Ëndrrat e banorëve të Stançiqit përfundojnë te gurët e kufirit
Rruga e Kumanovës, që është përshkruar me shekuj, është ndërtuar prej dhjetë vitesh në pjesën e Kosovës, por Maqedonia nuk e ka bërë ende pjesën e saj të punë, që të hapet vendkalimi i premtuar në Stançiq.
——
Punimet për hapjen e rrugës së vjetër Kumanovë-Gjilan, e njohur prej shekujsh si “Rruga e Mbretit”, nuk po përfundojnë asnjëherë në anën e Maqedonisë. Kosova e ka bërë prej dhjetë vitesh punën e saj në këtë projekt të rëndësishëm, që lidh dy shtete, në distanca minimale. Banorët e zonës e presin me padurim hapjen e një vendkalimi në Stançiq, që atyre ua mundëson të komunikojnë me pjesën e Kumanovës, për 10-15 minuta, në vend se të bëjnë mbi 100 km rrugë, për t`i vizituar të afërmit e tyre. Andej e këndej kufirit, ka lidhje të shumta familjare e miqësore. Hapja e kësaj arterie, ishte prioritet nga pala kosovare, përkatësisht komuna e Gjilanit, e cila ka hapur dhe asfaltuar mbi 15 kilometra rrugë, por pala maqedonase. Banorët thonë se kësaj rruge, kishte hyrë në Kosovë Sulltan Murati i Parë, para më shumë se 620 vitesh dhe, po këndej kishin hyrë paqeruajtësit e NATO-s, 610 vjet më vonë, për t`i dhënë fund pushtimit serb mbi Kosovën. Sali Hasani, banor i kësaj zone, thotë se breza të tërë nga kjo anë e kanë përshkuar këmbë këtë rrugë, me vite e vite, deri në Kumanovë, për t`u takuar me familjarë dhe të afërm, për të bërë pazare, ose qoftë edhe, siç thuhej asokohe, për të ngrënë një bukë furre. Atë e kanë shkelur ndër shekuj, fshatarë e mbretër, pushtues e paqeruajtës, luftëtarë, kalorës e kalimtarë të rastit. Legjendat thonë se mbreti turk, Sulltan Murati i Parë, derisa po përshkonte rrugën e Kumanovës, drejt Kosovës qendrore, kishte ndalur për një pushim disa ditor me ushtrinë e tij, në vendin e quajtur “Ujët e kuq”. Hasani thotë se me këtë histori lidhet edhe toponimi “Udha e Mretit”. Është interesant se ideja për asfaltimin e “udhës së mretit” ishte përkrahur si prioritet nacional edhe nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tek i cili e kishin dorëzuar kërkesën banorët e Grykës së Karadakut.
Një arterie e mbyllur në trupin e ndarë shqiptar
Rruga e Mbretit do t`i bashkojë pas kaq shekujsh shqiptarët e Karadakut dhe të Kumanovës, të cilët me vite të tëra i ndanë pengesat e quajtura “gurët e kufirit”. Kjo rrugë, që e ka nismën e saj në Gjilan dhe ecën nëpër një vijë strategjike, deri në Kumanovë, është e rëndësishme edhe për Kosovën, sepse mundëson qarkullim më të shkurtër dhe më të lehtë me Maqedoninë si dhe hap mundësi zhvillimi ekonomik e turistik të kësaj zone, e cila në vitet e fundit është braktisur me të madhe. “Udha e Mretit”, është një arterie më e lashtë se vetë mbreti Murati i Parë, nëpër të cilën me shekuj qarkulluan njerëzit dhe mallrat, duke qenë gjithnjë një korridor i rëndësishëm komunikues për shqiptarët e kësaj ane. Me hapjen e rrugës edhe nga pjesa e Maqedonisë si dhe
një vendkalimi kufitar në Stançiq, Gjilani dhe Kumanova, si dy qytete ndërkufitare, do të jenë shumë më afër njëra-tjetrës. Rruga Gjilan – Kumanovë është menduar të jetë njëra ndër portat e rëndësishme të Kosovës për dalje në korridorin e tetë ndërkombëtar dhe korridoret tjera evropiane të komunikimit tokësor.
Gjeografikisht të ndarë, shpirtërisht bashkë
Banorët e Grykës së Karadakut janë të lumtur që një synim i kahershëm i shumë brezave të kësaj ane, është në pritje për t`u bërë realitet dhe besojnë që kjo arterie e vjetër komunikimi me Kumanovën, do ta rikthej jetën në këtë zonë. Rruga lidhë shumë vendbanime shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë dhe është një projekt i shpresës dhe i së ardhmes për këtë zonë. Në të vërtetë, kjo rrugë ka një histori interesante. Banorët thonë se sa herë është menduar të ndërtohet “Rruga e Mbretit”, gjithnjë kanë ndodhur konflikte dhe luftëra në këto vise. Ndërtimi i saj ishte planifikuar edhe gjatë viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, nga pushteti i atëhershëm, por nuk ishte realizuar. Megjithatë, në këtë rajon, tani janë krijuar realitete të reja. Hasani i gëzohet hapjes së vendkalimit në Stançiq, sepse përmes këtij drejtimi, Gjilani dhe Kumanova, të cilat si qytete ndërkufitare kanë shumëçka të përbashkët, do të jenë shumë më afër edhe fizikisht. “Gjeografikisht jemi afër, kurse shpirtërisht, gjithmonë kemi qenë bashkë. Bashkëvendësit e mi e kanë ecur këmbë rrugën deri në Kumanovë, sa e sa herë, për të shkuar në Sllupçan, Vaksincë, Lipkovë, Opajë dhe fshatra tjera, me të cilat kemi lidhje miqësie e farefisnore”, thotë Hasani. Ai rikujton se dikur, shumë familje të fshatrave të Karadakut, Shurdhan, Stançiq, Zhegër dhe të tjera, ishin shpërngulur andej nga rrethinat e Kumanovës, ku jetojnë sot. Ka fshatra që janë menjëherë matanë kufirit. Njerëzit do të shkonim me qejf te njëri-tjetri edhe një ndejë pasdarke, ose për një cigare duhan, siç thuhet, sa për t`u parë mes vete, por tani për tani ky konsiderohet kalim ilegal i kufirit dhe është i dënueshëm me ligj.
I.MUSLIU