Futboll

Stadiumi u nis për t’u bërë për gara evropiane e s’mbeti as për lojë në kampionatin vendor

Tash e sa vite ka nisur ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilan, kurse ka kohë që punët në të janë ndalë tërësisht. Para zgjedhjeve edhe me stadiumin u bë fushatë, bile edhe nga politikanë që kurrë këmba e tyre nuk kishte shkelur në stadium për të parë një ndeshje futbolli. Tashti, kur të dy ekipet gjilanase luajtën në Evropë, kjo çështje sërish është riaktualizuar e derisa kampionati është në prag, dy ekipet nga Gjilani, FC Drita dhe SC Gjilani as vetë nuk e dinë se ku do t’i zhvillojnë ndeshjet, në Stadiumin ku ende nuk kanë përfunduar punimet e vrazhda, apo në atë me bari sintetik, i cili gjithashtu i ka të metat e veta.

Pushteti i ri në Gjilan, me dëshirë do t’i rifillonte punët që kanë ngecur, por para se të fillojnë ato kanë problem me kontratat e vjetra, të cilat nuk janë përfillur, në disa pozita janë tejkaluar së tepërmi dhe siç merret vesh kontrata duhet të rishqyrtohet apo edhe të ndërpritet tërësisht për të rinisur punët.

Pushteti i kaluar në Gjilan, që e kishte nisur projektin vlerëson së punët që i kishin përkitur pushtetit lokal tashmë kanë përfunduar dhe “topin” e hedhin te qeveria, gjëgjësisht te Ministria për Sport  që sipas tyre ka gati një vit që nuk ka vazhduar asnjë fazë e projektit e nëse ka keqbërje ajo duhet të hetohet dhe se ata po merren me fjalë e justifikime.

Përderisa çekanët vazhdojnë të heshtin, “Skifterët” e “Intelektualët” u desh që të marrin autobusë për të përkrahur ekipet e tyre të zemrës, në ndeshjet që u desh të zhvillohen në Prishtinë. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like