Timo MËRKURI
APOGJEU SHPIRTËROR I ALBINA IDRIZIT
Leximi i poezisë së Albina Idrizit me atë tonalitetin e tij të ulët: si një të folur me vete, si një pëshpërimë lutjeje i ngjan udhëtimit të një besimtari drejt një tempulli të shenjtë, ku ngritja e nivelit poetik pas çdo vargu të krijon idenë e ngjitjes në një të përjetë ku ke mundësinë të zgzjerosh shikimin dhe marrësh ajër të freskët në frymëmarrje, gjë që nënkupton se tempulli është diku lart pa përcaktuar në se është diku lart në mal apo në qiell. Poezitë e saj në përgjithësi dhe metaforat në veçanti kanë diçka tejë tokësore, diçka si shtjellë ajri që shfaq imazhe , të cilat, edhe kur kanë formën e luleve, nuk kanë aromën e tyre, madje dhe ngjyrën e kanë me nuanca të tjera. Ato më shumë kanë aromën e shpirtit, ngjyrat e ëndrrës, dukjen e shpresës, janë tepër shpirtërore këto poezi të saj, sa që kur i mban në dorë ndjen një ngrohtësi e drithërimë si të një zemre (shpirti) që përpëlitet sa që vjen ti japësh të drejtë me zë të lartë Shams Tibrizit për fjalën e tij: “Ne besojmë se Zoti na sheh nga lart, por e vërteta është se ai na sheh nga brenda”. Ne kërkojmë kuptimshëmrinë e vargut të Idrizit jashtë saj, ndërsa ai vjen nga brenda shpirtit, ku ajo shpesh hyn (ngjitet apo zbret) për të na sjellë vargun e saj poetik.
I-Albina Idrizi ka në natyrën e saj poetike eksplorimin e shpirtit të vetë, eksplorim që shpesh nuk është kuptuar nga lexuesi dhe kritika, madje deri aty sa që poezinë e saj psh. “Unë putha armikun tim” me tipare metaforike dhe psikologjike janë munduar ta lexojnë dhe analizojnë si një poezi realiste, duke ju larguar thelbit të krijimtarisë së saj. Këtu ndoshta ka ndikuar edhe elementi realist në poezinë e saj, i cili në fakt është thjeshtë në funksion të metaforizimit poetik. Kjo dukuri shfaqet më e qartë dukshëm te poezia e saj “Apogje Shpirti”, që shfaq karakteristika të thella të eksplorimi të shpirtit të saj. “Sërish unë, në letrën e njëzetetretë/të ciklit drunor// edhe atëherë kur shkruaj për ty/jam po unë, në veten e dytë’’ shkruan poetja qysh në krye të poezisë. Te kjo poezi të krijohet përshtypja se poetja po i shkruan një letër dikujt, por në thelb poezia paraqet një rrugëtim të brendshëm të poetes në kërkim të ndjeshmërisë, e thellësisë së shpirtit dhe lidhjen emocionale me procesin e krijimit. Përmes fjalëve dhe imazheve poetike, ajo sjell një përvojë sa të thellë, aq dhe intime që shpërfaq lëvizjet dhe refleksionet e shpirtit të saj. Me sa duket Albina Idrizit vazhdon të shëtisë në botën e saj shpirtërore, si dikur në fëmini, kur e trishtuar nga bota reale, nëpërmjet botës së leximit krijonte botën e saj (shpirtërore) të bukur e të pastër, ashtu siç e donte ajo të ishte në realitet. E parë në këtë kontekst nuk gabohemi po qe se i cilësojmë poezitë si lule apo më saktë copëza të shpirtit të saj
Vargjet e poezisë “Apogje Shpirti” duke shfaqur një udhëtim të brendshëm dhe përshkrim të ndjeshmërisë së thellë të shpirtit, shprehin refleksionet dhe ndjenjat që shkakton procesi i krijimit dhe lidhja me vetveten e botën përreth. Nëpërmjet metaforave, imazheve dhe simboleve, ajo shfaq bukurinë dhe thellësinë e përvojave të saj, dhe e bën poezinë si një udhëtim emocional dhe shpirtëror. Kjo poezi përjeton një kërkim të vazhdueshëm shpirtëror dhe lidhjen me atë, dhe në këtë mënyrë mund të shihet si një eksplorim i thellë i ndjenjave, mendimeve dhe identitetit të autores. Lexojini poezitë e Albina Idrit si pjesë e shpirtit të saj dhe ju siguroj unë që do mahniteni nga dritësimi I mazheve poetike.
