Gjilan

Barazia gjinore nuk është keq te punësimi, te vendimmarrja duhet të përmirësohet

Gjilan, 19 korrik / Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) ka miratuar raportin e vetë të punës për 6-mujorin e parë të këtij viti, përfshirë edhe atë të Zyrës për Barazi Gjinore (ZBGJ), të cilët i kanë prezantuar Gjylshene Berisha e Lindita Salihu, duke nënvizuar angazhimet për afirmimin e rolit të femrës në shoqëri si dhe avancimin e pjesëmarrjes së saj në institucione, politikë-bërje dhe vendimmarrje.

Berisha ka theksuar se KBGJ ka mbajtur pesë takime, ku krahas nënvizimit të nevojës për ngritjen e mëtutjeshme të vetëdijes së opinionit të gjerë në raport me barazinë gjinore në nivelin komunal, janë diskutuar edhe çështjet pronësore, përkatësisht regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor, pastaj është kërkuar mbështetje të nismave dhe projekteve të grave ndërmarrëse, nëpërmjet funksionalizimit të zyrave përkatëse dhe krijimit të një kodi të veçantë buxhetor për këtë qëllim, me qëllim të fuqizimit ekonomik të gruas, e deri te Strategjia për gratë ndërmarrëse 2017-2021 e cila është miratuar edhe nga Kuvendi Komunal, si dhe çështje të tjera.

Njëherësh, Kuvendit Komunal i është rekomanduar që të shpallë zonjën Shukrije Ramadani “Qytetare nderi” dhe Komiteti beson se kjo nismë do të realizohet në të ardhmen.

“Konsideroj se kemi bërë një punë të frytshme në funksion të avancimit të barazisë gjinore në komunën e Gjilanit”, ka thënë Berisha.

Me pyetje e diskutime kanë kontribuar edhe anëtarët e Komitetit, Sabri Rexhepi, Jonuz Hasani, Xhyzide Ismajli, Renan Imam, Kadrije Hajdari e Arijeta Aliu.

Ndërkaq, Lindita Salihu ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të Zyrës për Barazi Gjinore, ku reflektohen angazhimet dhe rezultatet e shënuara gjatë kësaj periudhe në sferën e barazisë gjinore, përfshirë edhe numrin e femrave të punësuara në administratë, shëndetësi dhe arsim.

“Te punësimi nuk jemi keq sa i përket barazisë gjinore, por nuk jemi të kënaqur te pjesëmarrja e femrës në pozita vendimmarrëse”, ka thënë Salihu.

Në administratë janë të punësuar 86 femra nga 308 të punësuar gjithsej, në arsim – 810 nga 1826 gjithsej, ndërkaq në shëndetësi – 190 nga 272 gjithsej.

Salihu ka përmendur edhe trajnimet e ndryshme që janë mbajtur në funksion të vetëdijesimit gjinor në sektorë të ndryshëm, konferencat, punëtoritë, vizitat në terren, duke shtuar se veçmas i është kushtuar kujdes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.

“Në bashkëpunim me analisten financiare dhe drejtorët komunalë kemi përgatit dokumentin për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, ku synohet përvetësimi i një perspektive në adresimin e barazisë ndërmjet grave dhe burrave në planifikimin dhe realizimin e buxhetit komunal, duke e ditur se pabarazitë brenda një shoqërie mund të rriten, ose zvogëlohen varësisht prej mënyrës se si ndahen fondet publike”, ka thënë Lindita Salihu, zyrtare për Barazi Gjinore.

You Might Also Like