhe vepra të tjera fetare e filozofike si dhe e njoftonin për aktivitetin politik e ushtarak të NDSH-së në Rrethin e Gjilanit etj.
Në vitin 1946, përpjekjet e OZN-ës ishin gjithnjë e më intensive për asgjësimin e ONDSH-së. Më 14 korrik në prag të mbajtjes së Kongresit të III të NDSH-së në malet e Lipovices, kapet Hamdi Berisha delegat i KQ për Kosovë dhe anëtar i Komitetit të Rrethit të Gjilanit. Pas pak u zbulua KQ i Shkupit dhe u arrestuan anëtarët e tij.Edhe pse i vetëdijshëm për rrezikun që i kanosej pas arrestimit të Hamdi Berishës dhe KQ të NDSH-ës dhe megjith që ofertat që të largohej Haki ef. nuk luajti nga vendi dhe priste momentin e arrestimit duke thënë: “Për Kosovë kam lindur dhe për Kosovë do të vdes”. Arrestimi i tij u bë më 23 korrik 1946, në Gjilan dhe po atë ditë ishte dërguar në burgun e Shkupit, ku me anëtarët tjerë të KQ të NDSH-së iu kishin nënshtruar torturave çnjerëzore. Në burgun e Shkupit Haki ef. ishte mbajtur më se tre muaj në hetuesi, nga të cilat më se 52 ditë në qeli. Gjatë kësaj kohe ishte mbajtur në izolim të fortë, i kishin humbur gjurmët dhë askush nga familja e të afërmit nuk dinin për të, as policët shqiptarë në qendrën e sigurimit të Shkupit nuk mund të kontaktonin me të. Dezinformatat që i lansonte OZN-a ishin të ndryshme, se gjoja Myderrizin e kanë mbytur me dru, se e kishin grirë, e kishin helmuar etj. Të gjitha këto kishin për qëllim të fusnin frikën në popull. Haki ef. e kishte marrë në pyetje major Dimitrije Kolkoviq–Disha naçalnik i seksionit të sigurimit shtetror të Shkupit. Po me gjithë shëndetin e brisht , ndaj tij ishin përdorur torturat më brutale të OZN-ës, mes tjerash ishte mbajtur në beton të lagur, i varur në lak me krahët në ujë .Më në fund gradualisht ishte mposhtur para dhunës dhe më 4 shtator të vitit 1946 i shkallmuar, u detyrua të pranonte atë që pranuar Hamdi Berisha dhe Kemal Skenderi, zëvendëskryetar i KQ të NDSH-së. Tani OZNA kishte arritur të shtinte në dorë lidhjet e KQ me Komitetet e Rretheve të Gjilanit, Prishtinës, Ferizajt, Drenicës etj. Më 21 tetor 1946, kapen anwtarët e Komitetit të Rrethit të Gjilanit, Rexhep Shemë-Dajkoci, Maliq Sahit-Qollaku, Ramadan Agushi, Mumin Jakupi, Destan Ismajli-Budrika, Mulla Rizah Osmani- Poliçka, Arif Rogana, Ibrahim Karaçeva dhe Jakup Salihu-Malisheva13.
Me qëllim të arsyetimit të akteve të veta makabre ndaj anëtarëve dhe veprimtarëve të NDSH-ës trilloheshin aktakuza të ndryshme, gjëja se ne bashkëpunonim me organizatat e ndryshme çetnike , ustash e VMRO –iste , angazhoheshin për përmbysjen e rregullimit shtetëror të RF të Jugosllavisë për formimin e Shqipërisë së Madhe se në Kongresin e Shkupit ishte marrë vendim për shpeshtimin e aksioneve terroriste ndaj përfaqësueseve të pushtetit popullor dhe të eprorëve ushtarak. Mirëpo realiteti ishte tjetër ,sepse anëtarët e NDSH-ës i takonin rrymës irredentiste, shumë prej tyre kishin marrë pjesë luftën antifashiste duke shpresuar se pwrmes saj do të realizonin aspiratat pë çlirim e bashkim kombëtar 14. Mirëpo duhet cekur se me gjithë torturat e ashpra çnjerëzore të OZN-ës pothuaj se të gjithë të arrestuarit do të përgjigjen ashtu si ishin marrw vesh dhe të betuar se çka e deri ku mund të flasin gjatë hetuesisë duke shpëtuar burgosjen e qindra vetëve.