II-Sigurisht, titulli “Apogje Shpirti” është titull metaforik, i cili përmban në vetvete një imazh të thellë dhe një përcaktim shpirtëror të lartë, duke përdorur dy fjalë për të shprehur diçka më shumë se thjeshtë kuptimi i vetë fjalëve. Përdorimi i “Apogje” si një pikë kulmore ose një nivel më i lartë, bashkë me “Shpirti”, thekson një lartësi shpirtërore (tempull lart në mal) ose një moment kulmor të ndjeshmërisë dhe kuptimit të shpirtit.Kjo është arsyeja pse poezia shpesh përdor titujt metaforikë për të sjellë thellësinë dhe kompleksitetin e përvojës së saj. Këtu, “Apogje Shpirti” nënkupton një gjendje shpirtërore mjaft të thellë dhe të lartë, duke inkurajuar lexuesin të zbulojë thellësinë e emocione-ve dhe mendimeve të autores nëpërmjet fjalëve dhe imazheve të poezisë. Titulli në këtë rast shfaq më shumë se sa thjesht një pamje; ai ka një peshë simbolike dhe emocionale të thellë.
Në këtë kontekst, titulli “Apogje Shpirti” mund të përbëjë një shfaqje e kërkimit të autorit për nivelin, kuotën më të lartë të ndjeshmërisë dhe thellësisë së shpirtit të saj për ti prurë në poezi. Mund të jetë një përpjekje për të arritur në pikën më të lartë të një përvoje shpirtërore, një moment kulmor që mund të përshkruajë kërkimin e thellë të kuptimit dhe lidhjes me thellësitë e vetes.
E parë në këtë asspekt, titulli sugjeron një lidhje të thellë emocionale të shpirtit të autores me krijimin e saj, ai shfaq momentin kur shpirti i saj është në krye të kreativitetit dhe ekspresionit të thellë emocional, duke arritur në një pikë kulmore të shprehjes së vete nëpërmjet poezisë.
III-Poezia “Apogje Shpirti” e Albina Idrizit është një krijim poetik që eksploron identitetin, lidhjet dhe fuqinë e fjalës në krijimin e lidhjeve emocionale, është udhëtimi i vazhdueshëm i krijuesit në botën e brendshme shpirtërore, duke e bërë këtë proces një pjesë thelbësore të shpirtit dhe zhvillimit personal. Kjo është e dukëshme edhe te fakti se poezia ka një sfond të thellë emocional dhe shpirtëror, ku duke ndjekur udhëtimin e shpirtëror, shpreh përpjekjet për të komunikuar dhe për të kuptuar lidhjet që krijon me veten, me të tjerët dhe me botën që e rrethon.
Në këtë poezi, autoria shfaq një proces krijimi, ku shkrimi i vetvetes dhe për tjetrin shihet si një udhëtim (i vazhdueshëm) i gjetjes së identitetit. Vargjet përmendin një lloj lidhjeje mes poetit dhe lexuesit, një lidhje që krijon një përvojë të përbashkët, duke e lënë lexuesin të ndjehet i përfaqësuar dhe i përfshirë në këtë proces. Po ashtu poezia shpreh edhe një llojë melankolie në lidhje me fatin dhe kohën, ku shprehet ndjenja e humbjes në labirinthin e kohës dhe përpjekjet për të kuptuar një sërë çështjesh të thella filozofike dhe shpirtërore.
Nëpërmjet imazheve dhe metaforave, autoria vazhdon të shfaqë udhëtimin e saj nëpër fjalë dhe mendime, duke e përdorur poezinë si mjet për të arritur thelbin e shpirtit dhe për të komunikuar me lexuesin në një nivel më të thellë. Kjo lidhje midis poetes dhe lexuesit ka një rëndësi të veçantë, siç tregon përdorimi i fjalëve “Ti më lexon/ në qoshen tënde të jetës për një çast, qoftë vetëm për një çast, pa u ndjerë vetëm.”
Thamë se krijimi poetik paraqitet si një udhëtim shpirtëror, si një kërkim për të plotësuar boshllëkun dhe për të arritur në thellësi të shpirtit të vet dhe të tjetrit gjë të cilën poetja e shpreh te vargu: “Sërish unë, vij rrokafundit” ku sugjeron vazhdimin e këtij udhëtimi, duke reflektuar mbi natyrën e krijimit dhe zhvillimin personal. Nuk është e lehtë të bësh një udhëtim të tillë shpirtëror, për të sjellë atë që dëshiron. Orfeu hyri në Had por nuk e pruri dot në botën e të gjallëve Euridiçen, ndërsa Albina hyn në Had e në parajsë dhe na sjell gjithmon poezi shpirti.
IV-Poezia “Apogje Shpirti” e Albina Idrizit shfaq një përmbajtje thelbësore psikologjike që lidhet ngushtë me përvojën e krijimit, identitetin dhe lidhjen emocionale me tjetrin.
