LAJME

Dritë Maliqi Zunçe, krenare që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës

Sa e sa gjenerata kishin ëndërruar Pavarësinë e Kosovës. Mijëra atdhetarë u vranë, u plagosën e u burgosën, u larguan nga vendi e punuan në ilegalitet e mijëra të tjerë vazhduan aktivitetin në vend, të bindur se do të vijë dita, kur pavarësia e Kosovës do të bëhet realitet.

E frymëzuar nga të parët e saj, me traditë atdhetare që kishin luftuar për këtë vend, Dritë Maliqi Zunçe që në moshë të re, në vitet e nëntëdhjeta kishte nisur aktivitetin e saj politik në kryesi të degës së LDK-së në Gjilan e më pas edhe kryetare e degës së Forumit të Gruas, këshilltare komunale në dy mandate dhe kryesuese e Komitetit për Kulturë, Rini e Sporte.

 

I tërë ky angazhim politik, bëri që ajo të fitojë besimin qytetarë dhe në vitin 2007, e nominuar nga LDD, Dritë Maliqi Zunçe u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, ku për një mandat të tërë e angazhua për mirëqenien e rajonit nga qytetarët e të cilit kishte marrë besimin, por njëkohësisht është angazhuar edhe në të mirën e tërë vendit.

“Ishte nder e privilegj, por njëkohësisht edhe përgjegjësi që të zgjidhesh deputete në përbërjen e Kuvendit që shpalli Pavarësinë e Kosovës. Jam krenare që si e vetmja deputete femër nga Anamorava nënshkrova Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thotë një dekadë më pas Dritë Maliqi Zunçe, për të cilën ishte kjo një ndjenjë e papërshkrueshme, ngase Pavarësia e Kosovës kishte qenë ëndërr e shumë brezave, e shumë njerëzve që kishin dhënë shumë për atë ditë.

Edhe atëherë kur shumëkush kishte humbur shpresat, Dritë Maliqi Zunçe, duke mos u lëkundur në rrugën që e kishin trasuar të parët e saj, kishte bartur mesazhin për liri, duke edukuar gjeneratat e reja në profesionin e shenjtë të mësimdhënëses në Shkollën Fillore “Thimi Mitko”, duke qenë drejtoreshë e kësaj shkolle e duke u angazhuar në aktivitetin politik, pa u lëkundur në rrugëtimin e saj që kishte nisur.

Tashti, në dhjetëvjetorin e Pavarësisë, Dritë Maliqi Zunçe do të dëshironte një Kosovë krejt ndryshe, të atillë çfarë e kishin ëndërruar e dëshiruar kur për të luftonin nën okupim dhe të atillë që e kishin dashur kur e kishin shpallur më 17 shkurt 2008.

Dritë Maliqi Zunçe, angazhimin e saj në bërjen e shtetit të mirëfilltë nuk e ka ndalë as tashti, kur vazhdon aktivitetin në kuadër të AKR-së, tashti me synime e dëshira të tjera, për një Kosovë më të begatë për qytetarët e saj e të integruar në proceset euro-atlantike.

You Might Also Like