Pas tre muaj qëndrimi në burgun e Shkupit Haki ef. e sollën në burgun e Ferizajt, të dërmuar dhe gjysmë të vdekur, për t’i vazhduar hetimet. Atëbotë familja e tij kuptoi se ishte i gjallë dhe pati mundësi që ta shohë. Edhe në burgun e Ferizajt ndonëse në gjendjes tepër të rëndë Haki ef. ishte aktivi në veprimtarin tij patriotike duke u dhënë kurajë shokëve për jetë e punë të mëtutjeshme dhe si thonë të burgosurit e tjerë NDSH-istë, ”Ai çdo herë na mësonte diç të re dhe na çelikoste në punën tonë, duke e lidhur çdo gjë me fe e atdhe”.
Nga fillimi i janarit 1947, OZN-na filloi inspektimin e proceseve gjyqësore në Shkup, Prishtinë dhe Gjilan. Më 12 janar filloi gjykimi i veprimtarëve të NDSH të viseve të Mitorvicës, Fushë-Kosovës e Llapit, tre prej të cilëve gjyqi ushtarak i dënoi me vdekje. Më 7 shkurt përfundoi procesi gjyqësor në Shkup kundër anëtarëve të KQ të NDSH –s, kur u gjykuan 18 veta, nga të cilët 4 me vdekje dhe 14 të tjerë me 68 vjet burg. Disa muaj më vonë në Gjyqin Ushtark të Beogradit, më 30 shtator 1947, u dënua me vdekje kryetari i KQ të NDSH-së, gjilanasi Halim Orana dhe me konfiskim të pasurisë.15
PROCESI GJYQËSOR i GJILANIT 1-7 SHKURT 1947
Më 1-7 shkurt në Gjyqin e Qarkut në Gjilan u zhvillua procesi gjyqësor kundër 39 veprimtarëve dhe anëtarëve të Komitetit të Rrethit të Gjilanit, Ferizajt dhe Kaçanikut. Këtij procesi iu dha publicitet i madh, me qëllim që në masat e gjëra të futej frika dhe pasiguria. Interesimi për pjesëmarrje ishte i madh, andaj gjykimi i këtij grupi u mbajt në sallën e quajtur “Sokollana”. Në listën e të akuzuarve i dyti me radhë, pas Hamdi Berishës, ishte Myderriz Haki ef. Sermaxhaj. Këtë gjykim e udhëhiqte këshilli i përbërë nga kryetari-rusi Zaharija Orgjinikidze si dhe gjykatësit porotë Hafiz Kaculi nga Gjilani dhe Isak Selmani nga Kaçaniku. Ndërkaq aktakuzën e paraqiti prokurori publik i KAKM Ali Shukriu i cili me këmbëngulje kërkonte që veprimtarëve të NDSH-ës t`u shqiptoheshin dënime drakonike. Para gjyqit dolën 37 veta dhe të gjithë akuzoheshin për vepër penale të ligjit kundër popullit dhe shtetit. Nga të akuzuarit 32 veta u dënuan me shumë vjet burgim, Hamdi Berisha u dënua me vdekje pushkatim, kurse 6 veta u liruan nga aktakuza. Pas shqiptimit të dënimit, masa e tubuar serbe filloi të brohoriste dhe të kërkonte vdekjen e të gjithëve, duke thirrur me zë “Duam vdekjen e ballistëvë”. Hamdi Berisha, duke e pa masën e tërbuar serbe se po kërkonte vdekjen e të gjithëve, bërtiti para gjykatës ”Poshtë Jugosllavia, rroftë Shqipëria” dhe shtoi “vëllezër dasmë pa mish nuk bëhet”, policët e heshtën me dhunë. Gjyqi i shkallës së dytë për shkak të moshës Hamdi Berishës ia hoqi dënimin me vdekje dhe ia zëvendësoi me 20 vjet burg. Në këtë proces gjyqësor 31 vetëve iu shqiptuan 427 vjet burg.