Në këtë poezi, autoria paraqet një proces të përsëritur krijimit, duke përdorur fjali si “Sërish unë, në letrën e njëzetetretë të ciklit drunor” që sugjeron një reflektim të vazhdueshëm mbi vetveten dhe krijimin, ndërkohë që përdorimi i termave si “kanatat e fjalës gjer në apogjeun e shpirtit” shprehin gjetjen e një lirie shpirtërore nëpërmjet këtij proces krijimi. Në këtë kontekst, poezia reflekton nevojën e krijuesit për të komunikuar e për të ndarë eksperiencën e tij. Vargu: “Ti më lexon/ në qoshen tënde të jetës/ për një cast/ qoftë vetëm për një çast,/pa u ndjerë vetëm.” shpreh nevojën për të njohur, për tu njohur, për të kuptuar dhe për tu kuptuar nga tjetri. “Të gjithë kemi nevojë që dikush të na shohë” thotë Kundera, por poetët janë si të dashuruarit, kërkojnë që t’i shohin reciprokisht gjithmon lexuesit, shtojmë ne.
Sqaruam se poezia sugjeron një udhëtim të brendshëm të vazhdueshëm, siç tregon përdorimi i vargjeve “Sërish unë, vij rrokafundit/ me një nënshkrim të kuqërremtë nëntori/mbi gjethen e mbrame që përtoket,/ dhe shikoj/si të kanë sjellë sot tek unë/duart e mia”, që lidhet me zhvillimin personal dhe përpjekjet për të kuptuar veten në një nivel më të thellë. Pra poezia reflekton një nevojë të thellë për të kuptuar veten dhe për tu lidhur me të tjerët në nivel më të thellë emocional dhe shpirtëror. Shprehja poetike trajton psikologjikisht udhëtimin e vazhdueshëm të një shpirti në kërkim të identitetit dhe vetëkuptimit.
Vlen të shprehim se përdorimi i fjalëve si “Sërish unë” dhe “duke shkruar veten për të kushedi të satën herë” tregon në aspektin psikologjik një përpjekje të vazhdueshme për të kuptuar veten dhe lidhjen me krijimin e vet, ndërkohë, poezia flet për nevojën për komunikim dhe lidhjen me tjetrin, ku përdorimi i frazave si “Ti më lexon në qoshen tënde të jetës” shpreh nevojën për të qenë të kuptuar dhe të lidhur emocionalisht me lexuesin ose tjetrin.
Vargjet shfaqin psikologjikisht një udhëtim shpirtëror, ku poetja po vazhdon rrugëtimin për të arritur në thellësi të shpirtit (të saj apo të lexuesit). Vargu”Vij rrokafundit” dhe përdorimi i fjalëve “kanatat e fjalës gjer në apogjeun e shpirtit” tregojnë këtë eksperiencë të brendshme të zhvillimit personal dhe shpirtëror.
Poezia reflekton mbi perceptimin e kohës dhe fatit në kontekstin e udhëtimit të jetës. Përdorimi i fjalëve “fati është një shaka kozmike për të humburit e fillit në labirinthin e kohës” tregon për një ndjesi të paimagjinueshme të kohës dhe fatit që influencojnë jetën dhe eksperiencën tonë.
Pra shohim se aspekti psikologjik i poezisë shfaqet në një sërë elementësh, gjë që dikton mendimin se poezia mund të cilësohet si kombinim i elementeve metaforike e psikologjike. Nëpërmjet përdorimit të metaforave dhe simboleve, ajo shfaq lirinë krijuese dhe shprehjen e thellësisë emocionale, por në të njëjtën kohë, shprehja e ndjenjave personale dhe refleksioni i thellë mbi procesin e krijimit dhe lidhjen me lexuesin e bëjnë atë një poezi me karakter psikologjik të theksuar.
Metaforat dhe imazhet e përdorura shfaqin ndjenjat dhe eksperiencën e krijuesit në mënyrë simbolike, ndërsa analiza psikologjike e ndjeshmëria e shprehur shfaq përvojën personale, duke e bërë atë një vepër që reflekton thelbin e mendimeve, ndjenjave dhe emocioneve të autorit. Kombinimi i këtyre elementeve jep përmasa të thella dhe të pasura poetike, duke e bërë poezinë të cilësuar si një krijim me kolorit dhe thellësi të veçantë.
