Enver Sadiku
Sukseset e kryengritësve shqiptarë, shtetet e vogla Ballkanike i kishin konsideruar si të atilla që i prekin interesat e tyre. Shtetet fqinje, kishin pretendime territoriale ndaj trojeve shqiptare, andaj me nguti kishin nisur përgatitjet për luftë, duke arritur marrëveshje dypalëshe. Këto zhvillime kishin bërë që të pajtohen edhe Serbia dhe Bullgaria, të cilat me gjithë dallimet dhe papajtueshmëritë që kishin mes veti arritën një marrëveshje, duke pasur arbitër Rusinë cariste.
Në traktatin e miqësisë dhe aleancës ndërmjet Bullgarisë e Serbisë*, thuhej se Mbretëria e Bullgarisë dhe Mbretëria e Serbisë, duke garantuar reciprokisht, pavarësinë e tyre politike dhe tërësinë e territorit të tyre, duke marrë përsipër në mënyrë të plotë dhe pa asnjë kufizim që ta ndihmojnë njëra – tjetrën, me të gjitha forcat e tyre, në secilin rast kur njëra nga të dy mbretëritë do të sulmohej nga një ose më shumë shtete, ato do ta ndihmonin njëra – tjetrën në rast se njëra dhe tjetra nga fuqitë e mëdha do të orvatej të aneksonte ose të shtinte në dorë me anë të trupave të saj çfarëdo pjese të territorit të Gadishullit Ballkanik që ndodhet nën sundimin osman, në qoftë se njëra nga palët kontraktuese e sheh këtë fakt në kundërshtim me interesat e veta jetike dhe e shikon si një casus belli (shkak i luftës). Në marrëveshje flitej edhe për ujdinë e marrëveshjes ushtarake, e cila ka përcaktuar se si do të veprohet nga njëra dhe pala tjetër në rast lufte, e është përcaktuar edhe kohëzgjatja e saj.[1]
Pjesa më e rëndësishme e Traktatit të Miqësisë dhe Aleancës ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë ishte “Shtojca Sekrete”, ku në nenet e saj pohohej se në ndarjet e rajonit, tokat në veri të maleve të Sharrit do t’i takonin Serbisë, kurse ato në lindje të lumit Struma dhe maleve Rodope do të jenë bullgare.[2] Në shtojcën e fshehtë ishte paraparë gjithashtu që çdo mosmarrëveshje që do të dilte jashtë dispozitave të kësaj shtojce dhe të marrëveshjes ushtarake, do t’i parashtrohet për vendim përfundimtar Rusisë, posa njëra prej palëve kontraktuese e quan të pamundur një marrëveshje me anë bisedimesh të drejtpërdrejta. Traktatin e kishin nënshkruar të dy mbretërit: Petri i Serbisë dhe Ferdinandi i Bullgarisë si dhe ministrat e punëve të jashtme Millovanoviq e Geshov, kurse për të fshehur qëllimet e veta, qeveritarët serbë e bullgarë kishin rënë në ujdi, që asnjëra nga dispozitat e kësaj shtojce nuk mund të botohet ose t’i tregohet ndonjë shteti tjetër, pa një marrëveshje paraprake të të dyja palëve dhe pa pëlqimin e Rusisë.[3]
Më pas, marrëveshje dypalëshe u arritën midis Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi. Arritja e këtyre marrëveshjeve shënoi fillimin e një politike nga ana e monarkive ballkanike, e cila shndërroi Gadishullin Ballkanik në një vatër luftërash që patën pasoja të rënda në marrëdhëniet ndërmjet popujve ballkanikë gjatë gjithë shekullit XX.[4] Kjo aleancë shumë shpejt do të bëhet shkak i përleshjeve mes vetë aleatëve ballkanikë, për shkak të mosekzistimit të marrëveshjes së përbashkët, çështjes së ndarjeve të kufijve mes disa aleatëve dhe shkaku i paqëndrueshmërisë së marrëveshjes së arritur mes aleatëve,[5] kurse idealet me të cilat aleatët ballkanikë ishin nisur në luftë më 1912, shumë shpejt u shndërruan në plaçkitje të zakonshme dhe shkatërrim, në masakrimin e “popujve të gjysmëhënës”, në interes të “kulturës së kryqit”.