Edhe pse ishte i dyti në listën e të akuzuarve të këtij grupi, Haki ef. nuk doli para gjyqit me bashkëveprimtarët e tij të NDSH-së, për shkak të shëndetit të dobët, por ishte dërguar në spitalin e Gjilanit. Për te është organizuar gjykim i veçantë, në të cilin është dënuar me 18 vjet burg të rëndë. Pas gjykimit, për rreth një muaj kishte qëndruar në spitalin e Gjilanit, ku nuk i ishte ofruar ndihma e duhur mjekësore.
Të dënuarit në burgun e Gjilanit, në mesin e tyre edhe Haki ef. më 1 prill 1947, u dërguan në Mitrovicën e Sremit për të vuajtur dënimin. Përcjellja nga populli kudo qe madhështore.16
Myderriz Haki ef. në burgun e atjeshëm tërë kohën do të qëndronte i sëmurë dhe kryesisht i ndarë në vetmi në spitalin e burgut. Sipas disa të dhënave, në spital ndodheshin edhe disa mjekë gjermanë, të cilët duke vërejtur te Haki ef. njeriun me aftësi të rrallë, kishin bërë përpjekje për ta shpëtuar dhe kishin porositur ilaçe edhe nga Gjermania, por pa sukses, sepse, për pushtetin jugosllav diagnoza e kësaj sëmundje “andaj shërimi i tij më i dobishëm ishte vdekja.
Edhe në burgun e Mitrovicës së Sremit të burgosurit politik shqiptarë kishin vazhduar veprimtarinë e tyre ilegale. Edhe këtu Haki ef. e konsideronin udhëheqës shpirtëror dhe politik të aktivitetit të tyre. Këtë e dëshmon edhe atdhetari i njohur i kësaj ane, Raif Halimi, i cili, pos tjerash, thotë: “Haki ef. e mbanin në spitalin e burgut dhe të izoluar nga ne, por ne bënim çmos që të takoheshim dhe të merrnim këshilla prej tij. Ai gjithnjë na këshillonte dhe na përshëndetëte me grushtin e ngritur lartë dhe me fjalën”mbahuni”. Myderriz Haki ef. vdiq më 27 janar 1948, në moshën 33 vjeçare, duke ua lënë shokëve amanetin “ për atdhe duhet të flijojmë gjithçka, pasurinë, evladët, jetën…Veyëm liria e atdheut i ka rrënjët në gjak, vetëm sakrifica e bijve të tij e rrit atë…”17 Disa shokë, me lejen e burgut, e varrosën në varrezat e Mitrovicës së Sremit duke e përcjellë me lot në sy.
Bazuar në disa atë dhëna memoriale, Haki ef. Sermaxhaj, në cilësinë e të paftuarit kishte marrë pjesë në njërën prej seancave të fundit të Konferencës Krahinore të Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë e Dukagjin, në korrik 1945, në Prizren. I vetëdijshëm për rrjedhat dhe epilogun e kësaj konference në të cilën po vendosej për aneksimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare që po u bashkoheshin tri republikave jugosllave, Haki ef. e morri fjalën dhe i kishte sulmuar ashpër udhëheqësit shqiptar të LNÇ-së në Kosovë, duke i akuzuar për tradhti ndaj popullit dhe duke iu kërcënuar për kryengritje të armatosur. Nga kjo kohë ishte shtuar dyshimi i organeve të pushtetit komunist ndaj Haki ef. dhe ishte në përcjellje të vazhdueshme nga ana e njerëzve të OZN-ës.18
Është vështirë për të gjetur fjalë, për të shprehur tërë respektin që kishte pasur populli i Anamoravës dhe viseve tjera ndaj Haki ef. e sidomos ata që kishin pasur rastin ta dëgjonin fjalën e tij dhe të njiheshin me te. Edhe pse në moshë të re (jetoi 33 vjet), aftësia e tij prej oratori fetar dhe patrioti të rrallë bëri që Haki ef. të ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Më këtë rast vlen të ceken fjalët e intelektualit dhe patriotit Haxhi Pllana të Ferizajt, i cili duke e dëgjuar në një rast fjalën e tij, ishte shprehur: “Bre djalë kam dëgjuar fjalën e intelektualëve e patriotëve të shumtë dhe kam mbajtur vajz edhe para Sulltan Hamidit, por një oratori të tillë nuk kam pasur rastin ta dëgjoj”. Të gjithë ata bashkëveprimtarë e nxënës të Haki ef., me të cilët patëm rastin të bisedonim, të gjithë e përkujtojnë me pietet veprën e tij prej intelektuali, mësuesi e patrioti dhe vështirë e kanë të gjejnë fjalë, për ët shprehur tërë atë që ndjejnë në zemrat e tyre.
