Te ndryshme

Dr. Lavdrim Devaja bën thirrje për përkrahjen e Sami Musës për deputet në Bundestagun Gjerman

Dr. Lavdrim Devaja, mjeku i njohur nga Gjilani, i cili prej më shumë se gjashtë vitesh po zhvillon një karrierë të suksesshme në spitalin “HGZ Bad Bevensen” në Hamburg të Gjermanisë, ka bërë thirrje publike për përkrahjen e kandidaturës së Sami Musës për deputet në Bundestagun gjerman.

Sami Musa, me origjinë nga fshati Pozheran, por i lindur në Hamburg, është një figurë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Gjermani. Ai ka qenë deputeti i parë shqiptar në qytetin e Hamburgut dhe tani synon të zgjerojë përfaqësimin e tij duke u bërë pjesë e Bundestagut.

Dr. Devaja, përmes deklaratave të tij në media kombëtare dhe ndërkombëtare, ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së madhe nga diaspora shqiptare për të arritur këtë qëllim.

“Samiu është një zë i fuqishëm për komunitetin shqiptar në Gjermani dhe një shembull integrimi të suksesshëm. Përkrahja e tij në këtë proces zgjedhor do të ndihmojë në fuqizimin e zërit shqiptar në Bundestag, duke sjellë përfitime për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Zgjedhja e Sami Musës si deputet do të jetë një nder i veçantë për të gjithë ne,” ka deklaruar Dr. Lavdrim Devaja.

Sipas Dr. Devajës, mbështetja për Sami Musën është një mundësi unike për komunitetin shqiptar në Gjermani që të integrohet edhe më shumë në jetën politike dhe shoqërore të vendit.

“Ta përkrahim Samiun për të mirën e secilit shqiptar,” ka përfunduar ai. Me kandidaturën e tij, Sami Musa premton të vazhdojë të punojë për mirëqenien dhe të drejtat e shqiptarëve, duke përfaqësuar denjësisht interesat e tyre në Gjermani.

You Might Also Like