E PËRBASHKËTA E NJERIUT ËSHTË NJERËZORJA
Mehmetali Rexhepi
NGA DËSHMIA E NGAZËLLON M. REXHEPIT
Ngazëllon M. Rexhepi përfaqëson dinjitetin e tij kombëtar dhe njerëzor në Francë. Më 3 tetor 2025 në Dingy Saint Claire, në rrethinën e qytetit të bukur Annecy, mblidhet Asociacioni i Bamirësisë për aktin e përmbylljes së veprimtarisë bamirëse. Kryesia e këtij Asociacioni përcaktohet njëzëri që anëtarëve të Asociacionit t`iu qaset me një përmbledhje përshtypjesh vlerësuese pikërisht Ngazëllon M. Rexhepi. Në praninë e anëtarëve të organizuar vullnetarisht për vepra humanitare në vendbanimin e lartpërmendur rrëzë malit Parmalan, Ngazëllon Rexhepi shpalosi përshtypjet e dramës bashkë me gruan e tij, dramë e peripecive për mbijetesë e dy të rinjve të bukur, që me trastë gjysmë të zbrazur, përplot ëndrra të papërmbushura endeshin rrugëve të huaja, pa e ditur se ku do ta kalonin natën. “Ishim, veçse dy hije që kërkonim një grimë shpresë.”
Dy të rinjtë Ngazëlloni dhe Kaltërina iu kishin mbështetur fatit të padukshëm në mësymjet e tyre për jetën që t`ua siguronte një mirëqenie jetësore. Baraspeshën e ecejakeve të pafundme në kërkim të mirëqenies ua mbante dashuria e pakëputur për njëri-tjetrin; një trajtë besimi e vagulluar dhe shpresa… Por, ku i shpinte kjo sprovë në një mjedis të huaj: pa njohje të gjuhës përkatëse dhe të njerëzve në rrethana e mendësi krejtësisht tjetërsoj?
Më tej Ngazëllon M. Rexhepi para një tubimi të konsiderueshëm pjesëmarrësish në tubimin e Asociacionit, përmes një rrëfimi të shkurtë, i ngjeshur, i artikuluar, i rrjedhshëm, shpaloi të priturat dhe të papriturat e vuajtjeve, bujtjeve kudo, përjetime të hirta, por shih: ndodhi mrekullia! Si ndodhi? Ndodhi rastësia për të cilën thuhet se është “mbreti i botës!”
Të pranishmit në sallë u përqendruan në ligjërimin shprehimor dhe, tërë sy e vesh gëlltitnin të emocionuar ligjërimin e sprovave, përmes një frëngjishteje të kulluar në shqiptimet e gojës së një ardhacaku, që me doza sinqeriteti shfaqte takimin e rastësishëm me njerëzit e Asociacionit, se si kishte hasur në zemra të hapura, pa u parë e pa u ndjerë, thellësisht njerëzore! Iu kishte mbushur zemra me diçka të papërshkrueshme. Ligjëruesi i sprovës pohonte: “Në fillim nuk kuptonim asgjë: kush ishit ju, pse na ndihmonit, pse e hapnit zemrën tuaj për dy të panjohur? Por, koha tregoi se brenda këtij asociacioni gjendeshin zemrat më të mëdha, më humane e më të pastra që mund të takonim ndonjëherë.”
Në përshkrimin e tij Ngazëllon M. Rexhepi renditi përkushtimin e ndihmës së anëtarëve të Asociacionit të Dingy Saint Claire: sjelljen sipas rregullave të shtetit të Francës, mësimi i frëngjishtes, jo vetëm si gjuhë, por edhe frymën e saj. Në këtë vazhdimësi gjithsesi pason qasja për t’u lidhur me njerëzit që u gjendën në ditët e vështira dhe, respekti për ta.
Pas lodhjes fizike e shpirtërore dhe pritjes së gjatë, erdhi viti 2019, kur Prefektura e Annecy më në fund rregulloi statusin e çiftit Rexhepi. Në rrëfimin e tij Ngazëlloni solli ndjenjën e gëzimit që kishte përjetuar duke u ndjerë të lehtësuar… Ai e shpërfaqi atë gëzim përpara fytyrave bamirësish të cilëve po u lotonin sytë: “Por, dini çfarë? Kishim ndjesinë se ju, miqtë tanë të dashur të Asociacionit, ishit edhe më të gëzuar se ne dhe, kjo ishte dëshmi se gëzimi juaj për ne ishte i sinqertë, i pastër, i madhërishëm…”
Në përmbyllje të paraqitjes së tij, Ngazëllon M. Rexhepi parashtroi dy rrethana mbresëlënëse:
“Sot, unë dhe Kaltërina jetojmë të lumtur në Francë. Por, kjo lumturi ka sot një hije trishtimi: Asociacioni ynë i dashur po mbyllet. Një kapitull i çmuar po mbyllet, por faqet e tij do të mbeten përherë të hapura në zemrat tona.” Duke vijuar diskursi ligjërimor i të riut mërgimtar, sikurse rasti i këtyre të rinjve, Ngazëlloni shqiptoi shfaqjen dhe përmbushjen njerëzore:
“Ju na dhatë më shumë se sa mund të kërkonim. Na dhatë kohë, gjuhë, miqësi, sinqeritet, ngrohtësi…”
Vlen të nënvizohet pohimi mirënjohës i të riut mërgimtar Ngazëllon M. Rexhepi kundruall bamirësve e bamirëseve franceze: “Për ne, ju do të mbeteni gjithmonë njerëzit më të bukur në botë.” Nëse po mbyllet Asociacioni që na ktheu besimin për kthimin e buzëqeshjes në fytyrat e shpirtrat tanë… “Kujtimet nuk i mbyllë dot askush; ato do të rrojnë me ne, në çdo Krishtlindje që do të vijë, në çdo buzëqeshje që na shoqëron.”
Një dozë mallëngjimi e mirënjohjes së ndërsjellë kishte kapluar në sallë dyanshëm zemrat, veçmas përmbyllja domethënëse e udhërrëfyesit: “ne do të kujtojmë çfarë bëtë për ne dhe do t’ua përcjellim më tej, sepse kjo është trashëgimia juaj më e madhe: të na mësoni të jemi dritë për të tjerët.
Ju përqafojmë me gjithë shpirt! Faleminderit!”
Përmbyllja e tillë e peripecive e të riut shqiptar në Dingy Saint Claire Ngazëllon M. Rexhepi për bëmat e mira të evropianëve, shpërfaqi nivelin e një dinjiteti modern evropian, gjithnjë në funksion të ngadhënjimit të miqësisë e të njerëzores pa paragjykime, tej përkatësive etnike, racore, fetare e, veçantive të mendësive shoqërore. Si rrjedhojë e përbashkëta e njeriut është vetëm e vetëm njerëzorja.
Këtu ngadhënjeu njerëzorja!






