Ka nisur protesta e banorëve të Karaçevës të cilët po protestojnë në shenjë të pakënaqësisë ndaj hyrjes së xhandarmërisë serbe në këtë fshat.
Me pankartat me thirrje “Kosova s’ka tokë t’i falë askujt”, “Xhandarmëri serbe mos provokoni në tokën e Kosovës”, “Serbi mjaft me provokime ndaj banorëve të Kosovës”, protestuesit e kanë bllokuar rrugën në hyrje të Karaçevës, raporton KOHA.
Në protestë po marrin pjesë një numër i vogël i banorëve të kësaj zone, përkundër se Bashkësia lokale e Karaçevës përmes një njoftimi kishte ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i përkrahin me pjesëmarrje në këtë protestë.
Të premten, më 7 gusht, në fshatin Karaçevë u filmua xhandarmëria serbe nga qytetarët që banojnë në atë pjesë. Ky veprim nxiti reagime e kritika të shumta te qeveria, e edhe frikë te banorët. KFOR-i, më pas u deklarua dhe tha se ishin patrullime të përbashkëta mes ushtrisë serbe dhe atyre.
Sot gjatë ditës, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kërkoi mobilizim dhe unifikim mes partive politike lidhur me këtë çështje. Ndër të tjera, u diskutua edhe vizita e përbashkët në Karaçevë.