Gjilan

Arbër Ismajli: Qeverisja e tashme asnjë projekt nuk e ka përfunduar

Është për t’u habitur sesi qeverisja aktuale e Gjilanit del e krekoset me projekte milionëshe në letra, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër.Nuk është e ndershme të dezinformohen qytetarët, sepse ata janë vëzhguesit më të mirë të punëve tuaja. Asnjë projekt nuk ka përfunduar. Disa janë hapur vetëm në prag fushate, ndërsa shumë të tjera janë projekte të nisura nga koha jonë, të cilat kjo qeveri i ka mbajtur peng tash e mbi tre vjet e gjysmë.Edhe ato që kanë filluar, kanë nisur keq dhe pa plan, në kundërshtim me PZHK-në, e madje disa edhe me uzurpime.
Ndërkohë, viti i ri shkollor është në prag. Gjendja nëpër shkolla është alarmante. Ato janë katandisur në kushte të mjerueshme, ku nxënësit dhe mësimdhënësit do të përballen me mungesën e gjërave më elementare. Nuk ka kontrata as për shkumësa, e as për ngjyra të fotokopjuesve. Mësimdhënësit do të detyrohen të mbledhin para nga xhepi i tyre për të bërë kopje jashtë shkollës. Drejtorët po japin vërtetime me dorë sepse nuk ka ngjyra. Nuk ka as furnizim me pajisje sportive për fëmijët tanë.
Në anën tjetër, punimet e nisura pa planifikim nëpër qytet po shndërrohen në barrë të përditshme për qytetarët, bizneset dhe ekonomitë familjare. Veturat dhe mjetet tjera motorike pësojnë prishje të vazhdueshme, shtëpitë po mbulohen nga pluhuri, ndërsa shëndeti i qytetarëve po rrezikohet nga kaosi dhe rrëmuja. Ky është treguesi më i qartë se, kur mungon planifikimi dhe përkujdesja, dëmtohet çdo hallkë e jetës sonë të përditshme.
Ky është realiteti i pikëllueshëm ku e ka sjellë qytetin qeverisja aktuale: një pushtet që jeton me propagandë, ndërsa qytetarët jetojnë me mungesë, varfëri dhe dështime të njëpasnjëshme.

You Might Also Like