Muzikë

Ditët e mërgatës sonte u përcollën me koncertin “7 Ninulla, 7 ditët e javës”

Gjilan, 13 gusht 2021 – Komuna e Gjilanit në organizimet e shumta për “Ditët e Mërgatës”, këtë mbrëmje hapësirë të veçantë i ka dhënë koncertit të “7 Ninulla 7 ditë të javës”, që e ka organizuar Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, në Muzeun Etnografik të qytetit.

Skena ishte e rezervuar për profesoreshën Besa Berberi, solokëngëtare, Vjosa Berisha-Abdullahu, violonçelo dhe kuadrin e rrallë Erëmira Çitaku, flaute, kavall dhe okarinë, që publikut gjilanas i kanë sjellë ninullat e punuara, që pasurojnë repertuorin artistik dhe veçantinë që kanë ato në jetën dhe traditën shqiptare.

Xhylishene Berisha, në fjalën e saj hapëse ka thënë se ninullat janë përcjellëse të shoqërisë në vazhdimësi dhe gjithmonë japin mesazhin e gjallërisë në çdo shtëpi, sikur që në këtë kohë vere freski për ne në Kosovë janë mërgata e në kohë dimri janë ngrohtësia e të gjithë neve. Prandaj siq ka thënë ajo, institucionet e Gjilanit janë me përplot aktivitete pranë tyre.

Ndërsa, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Deniza Limani, në fjalën e saj ka theksuar se Gjilani gjatë këtij muaji ka organizuar aktivitete të ndryshme me qëllim të pritjes sa më të mirë të mërgatës, e cila këtë kohë është për pushime në vendlindjen e tyre.

“Kishim aktivitete të shumta në fushën e sportit, të kulturës dhe rinisë në përgjithësi, me derë të hapur dhe pritje nga kryetari i Komunës, i cili në kuadër të kësaj ka ndarë kohë që të pres në takim pune kryetarë të organizatave të ndryshme shqiptare në Evropë, pastaj afarist të suksesshëm atje, artistë e figura të ndryshme me vlerë. I tillë është organizuar edhe ky koncert që ka mbledhur qytetarë gjilanas për t’u argëtuar në këtë mbrëmje dhe për të mbajtur lidhjet tona të forta dhe zhvillimin e përbashkët”, ka thënë drejtoresha Limani.

Pas koncertit është promovuar edhe libri “7 Ninulla, 7 ditë te javës”, që i kushtohen 6 ninulla vajzave dhe 1 djemëve.

Autorja e cila ka përmbledhur këto ninulla Besa Berberi, ka thënë se kur e kishte filluar këtë projekt në Angli, në fillet e pasluftës së Kosovës nuk e kishte pritur që do të ishte në këtë masë i mbështetur dhe përkrahur, por sot është krenare për këtë vepër e cila është e shtypur, pastaj verzioni elektronik dhe formati online që u ofrohet të gjithë qytetarëve shqiptar të Kosovës, Shqipërisë dhe gjithandej në botë të mbarë.

Kalendari dy mujor përfundon së shpejti me festivalin “mish mash”, që gjithashtu do të jetë një veanti e gjithë këtij organizimi të sivjetëm.​

You Might Also Like