Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi njoftoi se bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe me kryetarin e Komunës së Gjilanit Alban Hyseni vizituan të martën punimet në projektin e autoudhës së Gjilanit.
Megjithatë, Durmishi u ankua se ka pasur probleme të trashëguara nga qeveritë e kaluara si në shpronësime e çështje tjera. Por, sipas tij, projekti përfundon në tërësi vitin tjetër.
“Për më shumë se një vit jemi marrur me zgjidhjen e shumë problemeve të trashëguara duke filluar nga gabime e mangësi në projekt e duke vazhduar me shpronësime e plot probleme tjera”, shkroi ai në një postim në Facebook, teksa publikoi disa fotografi nga kjo vizitë e tij.
Në anën tjetër, Durmishi theksoi se tani këto probleme janë zgjidhur të gjitha “prandaj ne jemi duke i marrë të gjitha masat e nevojshme që ky projekt të përfundoj në tërësi vitin tjetër”.
“Ditëve në vazhdim do të ketë rritje të intensitetit të punimeve në këtë projekt”, përfundoi Durmishi.