ARSIMI

Besarta Saqipi, një rrëfim suksesi

Besarta Saqipi është një rrëfim suksesi i arritjes së gjeneratës së re tek ne, ajo mund të shërbejë si shembull se si falë punës e përkushtimit asgjë nuk është e paarritshme.

Ajo aktualisht është pjesë e projektit YEP, ku ka rolin e përfaqësueses në shkollat fillore, duke marrë pjesë në trajnime dhe aktivitete edukative dhe frymëzuese.

“Në këto aktivitete ndaj përvojën time në fushën e programimit dhe inteligjencës artificiale, duke përfshirë projekte personale që kanë një ndikim praktik dhe shërbejnë komunitetit, si projekti im për Orientimin e Pilotëve me ndihmën e inteligjencës artificiale, i cili synon të përmirësojë sigurinë dhe efektivitetin e fluturimeve”, thekson Besarta, e cila shton se gjatë rrugëtimit të saj ka arritur të fitojë kurse dhe Bursa në programim dhe Inteligjencë Artificiale, të merr pjesë dhe të fitoj gara në fushën e programimit Full Stack, duke u shpallur fituese e vendit të parë në kategori AI.

“Këto arritje reflektojnë përkushtimin, disiplinën dhe besimin në vetvete që më kanë ndihmuar të avancoj në këtë fushë”, shton ajo duke besuar se kjo histori suksesi e saj mund të shërbejë si shembull pozitiv dhe motivues për të rinjtë që synojnë të zhvillohen në teknologji dhe inteligjencë artificiale.

Ndonëse vetëm 17 vjeçe dhe nxënëse në  Shkollën Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan, ajo nuk është thjesht një emër mes të rinjve tanë – ajo është një fenomen i talentit, vizionit dhe përkushtimit. Besarta ka treguar një kuriozitet të pashtershëm për teknologjinë, një pasion të jashtëzakonshëm për programim dhe një ambicie që e bën të dallohet ndër të rinjtë e saj.

Ajo nuk ndalon thjesht te mësimi – Besarta krijon, inovon dhe aplikon njohuritë e saj për të bërë ndryshim real. Me disiplinë, vizion të qartë dhe energji të palodhur, ajo punon çdo ditë për të përmirësuar aftësitë e saj, duke u bërë një shembull frymëzimi për brezin e ri.

Pas prezantimit të shkëlqyer të talentit të saj, Besarta u angazhua në projektin YEEP 2, një platformë ku idetë dhe aftësitë e të rinjve transformohen në rezultate reale. Vetëm 15 vjeçe, Besarta fitoi mundësinë të marrë pjesë në program, duke zhvilluar 16 sesione të programit Next Economy. Ajo jo vetëm që mësoi, por udhëhoqi dhe mentoroi të rinj të tjerë, duke treguar aftësi udhëheqjeje dhe profesionalizmi që në moshë të re.

Kjo eksperiencë i dha Besartës mundësi të jashtëzakonshme për të fituar mentorim profesional dhe financim, duke e pozicionuar atë si një nga talentet më premtuese në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Më pas, pas përfundimit të kursit IT Essentials në Infotech, Besarta tregoi talent dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, duke impresionuar stafin e programit. Infotech i ofroi mundësi të pafundme për të zhvilluar aftësitë e saj, dhe ajo thekson se Infotech i hapi dyert për rrugëtimin e saj profesional. Falë kësaj përvoje, ajo arriti të fitonte bursën e dytë, e cila i hapi dyert për projekte me ndikim global.

Tashti, Besarta po punon në projekte inovative me ndikim të madh, përfshirë projektin e orientimit të pilotëve, i cili ka për qëllim të përmirësojë proceset dhe standardet në fushën e aviacionit. Ajo gjithashtu kontribuon në iniciativa edukative dhe sociale që synojnë të sjellin ndryshim të qëndrueshëm dhe ndikim global. Çdo projekt reflekton talentin, kreativitetin dhe vizionin e saj për të bërë një diferencë reale në komunitet dhe në nivel ndërkombëtar.

Përveç bursave dhe projekteve, Besarta ka fituar gara të ndryshme në teknologji dhe programim, duke treguar se talenti i saj dallohet edhe në sfidat më konkurruese. Këto fitore janë dëshmi e punës së palodhur dhe kreativitetit të saj, duke e bërë rrugëtimin e saj një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë.
Ajo ka një mesazh për të rinjtë dhe shton:  “Përdor çdo talent, njohuri dhe mundësi që ke për të bërë gjëra të mira. Çdo hap që merr me përkushtim dhe pasion mund të ndryshojë jetën e dikujt ose të ndikojë në botë. Mos e nënvlerëso fuqinë e ideve të tua – çdo veprim i vogël për mirë mund të krijojë një ndryshim të madh.” Pas tërë këtyre sukseseve, Besarta synon të  përfaqësojë Kosovën në nivel ndërkombëtar, duke treguar se talenti i të rinjve shqiptarë mund të ndikojë globalisht, dhe duke zhvilluar projekte që sjellin ndryshim real dhe të qëndrueshëm.
Ajo  është shumë falënderuese për të gjithë ata që e kanë mbështetur: mentorët e YEEP 2, stafin e Infotech, mësuesit, familjen dhe të gjithë që e kanë besuar dhe inkurajuar. Ajo thekson se çdo sukses vjen nga puna, përkushtimi dhe mbështetja që merr nga të tjerët, dhe ajo dëshiron të përdorë talentin e saj për gjëra të mira që ndikojnë pozitivisht në botë./kryelajmi.com/.

You Might Also Like