[6] Se luftërat ballkanike ishin ndër më barbaret, shkruan edhe socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq, sipas të cilit “janë derdhur lumenj gjaku të popullatës së vrarë, të fëmijëve të pafajshëm, të grave e njerëzve të urtë, njerëzve punëtorë të Serbisë së Vjetër (Kosovës, E.S), Shqipërisë, Maqedonisë e Trakisë”.[7] Sipas tij, faji i vetëm i të cilëve ishte se ndryshe i luteshin Zotit, se flisnin një gjuhë ndryshe, se mbanin emra të tjerë dhe se në vatrat e tyre stërgjyshore me shekuj naivisht kishin pritur katër pushtuesit e egër.[8]
Pasojat më të rënda nga kjo marrëveshje i pati populli shqiptar, ngase copëtimi i vitit 1912 për të ka qenë fatal dhe pasojat e rënda ndodhën në të dy krahët e kufijve. Kombi shqiptar në tërësi humbi troje, njerëz, vlera ekonomike, u dobësua në vlerën e tij politike, ushtarake e ekonomike dhe u rrezikua qenia e tij.[9]
Aleanca Ballkanike, në të cilën ishin përfshirë Serbia, Bullgaria, Mali i Zi e Greqia, por pa përfshirjen e shqiptarëve përbënte një rrezik të madh për ekzistencën e këtij kombi. Secili nga aleatët ballkanikë synonte zgjerimin e territorit të vet, duke mos respektuar të drejtat kombëtare sidomos të popullit shqiptar, i cili më shumë se kurrë e donte lirinë, por i cili u përjashtua nga e drejta për të qenë të lirë në territorin e vet dhe iu imponua lufta mbrojtëse. Kjo aleancë mbolli farën e përçarjes edhe në mes të vetë aleatëve, gjë e cila bëri që shumë shpejt të shpërthejë edhe lufta në mes të “aleatëve”, sikurse që acaroi marrëdhëniet mes Fuqive të Mëdha, të cilat ishin të ndara në dy blloqe të mëdha, duke përshpejtuar një luftë me përmasa botërore. Në fakt, në plan të parë kjo Aleancë gjeti funksionalitet vetëm në ndarjen e trojeve shqiptare, ndërsa në prapaskenë si fillim i ndarjes përfundimtare të botës në dy blloqe të mëdha antagoniste. Në këtë katrahurë që po i përgatitej Evropës e sidomos shqiptarëve, këta të fundit nuk kishin mundur e as nuk mund të bënin gjë, në plan diplomatik për të përmirësuar këndshikimin e Fuqive të Mëdha karshi interesave të shqiptarëve.
Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913” i autorit Enver Sadiku
* Dokumenti i Traktatit ndodhet në Arhiv Vojnog Istorijskog Instituta (AVII) – Beograd, Kutija 8 – fascikla 2, nr. 47 – pov. nr. 24128; Në librin, Први Балкански Рат 1912 – 1913 Прва Књига. 1959. Београд, c. 106 – 111, i përkthyer në shqip në veprën e Puto, A. 1984. Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, vëllimi I (1867 – 1912), Tiranë, f. 370 – 375.
[1] Arhiv Vojnog Istorijskog Instituta (AVII) – Beograd, Kutija 8 – fascikla 2, nr. 47 – pov. nr. 24128.
[2] Jelavich, Ch. and B., vep. e përm., f. 201.
[3] Po aty.
[4] Mullai, A., vep. e përm., f. 236.
[5] Enciklopedija Jugoslavije, f. 316.
[6]Carnegie Edwoment for International Peace, Report of the international comission to inquire in to the causes and conduct of the Balkan Wars. 1914. Washington.
[7] Радничке новине, бр. 223, Београд 22. октобар 1913; Туцовић. Д. 1980. Сабрана Дела књига 7. Београд: Штампарија Графика.
[8] Po aty.
[9] Verli, M., vep. e përm., f. 62.