V- Mqse erdhëm te metaforat dhe figurat artistike, duhet të themi se kjo poezi ka një veçanti që shfaqet në përdorimin e dyfaqshëm të figurave artistike dhe konkretisht:
Në poezinë “Apogje Shpirti” metaforat ndihmojnë në shprehjen e një udhëtimi të brendshëm dhe të thellësisë së emocioneve, si psh te vargjet: “Sërish unë, vij rrokafundit/me një nënshkrim të kuqërremtë nëntori/mbi gjethen e mbrame që përtoket,/kur ndalem e shikoj/si të kanë sjellë sot tek unë/duart e mia”,ku metafora:”Nënshkrimi i kuqërremtë nëntori mbi gjethen e mbrame që përtoket” shfaq nënshkrimin, firmën e poetes në veprën e saj si moment i rëndësishëm dhe i përfunduar, por metafora “Mbi gjethen e mbrame që përtoket” simbolizon procesin e rritjes dhe zhvillimit të krijimit si një proces që përfshin punën dhe përkushtimin për të arritur në përfundimin e plotë, duke na dhënë dhe një imazh me gjethen që përtoket.
Te vargu: “: “Kanatat e fjalës gjer në apogjeun e shpirtit, ku të takova ty, apo të krijova vetë, nuk e di”, metafora “Kanatat e fjalës” paraqet fuqinë e fjalës për të arritur në një nivel të lartë të shpirtit dhe krijimit. Mirëpo “Kanatat e fjalës” shfaqen dhe si një symbol i fuqisë dhe lirisë e fjalës për të shprehur thellësitë e shpirtit dhe për të arritur në një nivel më të thellë shpirtëror në të njtën kohë japin dhe një imazh artistic me sfond objekti.
Te vargu:””Ec zgjuar me të gjitha shqisat, i atypëratyshëm nëpër çdo shkronjë, pa të kaluar asgjë, pa u ndalur në asnjë, si nëpër tespih lutjesh”, metafora “Tespih lutjesh” shpreh procesin e krijimit si një akt të ndërgjegjshëm në çdo detaj, mirëpo “Tespih lutjesh” simbolizon dhe ritmin e përqëndrimin e procesit të krijimit, si një lloj lutjeje me përqëndrim të thellë në fjalë dhe shprehje, ku “Tespih-ët” shfaqen si një imazh objekti.
Siç i pamë më sipër, metaforat e poezisë paraqiten edhe si simbole e imazhe dhe: përforcojnë ndjenjën e përqëndrimit të thellë dhe lidhjes emocionale të autorit me procesin e krijimit, transmetojnë fuqinë e fjalës, përkushtimin dhe rëndësinë e çdo harku në udhëtimin e krijimit artistic, gjithashtu sjellin një ndjenjë të rrugëtimit të vazhdueshëm dhe përpjekjes së përsëritur për të arritur në lartësinë e shpirtit përmes poezisë.
Elementët e përmendur më sipër si metafora, që njëkohësisht shfaqen edhe si imazh apo symbol, forcujnë tiparin metaforik të poezisë. Përdorimi i tyre në poezi sjell një ngjashmëri të thellë mes ideve dhe imazheve që janë shfaqur në mënyrë metaforike dhe atyre që mund të shihen si imazhe apo simbole. Kjo përbërje dy-tri funkionale e figurave artistike në poezi shfaq densitetin artistik të saj dhe është produkt i një talenti të madh poetik dhe i një mjeshtërie artistike të arirë që e rendit poeten Idrizi në një qasje me poetë të mëdhenj europianë, që shpesh shfaqin introspektivitetin, ndjeshmërinë, dhe lirinë e shprehjes. Një përafëri e ngjashme e Idrizit mund të dalë me poetë modernë si Rainer Maria Rilke nga Gjermania, Fernando Pessoa nga Portugalia, apo Edith Södergran nga Finlanda ku: Rainer Maria Rilke shquhet për thellësinë e introspektivitetit dhe refleksionit të thellë në shpirtin dhe emocionet e tij, Fernando Pessoa po ashtu ka një qasje të ngjashme në ekspozimin e shpirtit dhe identitetit individual në poezi, duke shfaqur një sens të thellë të introspektivitetit dhe reflektimit mbi shpirtin, ndërsa Edith Södergran, përdor një lirizëm të lirë dhe eksploron ndjenjat dhe refleksionet e saj shpirtërore në poezinë e saj, duke sjellë një emocion të thellë dhe një qasje të thellë të lirës së shprehjes nëpërmjet poezisë.
Albina Idrizi nuk krijon vargje poetike, ajo i “shkul” ato nga shpirti i saj dhe na i jep t’i lexojmë, Jemi ne që duhet të dimë të lexojmë këto vargje, por më parë duhet të kuptojmë se “Apogjeu Shpirtëror” i saj është poezia dhe këtë ajo na e jep neve, ashtu si Zoti u dha njerëzve tempujt.