Futboll

Alea Sabriu talentja 12-vjeçare nga diaspora që ëndërron fanellën e Kosovës

Një emër i ri, por shumë premtues po ngjitet në skenën e futbollit gjerman: Alea Sabriu, vetëm 12 vjeçe, me prejardhje nga Livoqi i Ulët i Gjilanit, është një nga talentet më të reja që po lë gjurmë në futbollin e femrave në Gjermani.

E rritur dhe banore me familjen e saj në Gjermani, Alea po shkëlqen me ekipin **VfL Sindelfingen Ladies**, ku aktivizohet si sulmuese anësore. Pavarësisht moshës së re, ajo është një nga lojtarët më aktive në ekip dhe është vlerësuar për disiplinën, teknikën dhe shpirtin luftarak në fushë.

“E dua futbollin më shumë se gjithçka. Futbolli është inspirimi im dhe dua të arrij majat e suksesit me të. Tani ndjehem shumë mirë në këtë klub, trajneri dhe shoqet janë të shkëlqyera, dhe shumë shpejt presim të arrijmë rezultate të mëdha,” – është shprehur Alea.

Idhulli i saj është Cristiano Ronaldo, ndërsa ajo synon të ndjekë rrugën e kampionëve me punë, disiplinë dhe pasion.

Por ëndrra më e madhe e Aleas nuk lidhet vetëm me suksesin në Gjermani. Zemra e saj rreh për Kosovën dhe ajo dëshiron me gjithë shpirt që një ditë të veshë fanellën e “Dardaneve”.

“Në shumë raste, kur shënoj gol dhe bëj shqiponjën, ndihem krenare për prejardhjen time. Zemra ime është shqiptare dhe dëshira ime më e madhe është të përfaqësoj Kosovën. Dua t’i bëj krenarë prindërit dhe të gjithë farefisin tim, kudo që ndodhen,” – ka thënë me emocion Alea Sabriu.

Aktualisht, Alea po qëndron me familjen në pushime në Kosovë dhe shprehet e entuziazmuar për mikpritjen dhe bukuritë natyrore të vendit.

You Might Also Like