Gjilan

“Çarshia e qytetit” e ngelur në gjysmë, një pjesë me fontana uji e kubëza e pjesa tjetër e parregulluar

Për dekada me radhë, Gjilani është përballë me kundërmimin e erërave që lëshonte lumi Mirusha. U bënë projekte të ndryshme, por problemi nuk zgjidhej kështu që në fund, në qeverisjen e LDK-së u miratua plani që ky lumë, që në fakt ishte kolektor i ujërave të zeza të mbulohej tërësisht dhe mbi të do të ndërtohej një shëtitore. Pas shumë përpjekjeve, një pjesë e atij projekti u realizua, sidomos ai në pjesën lindore dhe në qendrën e qytetit. Aty tash shëtitorja po funksionon, u ngritën edhe shatërvanë uji e hapën shumë objekte – kafiteri, ëmbëltore, u sollën lojëra për fëmijë e tash kur janë kthyer edhe mërgimtarët në të dy anët janë mbushur kafiteritë dhe pamja të jep- përshtypje në shëtitoret e Shëngjinit a të Velipojës. Ky projekt u ka pëlqyer qytetarëve, por ka edhe të atillë që vazhdojnë të “vajtojnë” lumin që nuk është më.
Në fakt, sa ngjitjes ka pjesa lindore e duke shkuar drejt pjesës perëndimore, bukuria e projektit shkon duke u zbehur, ngase pjesa më e madhe ka ngelur në gjysmë.
Nga furra “Aroma” e tutje kubëzat nuk janë shtruar fare, andaj qytetarët me të drejtë shtrojnë pyetjen se kur do të vazhdojë realizimi i këtij projekti.
Në konferencën e LDK-së me gazetarë, Abdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit, ka thënë se këtë çështje e kanë ngritur edhe në shtëpinë më të madhe të qytetit. Ai ka thënë se në projeksionet e LDK-së, ky projekt do të vazhdonte deri te Fabrika për Përpunimin e Ujit në pjesën lindore në fshatin Malishevë të Gjilanit derisa në pjesën perëndimore projekti do të shkonte deri të rruga qarkore. Ai thotë se tashti puna ka degraduar shumë dhe se projekti jo që nuk po vazhdon, por ai ekzistuesi po dëmtohet. Sipas tij, në këtë pjesë të projektit nuk ka mirëmbajtje, ai është mbingarkuar me lojëra të ndryshme dhe tash nuk e ka tashti qëllimin se përse është bërë ky projekt./kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like