Avokati i mirënjohur dhe Kryetari i Këshillit të Bizneseve të Rajonit të Gjilanit (GRBC), Arsim Vranovci u takua me Konsullin e Nderit të Republikës së Kosovës për Vjenë dhe Austrinë e Poshtme David Ungar-Klein, njëherazi kontribuuesin e njohjes së Republikës së Kosovës nga shteti i Izraelit. David Ungar-Klein si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës për Vjenë dhe Austrinë e Poshtme, ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Ai ka qenë gjithashtu i rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve me vende të tjera, duke përfshirë Izraelin, ku i njëjti ka kontribuar shumë në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga shteti i tij i origjinës Izraeli. Gjatë këtij takimi, Vranovci dhe Ungar-Klen diskutuan një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe investimet në Kosovë. Gjithashtu u diskutua lidhur me fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë si dhe rolin që komuniteti i biznesit mund të luajë në promovimin e rritjes ekonomike dhe prosperitetit në rajon.