Futboll

Aris Ismajli, talenti premtues që po shkëlqen me FC Dritën dhe synon majat e futbollit kosovar

FC Drita vazhdon të jetë një ndër klubet më të përkushtuara për zhvillimin e talenteve të rinj, dhe një nga emrat më të përfolur së fundmi në radhët e saj është mesfushori me tipare sulmuese, Aris Ismajli.

19-vjeçari Ismajli tashmë ka kohë që është pjesë e bardh e kaltërve, ku me paraqitjet e tij të mira po dëshmon se është një prej yjeve në ngritje të futbollit kosovar. Pas një sezoni mbresëlënës me ekipin U19 të Dritës, ku ishte edhe kapiten, Ismajli këtë edicion ka kaluar në kategorinë U21, duke e vazhduar rrugëtimin drejt ekipit të parë.

Pavarësisht një lëndimi serioz gjatë stinorit pranveror që e pengoi të zhvillojë disa ndeshje, Ismajli tashmë është rikuperuar plotësisht dhe është i gatshëm të japë më të mirën për ekipin e tij. Ai shprehet entuziast për sezonin e ri dhe nuk fsheh ambicien për t’u bërë pjesë e skuadrës së parë të FC Dritës.

“Jam shumë i kënaqur me stinorin e kaluar, megjithëse kemi mundur të japim edhe më shumë. Tani jam në U21 dhe shpresoj të kontribuoj maksimalisht për rezultatet e klubit. Synimi im është që të jem pjesë e ekipit të parë të FC Dritës,” tha Ismajli.

Aktualisht, ai po luan si mesfushor ofanziv, por preferenca e tij është të luajë si qendërsulmues – pozitë në të cilën ai ndjehet më komod dhe mendon se mund të japë kontributin më të madh.

“Tani jam duke luajtur si mesfushor ofanziv, por vendi im ideal është qendërsulmues. Jam i përgatitur mirë për këtë kampionat dhe besoj se me paraqitjet e mia do ta bind trajnerin Zekirija Ramadani që të më ftojë në ekipin e parë. Do të ishte realizimi i një ëndrre që e kam prej 10 vitesh, që kur kam nisur të merrem me futboll,” shtoi ai.

Përveç fushës së gjelbër, Ismajli po ‘shkëlqen’ edhe në bankat e universitetit. Ai është student i dalluar dhe ka përfunduar vitin e parë të studimeve në një afat rekord – një arritje që rrallë shihet te sportistët profesionistë. Edhe pse ka marrë disa oferta për të provuar veten jashtë vendit, Aris ka zgjedhur t’i qëndrojë besnik klubit të zemrës, FC Drita, duke vënë në plan të parë përfundimin e studimeve.

Sipas burimeve të afërta me klubin, nuk përjashtohet mundësia që shumë shpejt Aris Ismajli të marrë një ftesë nga Kombëtarja e Kosovës U21, për t’i kontribuar “Dardanëve” në rrugëtimin e tyre drejt sukseseve ndërkombëtare.

You Might Also Like