Drita dhe Gjilani kanë luajtur kryendeshjen e juniorëve në Ligën e Parë të Juniorëve dhe janë ndarë me rezultat të barabartë 1:1. Kjo ndeshje ka ngjallë interesimin e publikut dhe që të dy ekipet janë paraqitur me përbërjet më të mira.
Pjesa e parë është mbyllur me rezultat të barabartë pa gola, kurse nga kjo pjesëlojë vlen të veçohet një dominim më i lehtë i Gjilanit, të cilët në këtë pjesëlojë qëlluan edhe shtyllën.
Pjesën e dytë më mirë e ka nisur ekipi i Gjilanit. Në një rast Altin Aliu ka shpërthyer nga e djathta dhe ka harkuar nga e majta, kurse Bilalli që mirë e ka pranuar topin në brendi ia ka dalë që me urti të shënojë gol.
Djelmoshat që drejtohen nga Refik Rexhepaj, nisën të bëjnë një lojë më të kujdesshme dhe nuk vonoi shumë pas një harkimi në brendi topi erdhi deri te Leotrim Kryeziu, i cili nga afërsia ia doli të shënojë për të barazuar rezultatin. Futbollistët e Gjilanit sërish u sulën në sulm, bile edhe njëherë arritën t’a qëllojnë shtyllën, kurse ekipi i Dritës, që drejtohet nga trajneri Shefket Sermaxhaj, ia doli që deri në fund të ruaj rezultatin.