ARSIMI

“SUKSESET” E MASHT-IT PËR VITIN 2018

Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete

Për çdo vit është bërë traditë të bëhet bilanci vjetor në fundvit. Zakonisht ministrat tregojnë punën e tyre të mirë, pa përmendur edhe mbizotërimin e shumë dështimeve, parregullsive, shkeljeve dhe dëmeve. Si deputete dhe anëtare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi (KASHTKRSIN), kam përcjellur vazhdimisht punën e MASHT-it dhe ministrit të saj aktual. Prandaj, nëse këto quhen suksese, po i veshim këto ‘suksese’ me thonjëza dhe po numërojmë disa të tilla:

* Përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsim të Lartë (EQAR);

* Mungesa e paarsyeshme e ministrit në mbledhjen e KASHTKRSIN-it për raportim rreth EQAR-it;

* Mungesa e rezistencës të ministrit të MASHT-it ndaj presioneve politike të kryeministrit të Kosovës;

* Shkarkimi i paligjshëm i Bordit të AKA-së, përkatësisht të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për motive politike e partiake;

* Largimi i 30 drejtorëve të departamenteve dhe divizioneve të ndryshme të MASHT-it, duke i zëvendësuar me ushtrues detyre, duke nxitur ankesa të tyre drejt kryeministrit, dhe mundësia për të humbur lëndët në gjykata, pasi që shkarkimi i tyre është bërë pa baza ligjore;

* Dështimi për të sjellë cilësi edhe pas premtimit nga dështimi i madh në rezultatet e nxënësve në PISA;

* Dështimi për të lobuar në mënyrë më të fuqishme rreth Projektligjit për Punonjësit e Arsimit gjatë viteve të ’90-ta, duke mos qenë ministri më pranë punëtorëve të arsimit dhe kërkesave të SBASHK-ut;

* Dështimi për të bashkëpunuar me SBASHK-un në shumë fusha, duke u humbur besimi në MASHT nga punonjësit e arsimit;

* Dështimi për të arritur numër më të madh dhe më profesional të inspektorëve të arsimit;

* Paarsyeshmëria e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, në mënyrën se si e ka shfaqur atë, duke e degraduar edhe më tej figurën e mësimdhënësit para nxënësve dhe publikut të gjerë;

* Vazhdimi i cilësisë së dobët në nivel parauniversitar dhe universitar;

* Deklaratat e pamatura rreth mbylljes së universiteteve publike në Kosovë, thua se kjo është në dorën e një ministri, e jo të shoqërisë së gjerë;

* Dështimi për të dhënë raportim të saktë të gjendjes së universiteteve publike, ndonëse e kishte premtuar një raportim të tillë;

* Punësimi i militantëve të partisë Nisma për Kosovën në shumë fusha të MASHT-it dhe duke u përpjekur të ndërhynte politikisht edhe në universitete publike;

* Dhënia e mjeteve financiare bashkëpartiakut të tij për trajnimin e stafit të MASHT-it jashtë Kosovës;

* Dështimi për të bërë pajisjen e shkollave me kopjuterë, laboratorë dhe nevoja të tjera të punës praktike të nxënësve;

* Dështimi për të ofruar cilësi edhe në universitetet publike, në mënyrën e rekrutimit të stafit të ri akademik dhe zyrat për cilësi;

* Dështimi për të ndarë buxhet për një revistë shkencore kosovare, e cila do të ishte e pranuar edhe me standarde ndërkombëtare të revistave shkencore;

* Mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për shumë drejtori komunale të arsimit në Kosovë;

* Buxheti i dobët në arsim edhe për shkak se ministri ka qenë shumë i ngathtë për të lobuar në projektet e MASHT-it;

* Dështimi për të dhënë sqarime shtesë për mësimdhënësit rreth kurrikulës së re, duke e ngatërruar edhe më tej zbatimin e saj;

* Dështimi për të zbatuar kurrikulën e re, pa ofruar edhe kushtet e tjera shtesë, laboratorë, buxhet për aktivitete jashtëkurrikulare etj;

* Dështimi për të monitoruar më mirë testimet kombëtare të nivelit parauniversitar;

* Dështimi për rritjen e planeve të sigurisë së nxënësve, duke mos parë më pamje të tilla, kur nxënëset rrahen publikisht në mes vete;

* Dështimi për të mos ngritur cilësinë në rolin e kujdestarëve të klasëve, pa ua rritur një mëditje, në mënyrë që të stimulohen edhe më shumë për të bashkëpunuar me nxënësit dhe prindërit, pasi që orët e kujdestarisë nuk paguhen. Kujdestaria kushton edhe me kohë, edhe me energji, edhe financiarisht;

* Dështimi për të ofruar më shumë përkthime të librave shkencorë universitarë, pasi që shumë libra janë të vjetër dhe studentët mësojnë me literaturë të tejkaluar;

* Dështimi për të parandaluar dhe reduktuar numrin e rasteve të drogëpërdorimit te nxënësit, qoftë brenda apo jashtë mjediseve shkollore…

Vazhdon lista e ‘sukseseve’, por e mbyllim këtu, me bindjen e thellë që të ndërrohet vitin tjetër 2019, edhe ministri aktual, edhe krejt Qeveria! E atëherë, do t’ia heqim thonjëzat sukseseve të MASHT-it!

 

You Might Also Like