Futboll

Bleron Mulliqi firmos me ekipin SC Brühl

Futbollisti shtatgjatë kosovar, Bleron Mulliqi, ka bërë një lëvizje të rëndësishme në karrierën e tij duke përforcuar radhët e skuadrës së njohur nga St. Galleni, SC Brühl.

Pas një periudhe shumë të suksesshme prej një viti e gjysmë te skuadra e FC Bulle, ku u dallua me cilësi të larta në 46 ndeshje të zhvilluara, 23-vjeçari tashmë i bashkohet SC Brühl me synime të qarta. Skuadra e re e Mulliqit po zhvillon një betejë të ashpër me SC Kriens për kreun e tabelës, me aspiratën kryesore inkuadrimin në Ligën e Dytë të Zvicrës (Challenge League).

Transferimi i Mulliqit shihet si një përforcim kyç për ekipin nga St. Galleni në rrugëtimin e tyre drejt titullit. Mesfushori shprehet entuziast për këtë kapitull të ri:

“Jam i kënaqur me kalimin tim në SC Brühl, e cila po lufton për pozitën e parë. Është një mjedis profesionist me strukturë udhëheqëse serioze. Për këtë skuadër do të jap më të mirën që mundem për t’u inkuadruar në Ligën e Dytë të futbollit zviceran.”

Bleron Mulliqi, i cili konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë në Ligën e Tretë zvicerane (Promotion League), shquhet për një stil të veçantë loje. Ai karakterizohet nga gjuajtjet e fuqishme, preciziteti në pasime dhe vizioni në fushë. Shumë njohës të futbollit kanë hequr paralele mes stilit të tij dhe legjendës së famshme gjermane, Günter Netzer, falë elegancës dhe forcës që shfaq në fushën e blertë.

Pavarësisht formës së lartë dhe të kaluarës si pjesë e Kombëtares së Kosovës U-17 dhe U-19, Mulliqi nuk u ftua asnjëherë nga Përzgjedhësi i U-21, Afrim Tovërlani, edhe pse kishte pasur një takim me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, ftesa nuk erdhi kurrë.

Pavarësisht pengesave momentale, Bleron Mulliqi mbetet i palëkundur në rrugëtimin e tij. Ai ka bërë të qartë se zhgënjimi me grupmoshat e reja nuk ia ka zbehur dëshirën për të përfaqësuar vendin e tij, por përkundrazi, e ka motivuar për të synuar ekipin e parë.

“Unë nuk dorëzohem. Do të vazhdoj ngritjen time në karrierë hap pas hapi dhe me punë të palodhshme. Qëllimi im final është i qartë: Një ditë dua të debutoj me fanellën e shenjtë të Kombëtares A të Kosovës. Kjo është ëndrra ime dhe do të bëj çmos që t’i bind të gjithë me paraqitjet e mia në fushë se e meritoj atë fanellë,” ka përfunduar Mulliqi.

Me skuadrën e re SC Brühl, Bleron Mulliqi pritet të ketë fjalën kryesore në garën për titull kampion, duke dërguar sinjale të qarta se është gati për sfida të mëdha. SC Bruhl për momentin gjendet në poziten e dytë në tabel me 3 pike më pak se kryesuesit, Kriens.

You Might Also Like