Gjilan

Barazia gjinore nuk është problem vetëm i grave, por është çështje me të cilën duhet të merren gratë dhe burrat

Gjilan, 22 nëntor 2018 / Në një takim të përbashkët, të organizuar nga OSBE, Komitetet për Barazi Gjinore të komunave Gjilan e Malishevë, kanë shkëmbyer përvojat mbi funksionimin e këtyre trupave, të cilat në fokus kanë mbrojtjen dhe afirmimin e barazisë ndërmjet grave dhe burrave, në të gjithë lëmenjtë e jetës.

Siç dihet, Gjilani, ku kjo trupë komunale funksionon prej vitit 2015, ka një përvojë të mirë në këtë aspekt dhe falë angazhimit konkret të Komitetit, është arritur të avancohet ndjeshëm barazia gjinore.

Islam Salihu nga OSBE (Prizren) tha se përvoja e Gjilanit mund t`i shërbejë shumë Komitetit për barazi gjinore në Malishevë, ndërsa Sadete Osmani (OSBE Gjilan) ka thënë se në këtë drejtim duhet bërë edhe më shumë, meqë edhe ne në Gjilan, që jemi një shembull i mirë, ende sfidohemi me barazinë gjinore.

Ajtene Shahiqi, kryesuese e KBGJ, ka folur për prioritet e këtij viti, duke nënvizuar aktivitetet që janë zhvilluar për mbikëqyrjen e respektimit të ligjit për barazi gjinore si dhe buxhetimin e drejtë gjinor.

Kurse Gjylshene Berisha, kryesuesja e parë e Komitetit për Barazi Gjinore, tani anëtare e kësaj trupe komunale, ka thënë se ligji për barazi gjinore nuk është vetëm për gra, por është një ligj për gratë dhe për burrat, sepse ka për qëllim përmirësimin e të drejtave të të dy gjinive, duke nënvizuar faktin se përfaqësimi gjinor në komitet, është i barabartë.

Duke folur për aktivitet e kësaj trupe komunale, Berisha tha se me insistimin e tyre është arritur që rreth 115 rrugë e sheshe në Gjilan të emërtohen me emra të femrave, derisa po insistohet që në këtë qytet të vendoset edhe një monument për gruan si dhe të themelohet një çmim në emër të një femre.

Lindita Salihu, zyrtare për Barazi Gjinore, nënvizoi faktin se ligjet për barazi gjinore në Kosovë, janë mjaft të mira, ndërsa te zbatimi i tyre ende ka vend për përmirësime, ndërkohë që duke folur për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, ajo theksoi se për këtë qëllim organizohen dëgjime

buxhetore me gra, ku merren kërkesat e tyre për projekte konkrete në lokalitetet e ndryshme të qytetit dhe fshatrave dhe ato pastaj përfshihen në buxhetin komunal.

Ndërkaq Sadri Arifi, sheh i Njësisë së Kuvendit Komunal, ka folur për aspektet administrative dhe ligjore rreth funksionimit të Komitetit për Barazi Gjinore, duke pohuar se asnjë çështje që ka të bëjë me barazinë gjinore, nuk mund të procedohet në Komitetin për Politikë dhe Financa dhe Kuvend Komunal, nëse më parë nuk është shqyrtuar dhe rekomanduar nga Komiteti për Barazi Gjinore.

Në pjesën e debatit, anëtarët e të dyja komiteteve kanë shkëmbyer përvojat e tyre.

You Might Also Like