Për të qenë më konsekuent lidhur me jetën dhe veprën e Haki ef., e shohim të udhës që në vijim të japim disa thënie të shkurta, nga të dhënat e mbledhura në terren, prej disa bashkëveprimtarëve dhe nxënësve të Haki ef. e të tjerë.
-Xhemal ef. nga Shkupi veprimtarë i NDSH-së thotë: ”Haki ef. është vështirë ti gjendet shoku. Në qelin e burgut të Shkupit e pashë të shkruar Haki Taipi 52 ditë”.
Shukri Reka, Shkup nga Kaçaniku bashkëveprimtar, pos tjerash thotë: ”Kur e prunë në burgun e Ferizajt ishte pa vetëdije dhe gjysmë i vdekur, mirëpo posa filloi të kthjellet na këshillonte duke na dhënë kurajë për jetë e punë Ai çdo gjë e lidhte me fe atdhe dhe për çdo ditë na tregonte diçka të re…”.
Ilmi Shehu nga Ferizaji me banim në Shkup , shprehet ”Për kohën e tij askush s’ka mundur të krahasohet me të. Në burgun e Ferizajt djersitej pa masë, nga 10-12 herë në ditë ia ndërronim këmishën duke ia veshur këmishët tona . Na thoshte “Unë jetë nuk kam sepse torturat e Shkupit më kanë prishur”.
Murat Zherka, Ferizaj, “Haki ef. e kemi patur pedagog, për çdo gjë konsultoheshim me të, ai gjithnjë na çelikoste në aktivitetet tona”.
Hajrulla Rexhi nga Bresalci nxënës i Haki ef. rrëfen: ”Kam qenë nxënës dhe korrier i tij, ai çdo herë fliste për fe e atdhe duke mos e nda njërën prej tjetrës, shpesh thoshte nuk mund të ketë fe pa atdhe të lirë. Ishte kategorik kundër shpërnguljes, shpesh na thoshte ”Kush ia kthen shpinën vatanit ia ka kthyer shpinën edhe fesë” dhe shtonte, “ Kurrë mos u dorëzo por gjithnjë kërko dhe lufto për të drejtat e tua, kurse çështje të përhershme duhet ta keni bashkimin kombëtar” etj.
Ramadan Sermaxhaj, Shkup, vëlla i Haki ef., pos të tjerash thotë:,,Kur gjermanët i morën si rob lufte disa shqiptarë të kësaj ane në mesin e të cilëve ishte edhe vëllai ynë, Haki ef. shkoi pas tyre deri në Maribor , ku kishte arritur që t’i lironte 52 shqiptarët e internuar dhe të gjithë i kishte kthyer shëndoshë e mire nëpër Shqipëri e në Kosovë.”
Nijazi Fehmiu intelektual nga Gjilani, tani jeton në Stamboll:,, Fashistët italianë para se të tërhiqeshin nga Gjilani kishin vendosur ta bombardonin qytetin dhe fillimisht shtinë me topa në drejtim të Xhamisë së Madhe duke e goditur minaren mirëpo falë ndërhyrjes së shpejtë të Haki ef. është ndërprerë bombardimi ”
Vepra patriotike dhe fetare e Haki ef. zë një vend me rëndësi në altarin e lirisë e të fesë dhe do të mbetet shembull për shumë gjenerata të ardhshme.