Gjilan

Sadiku: Gjilani është shembull për harmoni mes komuniteteve

 

Gjilan, 17 maj / Komiteti për komunitete në Gjilan ka zgjedhur sot Kemal Shahinin për kryesues të kësaj trupe komunale, në një mbledhje konstituive, të cilën e ka udhëhequr kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku.

Sadiku ka kërkuar nga anëtarët e Komitetit që të punojë në unitet, duke i rikujtuar ata se harmonia brenda këtij komiteti reflektohet edhe në jetën e komuniteteve jashtë.

‘E di nga praktika e mëhershme se Komiteti për komunitete në Gjilan ka qenë shembull për të gjitha komunat tjera sa i përket bashkëpunimit të mirë, korrekt dhe të sinqertë dhe si rezultat i këtij mirëkuptimi, shpeshherë kemi përfituar edhe donacione të ndryshme prej organizatave të huaja’, ka thënë kryesuesi Sadiku.

Ai i ka ftuar anëtarët e Komitetit që ta vazhdojnë këtë praktikë të mirë edhe në këtë mandat, ndërkohë që ka premtuar mbështetjen e tij dhe të Kuvendit për nismat dhe projektet që vijnë nga kjo trupë komunale.

Ndërkaq, Kemal Shahin, i cili u zgjedh në krye të këtij Komiteti për herë të shtatë, duke qenë anëtari më i vjetër i tij, premtoi se do të vazhdojë të punojë sikur deri më tani, për të gjitha komunitetet pa dallim.

‘Gjilani njihet për tolerancë dhe bashkëpunim me komunitetet dhe për këtë meritor janë qytetarët’, tha Shahin.

Komiteti për komunitete ka 7 anëtarë, 4 prej tyre nga radhët e komuniteti turk, serb e rom, ndërsa tre të tjerët janë shqiptarë dhe vijnë nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend – LDK, LVV, PDK.

Anëtarë të kësaj përbërje janë: Drenushë Maloku (LDK), Besnik Shala (LVV), Suzana Selimi (PDK), Kemal Shahin e Songyl Poçinka (komuniteti turk), Nenad Gjorgjeviq (komuniteti serb) dhe Vebi Ramadani (komuniteti rom).

You Might Also Like