Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, së bashku me Drejtorin e Arsimit Shpend Nuhiu, zhvilluam një takim me të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të komunës sonë. 



Diskutuam rreth masave të ndërmarra për një fillim sa më të mbarë të vitit shkollor, si dhe për aktivitetin që tashmë ka nisur “Java kundër Dhunës – Shkolla jonë, vend i dijes dhe i dashurisë”.
Qëllimi ynë i përbashkët mbetet sigurimi i një mjedisi të shëndetshëm dhe të sigurt për nxënësit, ku përveç dijes të kultivohet respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin.
Ciklin e takimeve me bizneset e qytetit e vazhduam në kompaninë “Vatani”, një prej bizneseve më të njohura dhe më të suksesshme në fushën e materialeve ndërtimore dhe veglave të punës në Gjilan.
Së bashku me nënkryetaren e komunës, Leonora Morina Bunjaku dhe nënkryetarin e Lëvizjes, Luan Aliu, u mirëpritëm nga pronari Ismet Sylejmani, i cili me punë dhe përkushtim ka ndërtuar një pikë referimi për profesionistët dhe qytetarët, duke gjeneruar dhjetëra vende pune.
Vatani mbetet shembull i zhvillimit ekonomik lokal.
Takimet i vazhduam me logopedet e angazhuara nga komuna jonë.
Komuna e Gjilanit është e para në Kosovë që ka filluar ofrimin e shërbimeve logopedike në shkollat fillore. Deri tani, mbi 100 fëmijë kanë përfituar krejtësisht falas nga këto shërbime profesionale. 

Me logopedet biseduam për përfitimet e këtij programi dhe mundësitë që ai të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Vizitat i vazhduam tek biznesi RB Metal, me pronarë Refik dhe Feti Bajrami.
RB Metal është një biznes shembull në përpunimin e metalit, me rreth 700 ton shitje në vit dhe dhjetëra të punësuar. 



Ky biznes, si shumë biznese të tjera e ka ndjerë dorën e shtetit, duke qenë përfitues i granteve nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Mbështetje të tilla janë jetike për rritjen dhe fuqizimin e bizneseve vendore, sepse u mundësojnë sipërmarrësve të investojnë në teknologji më të avancuar, të zgjerojnë kapacitetet prodhuese dhe të hapin më shumë vende të reja pune për qytetarët tanë.
Vizita tek Antigona Shaipi është më shumë se një takim me një biznes, por një histori suksesi që na bën krenarë për punën katërvjeçare të qeverisjes sonë.
Vitin e kaluar, falë Fondit për Ndërmarrës të Rinj, Antigona u pajis me makineri moderne dhe pajisje të reja për qepje, që mundësuan që kreativiteti i saj të shndërrohet në një biznes lider në fushën e modës në Gjilan. 

Çdo koleksion që ajo krijon tregon pasion, talent dhe vendosmëri. Për ne, Antigona nuk është vetëm një sipërmarrëse e suksesshme, por edhe një frymëzim për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin ëndrrat e tyre. 

Antigona, vazhdo me punë e përkushtim – Komuna e Gjilanit do të jetë gjithmonë krah teje për mbështetje dhe zhvillim të mëtejmë. 
